Serbia zë vendin e parë në importet e Kosovës për vitin 2013, ndërsa Shqipëria dhe Italia dominojnë eksportet. Sipas një studimi të Open Data Albania (ODA), Republika e Kosovës në vitin 2013 ka importuar 285 milionë euro nga Serbia, 253 milionë euro nga Gjermania dhe 229 milionë euro nga Italia. Në total importet e këtij viti shënojnë vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Në vitin 2005 eksportet kosovare dominoheshin nga Maqedonia, Serbia e Gjermania, ndërsa eksportet shqiptare dominoheshin nga Italia, Greqia dhe Kosova. Në vitin 2013 ky raport ka ndryshuar në favor të Italisë, Shqipërisë e Maqedonisë për eksportet kosovare, si dhe Italisë, Spanjës e Maltës për eksportet shqiptare. Shteti kosovar ka eksportuar në vitin 2013 vlerën 74 milionë euro drejt Italisë, 44 milionë euro drejt Shqipërisë dhe 26 milionë euro drejt Maqedonisë.

Për importet e kryera nga Kosova situata në vitin 2005 paraqitet në favor të Maqedonisë, Serbisë e Gjermanisë, për t’u zhvendosur drejt Serbisë, Gjermanisë e Italisë në vitin 2013. Në Shqipëri në vitin 2013 importet kryesore vinin nga Italia, Greqia e Kina. Republika e Kosovës në vitin 2013 ka importuar 285 milionë euro nga Serbia, 253 milionë euro nga Gjermania dhe 229 milionë euro nga Italia. Në total importet e këtij viti shënojnë vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Megjithatë në studim thuhet se pavarësisht se Kosova ka një vëllim tregtar më të ulët se Shqipëria, deficitin e ka më të lartë. “Megjithëse me vëllim tregtar më të ulët se Republika e Shqipërisë, Kosova shënon Deficit Tregtar më të lartë. Në vitin 2013 Dificiti Tregtar i Republikës së Kosovës është 2.15 miliard Euro ndërsa në Republikën e Shqipërisë 1.89 miliard euro,’ thuhet në studimin e ODA-s.

Open Data Albania e ka kryer këtë hulumtim lidhur me Eksportet dhe Importet sipas shteteve si dhe Bilancin Tregtar në vitet 2005-2013 në Republikën e Kosovës. Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Institutit të Statistikave në Shqipëri (INSTAT).