Qeveria shqiptare është në fazën e përgatititjes së raporteve të prezantimit të Shqipërisë para investitorëve ndërkombëtare për emetimin e eurobondit prej 300 milionë euro afati i maturitmit të së cilës përfundon në nëntor të këtij viti.

Sipas burimeve nga ministria e Financave, pas hartimit të raporteve e përgatitjes së dokumentacionit ligjor, dy bankat e përzgjedhura, Deutsche Bank dhe JP Morgan Chase, si bashkeudhëheqëse kryesorë (Joint Lead Managers) për të drejtuar procesin e emetimit të eurobondit, do të ftojnë investitorët ndërkombëtarë për të dhënë ofertat në bazë të normës të interesit më të mirë. Përzgjedhja e “Deutsche Bank” dhe “J.P.Morgan”, si udhëheqëse në rinovimin e eurobondit, thanë burimet, rrit garancitë për sukses.

Burimet pohojnë se në rast ofertash të favorshme do të konsiderohet edhe zgjerimi i shumës së eurobondit mbi 300 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, bënë të ditur burimet, shuma shtesë do të përdoret për të zëvendësuar një pjesë të borxhit publik afatshkurtër, duke rritur maturitetin çka do të çonte edhe në përmirësimin e qëndrueshmërisë se borxhit publik. Qeveria beson se, përmes rinovimit do të kursejë parà për buxhetin. Borxhi, që 5 vjet më parë u mor me interes 7.5 për qind, do të zëvendësohet me një borxh me interesa dukshëm më të ulëta.

Republika e Shqipërisë emetoi eurobond-in e saj të parë në tregjet ndërkombëtare financiare më 4 nëntor 2010. Obligacioni maturohet në datë 9 nëntor 2015. Ai është emetuar në monedhën euro dhe shuma e emetuar është 300 milion.

Për emetuesin e eurobondit, në këtë rast per qeverine shqiptare është më mirë që interesi yield-i të jetë më i ulët, pasi kjo ul koston potenciale të rifinancimit në rast se emetuesi dëshiron të futet në treg për të riemetuar borxh. Konkretisht, kjo pritet të ndodhe në nëntor të 2015. (Yield është interesi i kuotuar në treg i cili ndryshon në varësi të kushteve të tregut dhe përcaktohet nga kërkesa dhe oferta e tregut. Yield është një formë vlerësimi dhe nuk lidhet aspak me normën e detyrueshme e cila është e përcaktuar në masën 7.625% në vit përgjatë gjithë periudhës së maturimit).

Open Data Albania, qe ka hulumtuar mbi vlerat e yield-it shqiptar, ben te ditur se vihet re se yield-i është rritur në mënyrë të ndjeshme në periudhën shtator-dhjetor 2011, gjatë pikut të krizës qeveritare në Eurozonë dhe uljes së kërkesës për borxhin e qeverive më pak të sigurta ulët (si Shqipëria). Norma e interesit gjatë kësaj periudhe arriti maksimumin prej 11.975%. Në këtë moment nëse qeveria shqiptare do të dëshironte të rifinanconte borxh në euro në tregjet ndërkombëtare, kuponi do ishte rreth 12%. Qe nga ajo periudhe, yield-i ka rënë duke arritur normën më të ulët (2.11%) gjatë prillit të vitit 2015.

Në artikullin e publikuar nga Open Data Albania analizohet se ulja nuk ka ardhur për arsye të përmirësimit të kushteve të ekonomisë shqiptare, por për shkak të optimizmit të përgjithshëm në treg për borxhin qeveritar të periferisë së Eurozonës, pas ndërhyrjes së Bankës Qëndrore Europiane. Kjo ka përmirësuar performancën e Eurobondit shqiptar dhe aktualisht, qeveria shqiptare në një rifinancim të ardhshëm të borxhit do kishte një kosto më të ulët riemetimi, krahasuar me emetimin fillestar. Natyrisht edhe afrimi i datës së maturimit ul yield-in e obligacionit.

Pak muaj më parë, qeveria mori 250 milionë euro borxh në tregjet e huaja, por 200 prej tyre ishin të garantuara nga Banka Botërore. Megjithatë, kjo shumë, së bashku me atë që do të kontraktohet përmes eurobondit, janë brenda tavaneve të defiçitit dhe borxhit të programuar në buxhet.