Diaspora ekonomike dhe mungesa e një strategjia adekuate për 800 milionë njerëzit që kanë lëvizur nga vendet e tyre dhe që qarkullojnë më shumë se 540 miliardë dollarë amerikanë në të gjithë Botën. Shqipërisë i mungon akoma një strategji specifike për çdo vend ku ka diasporë. Kosova ka ministri të Diasporës!

Ka një vështrim realist kohët e fundit lidhur me rolin dhe peshën e diasporave. Qeveri të ndryshme po rishikojnë planet e tyre politike dhe ekonomike ndaj emigracionit, të vjetër, e të ri, po hartojnë madje strategji globale dhe plan-aksione imediate, plane integrimi të diasporës, ku përfshihet edhe sipërmarrja private, po qëmtojnë praktikat më të mira rajonale e më gjerë.

Diaspora, pra po bëhet një faktor, që ka domethënien e vet. Pse? Më shumë se 800 milionë njerëz të të gjithë kombësive kanë lëvizur nga vendet e tyre. Raporti përkatës i Bankës Botërore për vitin 2013 tregon se janë më shumë se 540 miliardë dollarë amerikanë që përbëjnë remitancat/dërgesat e këtyre njerëzve ndaj familjeve të tyre në vendin e origjinës. Të dhënat janë bërë të njohura edhe në Konferencën Ndërkombëtare “Politikat e migracionit në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt para pak kohësh në Berlin dhe ku Shqipëria mori pjesë me një delegacion të gjerë. Ky ishte një samit që vijonte atë të Malit të Zi (2010), të Shkupit në Maqedoni (2011) të Sarajevës në Bosnjë-Hercegovinë (2012). Përvojat e ofruar nga një sërë asosacionesh si Kongresi Botëror Kroat i Diasporës, Këshilli i Serbëve në Gjermani, Qendra për Migrim dhe Zhvillim e Berlinit etj, treguan se bëhet fjalë për praktika e përvoja që nuk mund të anashkalohen.

Shifra të ndryshme për remitancat/dërgesat jep edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani. Sipas tij “Fluksi i remitancave në mbarë botën i kalon 100 miliardë usd në vit, ku më shumë se 60 përqind e kësaj shume të konsiderueshme shkon drejt vendeve në zhvillim”. z. Fullani i krahason ato si “si një nga burimet më të rëndësishme financiare për ecurinë e vendeve në zhvillim, duke e lënë në hije financimin e zakonshëm siç është kreditimi banker”
 
Pse diaspora? Rasti i Shqipërisë

Sipas përcaktimeve teorike “remitanca/dërgesa quhen transfertat neto, pa kundërshpërblim nga jashtë vendit. Këto lloj transfertash janë një ndër komponentët e llogarisë korrente në bilancin e pagesave”. Diaspora, emigracioni është poseduesi i këtyre dërgesave. Do t’i referohem në këtë analizë të dhënave të Open Data, për të parë se cili është roli dhe pesha e dërgesave të emigracionit. Sipas burimit të mësipërm “gjatë vitit 2002-2012 remitancat pozicionohen kundrejt Prodhimit të përgjithshëm të Brendshëm (PBB) në rritje deri në vitin 2007 dhe në rënie në periudhën në vazhdim. Viti më i mirë për remitancat ka rezultuar viti 2007, kur dërgesat e emigrantëve kanë arritur në vlerën 952 milion Euro. Produkti i Brendshëm Bruto në këtë vit ka qenë shtatë miliardë e tetëqind e njëzet e nëntë milion Euro, shifër e mirë kjo krahasuar me vitin 2006, ku PBB ishte pesë miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milion Euro. Viti me remitancat më të ulëta gjatë kësaj dekade ka qenë viti 2011 me 665 milion Euro dërgesa. Vitet 2003-2004 rezultojnë me një vlerë konstante të PBB në vlerën 774 milion Euro. Duke bërë këtë lloj analize krahasuese se si pozicionohen remitancat kundrejt PBB konstatojmë rolin e rëndësishëm që kanë dërgesat e emigrantëve në ekonominë e brendshme. Grafiku majtas paraqet raportin në përqindje të Remitancave ndaj PBB:

Shihet qartë se çfarë është duke ndodhur me dërgesat e emigracionit. Nuk ka ndonjë përcaktim optimist edhe për vitet që vijnë (viti 2013 ka tregues më të ulët, të dhënat paraprake të 2014-ës nuk janë aspak optimiste-vlerësohen si dërgesat më të ulta që nga fillimi i emigracionit) ndërsa ka disa teori ekonomike e shkencore që e trajtojnë këtë sjelle të emigracionit. Në këto kushte, shumë shtete, që kanë të njëjtën fizionomi emigracioni si Shqipëria, kanë qënë të detyruar të rikërkojnë rrugë e shtigje të tjera për të gjetur mundësinë e sigurimit të të hyrave të tilla. Remitancat, si transferta neto pa kundërshpërblim për/nga jashtë vendit, janë pjesë përbërëse e të ardhurave dhe në mënyrë të tërthortë e vetë Produktit të Brendshëm Bruto.
Sidomos në kushtet kur ekonomisë i mungojnë edhe investimet e huaja dhe kreditimi i ekonomisë dhe individëve, dërgesat mbeten i vetmi burim nga ku synohet të ruhet apo të arrihet zhvillimi ekonomik. Dërgesat janë burimi i vetëm i të ardhurave për shumë vetë, ato pakësojnë varfërinë, sigurojnë fonde për investime në biznes, investime në kapitalin njerëzor, arsimimin, shëndetin.
 
Çfarë mund të zëvendësojnë dollarët e munguar të dërgesave?

