Pasuritë e dy ish-kryeprokurorëve dhe kreut aktual, i cili ka të ardhura pagat dhe 1 milion lekë nga qiraja e banesës 
Dy ish-kryeprokurorët, Theodhori Sollaku dhe Ina Rama, vazhdojnë të shlyejnë kreditë prej qindra mijëra eurosh. Sollaku ka marrë dy kredi, nga 200 mijë euro secila, ndërsa të ardhurat i janë shtuar ndjeshëm në momentin që ka filluar të punojë si avokat. Ndërkohë, Ina Rama është e papunë, ndërsa ka marrë dy kredi për apartamente me vlerë totale 216 500 euro. Nga ana tjetër, kreu aktual, Adriatik Llalla, vazhdon të gëzojë pronat e tij para se të bëhej kryeprokuror, ndërsa të ardhura ka pagën e tij dhe të bashkëshortes si mjeke. Pasuritë e kryeprokurorëve janë zbardhur nga portali “Open Data”.
 Theodhori Sollaku
Pasoi në detyrë Arben Rakipin, ndërsa u largua në fund të vitit 2007, pas nisjes së një komisioni hetimor ndaj tij dhe bashkëshortes, gjyqtare. Njihet si një nga kryeprokurorët më të pasur, madje edhe para se ta marrte atë detyrë. Në deklarimin e parë, atë të vitit 2004, ai deklaroi se është bashkortak i një apartamenti 3+1, i një apartamenti 2+1, i një trualli banesë 540 metra katrorë, i një toke are 600 metra katrorë, i 500 metra katrorë tokë pyll. Ka pasur depozita me rreth 30 mijë USD, ndërsa ka pasur kredi 25 mijë USD. Apartamentin 3+1 e ka blerë 60 mijë USD, një pjesë me kredi dhe pjesën tjetër nga shitja e pronave të familjes. Në 2005-n, të ardhura kanë pagat, Zegjine Sollaku si gjyqtare dhe Theodhori Sollaku si kryeprokuror. Në këtë vit kanë shitur apartamentin në Fier dhe Tiranë, kanë blerë dy apartamente të tjera, si dhe garazh. Në 2006-n, kanë të ardhura vetëm pagat, ashtu si edhe në 2007-n. Vazhdojnë të shlyejnë kredinë. Në 2008-n kanë deklaruar pagat, ku Sollaku i ka pasur të pjesshme, ndërsa në këtë vit, ka filluar të punojë edhe si avokat. Në vitin e parë si avokat ka deklaruar 4.1 milionë lekë të ardhura, ndërsa ka pasur të ardhura edhe 2.4 milionë lekë si pedagog. Ka blerë makinë me 30 mijë euro. Po në këtë vit ka paguar 30 mijë euro si këst ndaj firmës ndërtuese për një apartament banimi të blerë më parë, ndërsa ka blerë edhe një makinë tjetër. Në 2009-n ka deklaruar si pagë 1.2 milionë lekë, si pedagog 3 milionë lekë, ndërsa si avokat 7.7 milionë lekë në vit. Zegjine Sollaku ka blerë një veturë 30 mijë euro, Theodhori Sollaku bleu një makinë 42 mijë euro, ndërsa familja ka shtuar edhe një apartament. Në vitin 2010, Theodhori Sollaku ka deklaruar pagesën kalimtare 1.2 milionë lekë, 17 300 euro si pedagog dhe 7.8 milionë lekë si avokat. Në këtë vit, ka si detyrime të papaguara në vlerën 198 152 euro për një kredi për blerje apartamenti banimi me principal 200 000 euro, afat shlyerjeje 25 vjet dhe këst mujor 1104 euro. Në 2011-n, ish-kreu i akuzës ka deklaruar si shpërblime si pedagog i jashtëm në vlerën 3 000 000 lekë, 3.7 milionë si avokat. Vazhdon të shlyejë kredinë 200 mijë euroshe. Në 2012-n, Sollaku ka deklaruar rreth 17 milionë lekë të ardhura nga avokatia. Në 2013-n, Theodhori Sollaku ka si fitime nga avokatia 17 500 000 lekë, vajza ka filluar punë pranë KLSH-së, me pagë në vlerën 670 000 lekë. Ka paguar kredinë e vitit 2002, ndërsa ka detyrime të papaguara në vlerën 174 000 euro për një kredi për blerje apartamenti banimi me principal 200 000 euro, afat shlyerjeje 25 vjet dhe këst mujor 1 104 euro. Ka edhe detyrime të papaguara në vlerën 188 100 euro për një kredi bankare marrë në vitin 2013 me principal 193 000 euro dhe interes 6%.

