Të dhënat mbi popullsinë që jeton në zonat urbane dhe rurale bëjnë pjesë në grupin e treguesve të Zhvillimit Rural ose/dhe Urban. Përgjithësisht, vendet e zhvilluara tentojnë të kenë një popullsi më të lartë në zonat urbane krahasuar me atë rurale. Kjo e lehtëson aksesin ndaj shërbimeve bazë, si sigurimi i ujit, kujdesi shëndetësor apo arsimimi. Për rrjedhojë, mund të thuhet se sa më i lartë raporti i popullsisë urbane ndaj asaj rurale, aq më e lartë edhe mirëqënia e banorëve të një shteti.

Shifrat flasin për një tendencë botërore të zhvendosjes së banorëve të zonave rurale drejt zonave urbane, trend ky që vlen edhe për vendin tonë.

Burimi i të dhënave: United Nations, Department of Economic and Social Affairs, Population Division (2010). World Urbanization Prospects : The 2009 Revision.
Përpunimi dhe komentet: ODA

Vitet 1950-1990 kanë shënuar një rritje me norma relativisht të larta të popullsisë, mesatarisht 13%. Ky ritëm rritjeje u reflektua edhe në treguesit e rritjes së popullsisë së zonave rurale dhe urbane. Megjithatë, ritmi i rritjes së zonave urbane ishte në mënyrë konstante më i lartë se sa ai i zonave rurale. 


Burimi i të dhënave: United Nations, Department of Economic and Social Affairs, Population Division (2010). World Urbanization Prospects : The 2009 Revision.
Përpunimi dhe komentet: ODA

Vitet 1990-1995 shënuan zhvillime të rëndësishme. Në këtë periudhë popullsia totale u ul me 4.73%, normë kjo e ulët krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak të dy faktorëve kryesorë, emigracionit dhe uljes së lindjeve. Në të njëjtën periudhë, popullsia në zonat rurale, për herë të parë shënoi ritëm rënës, duke u ulur me 8.45%, ndërsa ajo urbane u rrit me vetëm 1.76%. Tashmë njerëzit ishin të lirë të zgjidhnin nëse dëshironin të jetonin në qytet apo në fshat dhe lëvizja e tyre nuk ishtë më e kontrolluar. Mundëisia për një jetë më të rehatshme dhe akoma më tej, mundesitë më të larta për punë, bën që popullsia në fshat të binte në mënyrë të vazhdueshme ndërsa numri i banorëve të qytetit të ishte në rritje.

Edhe në projeksionet e të ardhmes, vihet re një eksod nga zonat rurale dhe mbizotërim i popullsisë urbane.  Duke filluar që nga viti 2010, struktura e popullsisë rurale-urbane bëhet 50% me 50%. Në 2020-n, raporti i popullsisë urbane mendohet të jetë 60% e popullsisë totale dhe pas 2035-s, ky raport do të jetë mbi 70%.