Studimi i ODA-s: Ndërkohë renditet e para për numrin e lartë të ditëve të lejes së lindjes.

Shqipëria dhe Kosova bëjnë pjesë në ato vende ku punonjësit trajtohen me një masë të ulët përfitimi nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në raste të sëmundjeve apo lejes së lindjes për gratë. Sipas një studimi të Open Data Albania të publikuar dje, Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina dhe Sllovakia janë vendet e rajonit që aplikojnë një sistem përfitimi të ulët, rreth 60-65% të pagës. Ndërsa vendi me përqindjen më të lartë në rajon është Serbia me 106% të rrogës; pas saj renditen shtete si Kroacia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sllovenia, me një masë përfitimi 100% të pagës.

Megjithatë, krahasuar veçanërisht me vendet e rajonit, të cilat aplikojnë të gjithë një sistem përftimi të lejes së lindjes, Shqipëria renditet e para së bashku me Bosnjë-Hercegovinën për numrin më të lartë të ditëve të pagueshme të lejes së lindjes, edhe pse jo për masën e përfitimit. “Mali i Zi është vendi me numrin më të ulët të ditëve të pagueshme të lejes së lindjes si në Europë edhe në rajon, 45 ditë. Në të gjitha vendet e Ballkanit, përfitimi nga leja e lindjes paguhet nga shteti, me përjashtim të Kosovës, ku kjo pagesë përballohet si nga shteti, edhe nga punëdhënësi. Sipas Kodit të Punës të Republikës së Kosovës, punëdhënësi detyrohet të paguajë 180 ditë të lejes së lindjes me 70% të pagës bazë, ndërsa shteti paguan 90 ditët e tjera me 50% të pagës mesatare në Kosovë, duke treguar pozitat jo shumë të favorshme të punëdhënësit në Republikën e Kosovës”, thuhet në studimin e Open Data Albania.

Referuar ligjit në fuqi, në vendin tonë përfitimi për barrëlindje i jepet një gruaje të siguruar, lidhur me barrën dhe lindjen e fëmijës, ndërkohë që kusht për ta përfituar është që të ketë jo më pak se 12 muaj sigurim për çdo rast barrëlindjeje dhe të jetë e siguruar në momentin e lindjes së kësaj të drejte. Sipas të dhënave të studimit, pavarësisht ulje-ngritjeve të numrit të përfituesve nga leja e lindjes, shpenzimet e bëra për pagesat e lejes së lindjes kanë ardhur në rritje vit pas viti.

“Viti 2009 ka numrin më të madh të përfituesve nga leja e lindjes, numër ky që arrin në 15 001 përfitues, ndërsa viti me numrin më të ulët është 2010, me 9 554 përfitues. Në vitin që lamë pas, ky numër ishte 12 014 përfitues, nga të cilët 1 557 përfitues nga institucionet buxhetore; 889 nga institucionet jobuxhetore; 2 796 nga shoqëri private; 706 nga të vetëpunësuarit në qytet dhe 6 066 nga të vetëpunësuarit në bujqësi. Pavarësisht ulje-ngritjeve të numrit të përfituesve nga leja e lindjes, shpenzimet e bëra për pagesat e lejes së lindjes kanë ardhur në rritje vit pas viti. Në vitin 2009, këto shpenzime ishin rreth 1.23 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2013, rreth 2.33 miliardë lekë.