Ina Rama
Ish-kryeprokurorja Ina Rama e ka marrë detyrën në fund të vitit 2012, pas shkarkimit të Theodhori Sollakut. Ajo ka qenë gjyqtare në Apelin e Krimeve të Rënda në Tiranë, ndërsa më parë kishte punuar edhe në Lushnjë. Emri i saj u bë publik në disa zgjedhje në Shqipëri, ku ka qenë edhe anëtare e Kolegjit Zgjedhor, teksa Rama erdhi si një propozim i ish-presidentit Bamir Topi. Ajo qëndroi në detyrë deri në fund të vitit 2012, kur edhe u shkarkua nga ish-mazhoranca, e cila ndryshoi ligjin për prokurorinë dhe i ndërpreu menjëherë mandatin. Sipas deklaratës me numër 01505 të vitit 2014, Ina Rama dhe bashkëshorti i saj, kanë deklaruar se u është shtuar pasuria. Mësohet se gjatë kohës që ka qenë në detyrë, familjes i është shtuar pasuria me një apartament të blerë në vlerën 161 200 euro. Ndërkohë, po gjatë kohës që ka qenë në detyrë, familjes i është shtuar edhe një apartament me sipërfaqe 68 m², me vlerë 55 300 euro. Mësohet se kjo pronë është në bllokim hipotekor për tri vite, sipas kontratës për likuidim vlere. Ajo ka pasur si kursime 1 700 000 lekë, gjendjen e likuideteve shtuar me 12 000 euro. Pasuria e paluajtshme i është pakësuar me 11 200 euro. Ka një kredi banke të nivelit të dytë me 25 000 USD me afat 15 vjet, detyrimi financiar i pashlyer, 12 525 dollarë. Ka një tjetër kredi bankare në një bankë të nivelit të dytë, 150 000 euro për 25 vjet, detyrimi financiar i pashlyer 131 500 euro. Ka deklaratat e saj të pasurisë, Ina Rama ka thënë se ka marrë një shpërblim pas largimit nga funksioni me vlerë 566 223 lekë. Ka deklaruar 72 mijë lekë të ardhura nga Shkolla e Magjistraturës.

Adriatik Llalla
Kreu aktual i akuzës qendrore erdhi në këtë post si një propozim i ish-mazhorancës. Ai u votua në Parlament nga të djathtët, ndërsa të majtët abstenuan, megjithëse Tom Doshi, që është sot nën akuzë, e ka votuar. Ashtu si edhe dy paraardhësit, edhe Llalla mund të ketë të njëjtin fat si ata, ndërprerjen e mandatit. Në vitin 2012, Llalla ka deklaruar pagën tek ILDKP-ja dhe pagën e bashkëshortes si mjeke tek Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Sipas deklarimeve të pasurisë, Llalla në vitin 2013 ka deklaruar vetëm të ardhurat nga paga e tij, prej 2 milionë lekësh si kreu i akuzës qendrore dhe pagën e bashkëshortes, si mjeke në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Madje, në këtë vit, bashkëshortja e tij ka marrë edhe një overdraft. Në vitin 2014, ka deklaruar pagën 1 973 900 lekë. Ka edhe të ardhura nga dhënia me qira e një pjese të banesës, 1 000 000 lekë. Paga e bashkëshortes i ka shkuar në 813 059 lekë. Ka një llogari rrjedhëse 1 007 072 lekë, shtuar me 51 375 lekë. Bashkëshortja, gjendja e llogarisë rrjedhëse në një bankë të nivelit të dytë, shtuar me 224 274 lekë. Ka kesh 1 500 000 lekë.