Sipas “Open Data Albania”, subjektet financiare që licencohen nga kjo bankë janë bankat komerciale; fondet pensionale; kompanitë e sigurimeve; institucionet mikrofinanciare; institucionet financiare jo banka; zyrat për transferimin e parave; ndërmjetësuesit në sigurime dhe zyrat e këmbimit valutor.

Open Data Albania” shpjegon se bankat komerciale janë banka tregtare që pranojnë depozita monetare ose fonde të tjera të ripagueshme nga publiku dhe i përdorin ato për dhënie kredie dhe emetim të mjeteve të pagesës në formën e parasë elektronike.

Konkretisht në Kosovë, sipas “Open Data Albania”, funksionojnë 9 banka apo degë bankare. Ato janë: ProCredit Bank, Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C, NLB Prishtina sh.a, Banka për Biznes, Banka Ekonomike, TEB sh.a, Banka Kombëtare Tregtare – dega Kosovë, Komercijalna Banka – dega Mitrovicë dhe Turkiye Is Bankasi – dega Prishtinë.

Ndër to, Banka për Biznes ka 43% kapital vendas dhe Banka Ekonomike 100% kapital vendas. Bankat e tjera janë degë të bankave të huaja.

Tregu bankar kosovar ne analizën e “Open Data Albania” karakterizohet nga veprimtari të degëve të bankave të huaja duke mos shfaqur tipare të një tregu bankar në një shtet të konsoliduar vetëqeverisës.

Banka Qendrore e Kosovës është treguar konservatore në mundësinë e licencimit për banka të mirëfillta vendase qofshin këto edhe me kapitale të huaja, vlerëson “Open Data Albania”, ndërsa bankat komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës janë banka që kryesisht kanë licencë të mirëfilltë aktiviteti në vende të tjera të Ballkanit.

Fondet pensionale janë institucione që merren me menaxhimin e kursimeve pensionale në një afat të gjatë kohor.

Kompanitë e sigurimeve janë institucione të cilat premtojnë t’i paguajnë personit apo shoqërisë së siguruar dëmin e ndodhur nga rreziku që ato paracaktojnë ndërmjet tyre kundrejt një çmimi gjithashtu të paracaktuar.

Ndërmjetësuesit në sigurime ose ndryshe të quajtur “Broker”, bëjnë të mundur ndërmjetësimin midis siguruesit dhe të siguruarit.

Institucionet mikrofinanciare janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta.

Institucionet financiare jo banka janë shoqëri të cilat kryejnë aktivitete të ndërmjetësimit financiar dhe aktivitete të tjera ndihmëse, të lidhura ngushtë me ndërmjetësimin financiar por që nuk klasifikohen si pranuese depozitash.

Zyrat për transferimin e parave janë institucione që mundësojnë transfere parash në çdo vend të botës.

Zyrat e këmbimit valutor janë institucione në të cilat kryhen transaksione te këmbimit të valutës.

Shoqëritë e kursim-kreditit janë institucione financiare të cilat pranojnë depozita vetëm nga anëtarët e tyre, dhe i japin hua këto fonde për të siguruar fitim.

Sipas artikullit hulumtues te “Open Data Albania”, në vitin 2013 subjekte të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës janë 33 zyra të këmbimit të valutave janë, 14 institucione mikrofinanciare, 13 kompani sigurimi, 9 banka komerciale, etj.

Gjatë këtij viti, Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar 96 kërkesa për hapje të degëve të reja të bankave, të kompanive të sigurimit, si dhe institucioneve të tjera financiare.

Nëse do ta krahasonim me Shqipërinë, ndër institucionet që licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës në vitin 2013 operojnë 16 banka nga 9 që janë aktualisht në Kosovë dhe 19 subjekte financiare jo banka nga 4 që ka Kosova.