Në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, që i referohen ligjit për “Buxhetin e Vitit 2015”, numri i punonjësve buxhetorë (në organikën e shtetit) është 88550 persona.
Drejtoresha ekzekutive e iniciativës (projektit), “Open Data Albania”, Aranita Brahaj, shprehet në një interviste për Anadolu Agency (AA) se në këtë numër janë të përfshirë punonjësit në të gjitha funksionet publike buxhetore, përjashtuar këtu mjekët që punojnë në spitalet publike, pasi pagat e tyre mbulohen me fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe nuk janë të mbuluara me fonde të drejtpërdrejta buxhetore.
“Open Data Albania” ka analizuar ndër vite numrin e të punësuarve në sektorin buxhetor, pra ata punonjës që pagat e tyre mbulohen me shpenzimet e buxhetit të shtetit. Brahaj shpjegon për AA, se nëse do të shohim ndër vite, numri i të punësuarve në sektorin buxhetor ka pasur luhatje të ndryshme. Për shembull, sipas saj në vitin 2012 dhe 2013, ku numër ka qenë më i lartë se në vitin 2014. Viti 2014 shënoi një tkurrje të numrit të punonjësve që punonin në sektorin buxhetor, por kjo tkurrje është shtuar në vitin 2015 ku janë 2200 punonjës më shumë të administratës buxhetore më shumë se një vit më parë.
Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2015 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Sipas Brahaj, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 43.3 % të totalit, pastaj vjen Ministria e Brendshme me 16.6 përqind dhe 10.2 % Ministria e Mbrojtjes.
Për nxjerrjen e këtyre të dhënave ka një element metodologjie. Së pari qeveria shqiptare bën planifikimin e buxhetit çdo vit. Në ligjin për buxhetin e shtetit janë të përfshira tabela të ndryshme dhe karakteristika të ndryshme. Një prej këtyre karakteristikave është edhe numri i të punësuarve sipas sektorëve dhe funksioneve.