Një rrugë është rritja e fluksit të investimeve të huaja, përjashtuar në këtë rast diasporën ekonomike. Duke iu referuar përsëri një përcaktimi të dalë nga analiza e Open Data “Investimet e huaja direkte, përfshijnë investimet e individëve dhe institucioneve të huaja në ekonominë vendase, nëse investimi e bën investitorin pronar të më shumë se 10% të kapitalit të një ndërmarrje.”. Pra, fjala është pikërisht për këtë lloj investimi.

Ky investim nuk varet tërësisht nga dëshira e mirë e qeverisjes së një vendi për të thithur sa më shumë investime të huaja të drejpërdrejta. Sot shtetet përpiqen të ofrojnë lehtësi të ndryshme për të thithur investime të huaja, (disa herë diskriminuese edhe për sipërmarrjet vendase). Krijimi i një klime të mirë investimesh është gjithashtu “gjahu” për të ofruar investime të huaja. Por janë shumë faktorë që ndikojnë, disa nga të cilat nuk varen tërësisht nga politikat e ndjekura. Fjala vjen, tregu shqiptar është një treg tërësisht i vogël për të qënë pjesë e investimeve globale të huaja. Avantazhet krahasuese të Shqipërisë jo në çdo rast promovohen si duhet, synohen politika të zhurmshme për të ofruar dollarët e eurot e nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por nuk kihen parasysh edhe kushtet konkrete të tregut, të zhvillimit, të inovacionit, të avantazheve konkurruese etj. Si mund të sigurohen të ardhurat në një situatë të tillë?
 
Diaspora ekonomike dhe politikat e qeverisë

Diaspora ekonomike, e vjetër dhe e re, mbetet një nga rrugët për t’i ofruar ekonomisë shqiptare “karburantin” e nevojshëm për rritjen ekonomike. Kjo nuk mund të bëhet me “patriotizëm” folklorik, por duke hartuar e miratuar një strategji efektive ndaj diasporës ekonomike. Përvojat e mira dhe praktikat e dalluara janë të shumta sidomos në rajonin tonë. Edhe Europa tashmë e hedh vështrimin edhe jashtë saj. Në Botë shënohen sot mbi 240 milion njerëz që lindin në vende të ndryshme nga vendet e tyre. Rreth 80 milionë europianë emigrojnë nga vendet e tyre të lindjes. Për ta duhet menduar nga qeveritë e vendeve të origjinës. Këtë e bën sot Izraeli, që ka një nga strategjitë më të spikatura të trajtimit të diasporës, këtë e bën India, një nga shtetet që vlerësohet për strategjinë e saj për diasporën ekonomike. Irlanda paguan 5000 euro për çdo vend pune të hapur nga diaspora e saj ekonomike. (www.diasporamatters.com).

Po Shqipëria! Nuk ka pasur derimësot asnjë lloj strategjia për diasporën ekonomike, asnjë informacion se ku është e përqëndruar ajo, se cilat janë fuqitë reale të saj, se cilat janë kërkesat e saj ekonomike, se a është ajo e dëshiruar për të të investuar apo për t’u kthyer në vendlindje, se sa dhe cilët janë investitorët nga diaspora që kanë kanalizuar kapitalet e tyre për vendin e lindjes dhe cilat janë lehtësitë që iu janë ofruar!? (Për të mos pyetur më tej se çfarë bën vendi i origjinës për diasporën, për një brez që lind e rritet, duke mos ditur ndonjëherë asgjë për vendlindjen e prindërve dhe të afërmve! Pa le më për shkollimin, gjuhën etj etj.)

Në fakt Shqipëria ka një ligj shumë të përparuar për investitorët e huaj, të cilëve iu ofron mbrojtje shtetërore me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por ende nuk ka një strategjit të plotë e efektive të mbështetjes së diasporës ekonomike.

Po cili duhet të jetë roli i qeverisë? Ai duhet të jetë i lidhur me tregun domodoshmërisht. Diaspora ekonomike nuk ftohet të investojë për patriotizëm dhe vetëm. Diaspora ekonomike do të jetë e gatshme të kthehet, të investojë, të derdhë kapitalin e lirë, nëse vërtet ka një treg ku fitohet e bëhet biznes. Qeveria duhet t’i ofrojë diasporës atë çfarë kërkon tregu. Kjo e bën edhe më të mprehtë një nga problemet tona të përfaqësimit, aty ku jeton e punon diaspora. Rasti ma ka sjellë që, në vitet e fundit, të jem pjesë e prezantimeve shqiptare në shumë vende europiane ku diaspora ekonomike shqiptare nuk mungon asnjëherë.

Por kam qënë i zhgënjyer nga përfaqësimi zyrtar publik, nga klishetë stereotip të prezantimeve, nga standardi i njëjtë i komunikimit, si me investitorët e huaj, ashtu edhe më diasporën ekonomike shqiptare. E pra, janë dy gjëra të ndryshme, tërësisht të ndryshme, diaspora dhe investitorët e huaj ekonomikë. Por oferta në fakt ka qënë e njëjtë, pa bërë ndonjë diversifikim.

Duke shkruar këtë shkrim, pas kthimit nga një event i rëndësishëm në Berlin, nuk arrita, (megjithë kërkimin intensiv) të gjeja të dhëna të nevojshme për të treguar se “kush është kush?” dhe “kush bën çfarë?” nga diaspora ekonomike shqiptare. Të dhënat e disponueshme ishin vetëm ato të numrit të emigrantëve shqiptarë të rregjistruar në çdonjërin prej shteteve europiane që realisht i gjen në drejtorinë përkatëse të MJ (edhe ato kontradiktorë?!). Madje ndjeva keqardhje që kjo drejtori ishte “tkurrur” aq shumë, kur mendoja se Shqipërisë i duhej medoemos një Ministri e Diasporës! E kishte për bukuri një të tillë Kosova!