Open Data Albania po kryen një hulumtim lidhur me pjesëmarrjen e femrave në politikë në funksion të promovimit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të rolit të femrës në funksione përfaqësuese. Në Mars të vitit 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka në përbërje njëzet e gjashtë deputete ose në përqindje përfaqësim në masën 18,6%.
13 prej tyre janë deputete të Partisë Socialiste; 9 deputete të Partisë Demokratikedhe 4 deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Qarku i Dibrës, Gjirokastrës dhe Kukësit nuk kanë asnjë përfaqësuese femër në Kuvend.
Qarqet në veri të vendit në total sjellin në kuvend vetëm 5 përfaqësuese gra si deputete, kundrejt njëmbëdhjetë deputeteve në qarqet e Jugut dhe dhjetë të tjera nga tre qarqet e Shqipërisë së Mesme.
Ky raport është shënuar pas dorëheqjes së një sërë deputeteve nga mandati, disa prej tyre në funksion të marrjes së një mandati ministror e në raste të tjera për shkak të dorëheqjeve të debatuara dhe komentuar gjerë nga vetë kampet politike.
Në vite në vendin tonë pjesëmarrja e gruas në kuvend është paraqitur në nivele të ulta. Ky nivel është rritur pas 2009-ës por mbetet i ulët kundrejt standardit të përfaqësimit gjinor me 30% si standard i promovuar.
Niveli i përfaqësimit në Kuvend me 18.6 % është nivel i ulët kundrejt vendeve evropiane dhe ballkanike si Kosove, Maqedoni, Mal i Zi, Bosnje apo Serbi. Vetëm Turqi; Hungaria dhe Rumania paraqiten aktualisht në nivele përfaqësimi më të ulëta se vendi ynë.
Tregues të tjerë për përfaqësim është edhe përqindja e ulët e grave të zgjedhura në nivel lokal si komuna e bashki. Me vetëm 11 gra kryetare komunash apo 1.5 % e totalit, si dhe 3 kryetare bashkish apo ne nivel përfaqësimi vetëm 4.6%, përfaqësimi i gruas në procese zgjedhore mbetet në nivele të problematik.