Plot 2.756 miliardë lekë shpenzohen nga buxheti i shtetit për sistemin e burgjeve në vend. 
Teksa numri i të dënuarve sa vjen e rritet, kostot shtohen gjithashtu. Dënimet alternative janë vënë në përdorim, por deri më tani nuk kanë pasur ndonjë sukses.
Open Data Albania” ka hulumtuar për shpenzimet në shërbimin e burgjeve të Shqipërisë për vitin 2012 dhe vitin 2013. Kështu, sipas të dhënave në vitin 2013 janë shpenzuar më pak para se viti paraardhës, me rreth ,648 miliard lekë, pra rreth 4% më pak.
“Gjatë vitit 2013 peshën më të madhe të shpenzimeve buxhetore të sistemit të burgjeve e mbart Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me 24% ndaj totalit. Një pjesë të rëndësishme të buxhetit faktik kanë zënë dhe Burgu i Peqinit me 8% ndaj totalit si dhe Burgu i Lezhës, ai i Fushë-Krujës dhe Burgu 313 i Tiranës me përkatësisht 6% ndaj totalit etj”, thuhet në hulumtim.
Në Republikën e Shqipërisë institucioni buxhetor pjesë e Sistemit të Burgjeve që ka pasur koston më të lartë për të burgosur gjatë vitit 2013 është Spitali i Burgut Tiranë, i cili ka shpenzuar rreth 7.2 milionë lekë për person. Institucione të tjera me kosto të larta kanë qenë dhe Paraburgimi Tropojë me kosto për person rreth 2.4 milionë lekë, Paraburgimi Kukës rreth 1 milionë lekë etj.
Institucioni buxhetor me koston më të ulët për të burgosur ka qenë Burgu i Lezhës me rreth 241 mijë lekë. Nëse marrim totalin e Burgjeve përfshi dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve rezulton se kosto totale për person është rreth pesëqind e njëzet e katër mijë lekë.
Për të bërë këtë analizë është marrë vlera e shpenzimeve buxhetore për të gjitha transaksionet e vitit 2013 dhe ky total është pjesëtuar me numrin e personave të burgosur dhe të paraburgosur në një datë të caktuar të vitit si dhe është e dhëna për muajin prill 2013.