Ato vazhdojnë të jenë pak. Edhe pse më të sigurta se më parë, tek vetja dhe tek politika. Por femrat shqiptare, mesa duket, ende nuk e kanë fituar “betejën” me këtë të fundit, teksa me kuotat që zotërojnë aktualisht brenda fushës së saj të lojës, mund të thuhet se janë ende larg përmbushjes së asaj që të gjithë e kemi dëgjuar rëndom të flitet vitet e fundit, norma “30%”. 
Kështu, nëse marrim si orientim përfaqësimin e tyre parlamentar, i cili aktualisht nuk shkon përtej shifrës prej 18.6%, epërsia mashkullore shfaqet haptazi. Konkretisht, referuar një studimi të kryer nga “Open Data Albania”, faktohet se Kuvendi i Shqipërisë ka në përbërje të tij 26 deputete femra, ku të ndara sipas forcave politike, më shumë ka Partia Socialiste, 13 të tilla; pastaj Partia Demokratike 9 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, që ka 3 deputete femra. 
Ndërkaq, përmendet fakti se nëse do u referoheshim qarqeve, Dibra, Gjirokastra dhe Kukësi, nuk kanë asnjë femër që t’i përfaqësojë në Kuvend. “Qarqet në veri të vendit në total sjellin në Kuvend vetëm 5 përfaqësuese femra si deputete, kundrejt njëmbëdhjetë deputeteve në qarqet e Jugut dhe dhjetë të tjera nga tre qarqet e Shqipërisë së Mesme”, thotë raporti studimor mbi bazën e të dhënave të Kuvendit. I cili gjithsesi, nuk e anashkalon faktin se duke nisur nga viti 2009, pjesëmarrja e femrave në politikë është rritur, por gjithsesi, ky nivel është i ulët krahasuar me kuotën e përcaktuar ligjërisht prej 30%. Tregues ky, i cili e vendos Shqipërinë në një pozitë inferiore edhe lidhur me vendet e rajonit, lidhur me përfaqësimin e femrave në parlament, si mbrapa Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës; ndërsa ia kalojmë në këtë aspekt vendeve të tilla si Bullgaria, Hungaria dhe Turqia. 
Teksa në botë, ka edhe vende, të tilla si Danimarka, e cila lidhur me pjesëmarrjen e femrës në politikë, kryeson me një nivel prej 39.1%. “Tregues të tjerë për përfaqësim është edhe përqindja e ulët e grave të zgjedhura në nivel lokal si komuna e bashki. Me vetëm 11 gra kryetare komunash apo 1.5 % e totalit, si dhe 3 kryetare bashkish apo ne nivel përfaqësimi vetëm 4.6%, përfaqësimi i gruas në procese zgjedhore mbetet në nivele të problematik”, thotë gjithashtu raporti.
18.6%
Është niveli i femrave të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë në mars të këtij viti, ose në shifra konkrete, ky përfaqësim përkthehet me 26 deputete
30%
Është niveli ligjor i përfaqësimit të femrave në politikë, nivel ky i cili në praktikë, është ende larg përmbushjes së tij, madje edhe përafrimit drejt tij
1.5%
E totalit është niveli i femrave të përfaqësuara në nivel lokal si kryetare komunash, ose në shifra konkrete, ky përfaqësim përkthehet me 11 të tilla
4.6%
E totalit është niveli i femrave të përfaqësuara në nivel lokal si kryetare bashkish, ose në shifra konkrete, ky përfaqësim përkthehet me 3 të tilla
LISTA
Deputetet femra të Kuvendit
Berat
Ermonela Valikaj          PS
Silva Caka                                LSI                              
Durrës
Albana Vokshi                          PD
Esmeralda Shkjau                     PS
Klodiana Spahiu                       PS
Elbasan 
Miranda Rira                            LSI
Fier
Adelina Rista                            PS
Majlinda Bufi                            PS
Mesila Doda                 PD
Korçë
Arta Dade                                PS
Eleina Qirici                  PD
Olta Xhaçka                 PS
Lezhë
Albina Deda                             PD
Monika Kryemadhi       LSI
Shkodër
Jozefina Topalli                         PD
Mimoza Hafizi                          PS
Voltana Ademi                         PD
Tiranë
Jorida  Tabaku                         PD
Kejdi Mehmetaj                       LSI
Blerina Gjylameti          PS
Majlinda Bregu                         PD
Enkelejda Shkreli          PS
Vasilika Hysi                            PS
Vlorë
Liljana Elmazi                           PD
Luiza Xhuvani                           PS
Valentina Leskaj           PS
Përtej  Lajmit

A e meritojnë femrat shqiptare politikën?!
Dëshirojnë dhe tentojnë të jenë brenda saj, por a e meritojnë femrat shqiptare politikën?! Kjo është një anë tjetër e medaljes, teksa flasim për çështjet e përfaqësimit të saj politik, përtej analizës së shifrave konkrete. Duke parashtruar kështu realisht çështjen nëse tek femrat tona ekzistojnë vërtet potencialet, durimi, pse jo, edhe morali i duhur, për të pranuar e kapërdirë, gjithçka që politika si e tillë ofron për të mundësuar ecjen në labirinthet e saj. 
A është vërtet gati femra shqiptare ta suportojë këtë lloj presioni force (në dukje paksa mashkullor) që politika si e tillë ushtron tek to, ndërsa përballen me të? Apo i duhet ende kohë, përtej këtyre 23 viteve, për të njohur dhe kuptuar ende veten, atë se ajo çfarë realisht mund të japë në shoqëri, e në veçanti në politikë? Kësisoj, për të qenë së pari, “e zonja e vetes”, e bindur në atë ç’ka beson dhe aspiron, e më pas, për të pretenduar se është gati të hidhet “në shinat” e politikës, ku treni i saj i ngatërron ndonjëherë edhe stacionet… Po. Është e vërtetë se femra shqiptare ka ndryshuar shumë këto dy dekada, të paktën imazhi viziv i saj, që ndonjëherë befason sesa kujdes dhe kohë e tepruar i kushtohet për ta kuruar në perfeksion atë. Sikundër, ka ndryshuar katër-cipërisht edhe mënyra sesi ajo e shpenzon kohën e saj të lirë. Por a është “rritur” realisht femra shqiptare në këto 23 vjet? 

A ka pësuar ajo vërtet një transformim kualitativ në mënyrën e saj të të menduarit, arsyetuarit, prodhuarit dhe krijuarit? Një proces ky mëse i nevojshëm për të merituar pozicionime të larta në shoqëri, por edhe në politikë, nëse duam që të jemi të denja kundrejt tij. Le t’ia bëjmë pra, të gjitha këtë pyetje vetes, në përpjekje për të kuptuar se cilat jemi në të vërtetë. A jemi ne ndryshe nga nënat tona? 
Dhe a na ka ndryshuar dot tranzicioni? Duke bërë të mundur që të luftojmë vërtet brenda nesh komplekset e një kohe të shkuar dhe të jemi nga dita në ditë më mendje-hapura se më parë? Ndoshta përgjigja reale e këtyre dilemave, mund të na japë edhe përgjigjet e pyetjes të fillesës së këtij shënimi, se a e meritojnë femrat shqiptare politikën.