Shqiptarët mbeten gjithmonë kuriozë për të ditur pagën e tjetrit, por kureshtjen më të madhe e kanë për të ditur se, sa para marrin zyrtarët më të lartë shtetërore. Nisur edhe nga një hulumtim i “Open Data Albania” mbi pagat në institucionet e pavarura kushtetuese, paga më e lartë e një zyrtari shtetëror për vitin 2014, është ajo e Presidentit të Republikës me 257.000 lekë/muaj.
 
Kjo pagë përcaktohet çdo vit në ligjin vjetor të Buxhetit të Shtetit dhe pas saj vijnë me zbritje edhe pagat e zyrtarëve të tjerë. Pas kreut të shtetit, pagën më të lartë e kanë Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, të cilën paguhen sa 89% të pagës së Presidentit. Të përkthyera në vlerë monetare, për vitin 2014, paga e Kryetari të Kuvendit, Kryeministrit dhe Kreut të Gjykatës Kushtetuese është 228.730 lekë/muaj.
 
Për grupin e dytë, të cilët janë Zv.kryetari i Kuvendit, Zv.kryeministri, Avokati i Popullit, Kryetarët e KLSH-së, KQZ-së, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata paguhen me 73% të pagës së Presidentit, ose me 187.610 lekë/muaj. Në grupin e tretë futen, pagat e ministrave, Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së dhe Zv.kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që janë sa 68% të pagës së Presidentit, ose 174.760 lekë/muaj.
 
Deputetët e Kuvendit, janë në grupin e katërt të hierarkisë së pagave dhe paguhet sa 61% e pagës së Presidentit, me 156.770 lekë/muaj. Në grupin e pestë, futen të gjithë drejtuesit e autoriteteve, agjencive dhe enteve shtetërore që paguhen me 60% të pagës së Presidentit, ose me 154.200 lekë/muaj.
 
Edhe pse kanë paga jo të vogla, shumica e zyrtarëve të lartë nuk e justifikojnë luksin e madh që konsumojnë në jetën e përditshme, për të cilin do të duheshin të ardhura shumë herë më të mëdha.

http://open.data.al/sq/lajme/lajm/id/1064/Niveli-i-Pages-per-Zyrtare-dhe-Perfaqesues-te-Larte-Shteterore-2014