Shërbimi spitalor shtetëror në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar. Madje konsiderohet si një nga hallkat më problematike në Shqipëri. Por veç shërbimit të munguar, zbardhen dhe asryet të tjera përse i kanë çuar spitalet shqiptare në këtë pikë.

Open Data Albania ka hulumtuar buxhetin faktit të vitit 2012-2013 dhe ajo çfarë bie në sy në të gjithë treguesit e tjerë është se Spitalit të Traumës (i njohur si Ushtaraku), i cili mbledh të gjithë traumat aksidentet, plagët e zjarrit dhe është spital që duhet të bëjë edhe terapi e rehabilitim përfundimtar, në vitin 2013 buxheti faktit ishte vetëm 554,566,275 lekë, ose rreth 4 për qind e  totalit të buxhetit për spitalet në mbarë vendin, duke e lënë këtë qendër të rëndësishme shëndetësore larg mundësisë për të patur kushtet bazë të mbajtur fjala vjen një pacient gjatë periudhës së rehabilitimit.

Si është ndarë buxheti faktik në shifra?

Buxheti faktik i shpenzuar për shërbimin spitalor në harkun kohor 2012-2013ka të bëjë me shpenzime për investime, paga, kosto medikamentesh, shërbime, mirëmbajtje, rimbursim ilaçesh, etj. Gjatë vitit 2013 buxheti faktik për shërbimin spitalor në sum ka qenë 14,214,540,724 lekë, pra rreth 6 për qind më shumë se në vitin paraardhës. Spitalet Rajonale dhe Shërbimet Spitalore në rrethe gjatë vitit 2013 kanë qenë sa 51 për qind e totalit të shërbimeve spitalore në vend.

Buxheti i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në vitin 2013 ishte 4,806,565,404 lekë, pra 34 për qind e buxhetit sum për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë. Spitali Ushtarak, i cili së fundmi ka ndryshuar emrin në Spitali i Traumës ka pasur një buxhet faktik prej 554,566,275 lekësh në vitin 2013, pra rreth 4 për qind e totalit.

Sanatoriumi, nga ana tjetër si një spital jo më pak i rëndësishëm me vendndodhje në Tiranë, ka pasur një buxhet prej 3% ndaj totalit, pra 436,398,119 lekë. Gjatë vitit 2012 spitali me buxhetin faktik më të madh pas Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka qenë Drejtoria e Spitalit Elbasan me një buxhet prej 599,286,104 lekësh, ndërsa në vitin 2013 ka qenë Drejtoria e Spitalit Shkodër me një buxhet prej 573,958,954 lekësh. Një analizë interesante është dhe analiza që vë përballë njëra-tjetrës Spitalet Rajonale me shtrirje gjeografike në gjithë Republikën e Shqipërisë. Spitalet Rajonale të cilat kanë shpenzuar më shumë nga buxheti i shtetit në harkun kohor 2012-2013 janë spitalet e Shkodrës, Elbasanit, Vlorës e Peshkopisë.  Gjatë vitit 2012 buxheti faktik i spitaleve dhe shërbimeve rajonale në sum ka qenë 47 për qind e totalit të buxhetit faktik të shërbimit spitalor, ndërsa në vitin 2013 ky raport është zvogëluar në 43 për qind të totalit.