Kreditimi, kushtet dhe interesat janë sot një çështje mjaft e diskutuar në ekonomi. Flasim për nevojën për kredi për biznesin dhe individin, por ndërkohë kushtet e marrjes së saj behën të vështira nga bankat dhe me interesa të larta. Nga ana tjetër ekziston risku i këtyre të fundit për shkak të kredive të këqija që janë rritur nga viti në vit. Megjithatë ka një tendencë vitet e fundit për të dhënë kredi në monedhën vendase, dhe me interesa më të mira se sa në monedhat e huaja. Po si ka ecur norma e interesit nga viti në vit? Ka një tendencë ulje të saj? E bën më të lehtë marrjen e kredisë në këtë monedhë? Open Data Albania ka bërë një hulumtim të normës mesatare të kredisë të marrë në lekë nga viti 2019 deri në vitin në të cilin jemi. Në vitin 2009, sipas këtij studimi, norma mesatare e kredisë 1-vjeçare në lek ishte 15.71%, dhe në fund të marsit 2015 ishte 8.85%, pra një ulje prej rreth 7%. Në të njëjtën kohë norma e depozitës 1-vjeçare në vitin 2009 në lek ishte 6.75%, ndërsa në fund të marsit 2015 ishte 1.46%, pra një ulje prej 5.3%. Për rrjedhojë “spread-i” kredi-depozita (që përbën edhe faktorin kryesor të fitimit bruto të bankave) është ulur gjatë periudhës, nga 8.96% në 7.39% në monedhën lek.

Çfarë është norma e kredisë?

Norma e kredisë është një tregues i normës mesatare të kredive të dhëna nga bankat e nivelit të dytë për afate 1-vjeçare. Ndërkohë norma e depozitave është një tregues i normës mesatare të depozitave të vendosura në bankat e nivelit të dytë për të njëjtin afat. Diferenca midis normës mesatare të kredive dhe depozitave përbën “spread-in” e normave të interesit. Norma reale e interesit është diferenca midis normës nominale të interesit te bonove te thesarit dhe inflacionit 1-vjeçar. Primi i riskut në huadhënie është diferenca midis normës së kredisë 1-vjeçare dhe normës së bonove të thesarit me afat maturimi të njëjtë.

Si llogaritet norma reale e interesit?

Norma reale e interesit llogaritet si diferenca midis normës së interesit me të cilën merr borxh qeveria (norma e bonove të thesarit), kundrejt normës së inflacionit. Ajo ka ndjekur të njëjtin trend sikurse norma e bonove të thesarit 1-vjeçare, duke qenë se inflacioni ka qenë lehtësisht i luhatshëm, por nën kontroll. Në vitin 2009 norma reale e interesit ishte 5.41%, ndërsa në fund të marsit 2015 ishte 1.42%. Pra për një investitor që blen bono thesari 1-vjeçare, kthimi real është ulur me rreth 4%, ndërkohë që për qeverinë ndodh e kundërta, kosto reale e huamarrjes është ulur me po të njëjtën shumë. Primi i riskut te huadhënies tregon normën shtesë të kthimit që kërkohet nga kredidhënësi (bankat) për të dhënë kredi, kundrejt alternativës tjetër, që është investimi në bono thesari qeveritare (pa risk). Si rrjedhojë mund të përdoret si një indikator i mirë i riskut në një ekonomi (p.sh i riskut të mos shlyerjes së kredive). Ajo llogaritet si diferenca midis normës së kredisë 1-vjeçare dhe normës së bonove të thesarit me afat maturimi të njëjtë.