Ky artikull paraqet një analizë të buxhetit faktik për vitin 2021 të konsoliduar sipas natyrës funksionale, si dhe ecurinë ndër vite të shpenzimeve buxhetore sipas funksioneve. Të dhënat për 2021 janë marrë nga tabelat shoqëruese Ligji nr. 74 / 2022, Për miratimin e Buxhetit Faktik 2021.

Sipas treguesve fiskal të konsoliduar rezulton se shpenzimet gjithsej në ligjin e buxhetit 2021 janë planifikuar 628.3 miliardë Lekë dhe janë realizuar 596 miliardë Lekë ose në masën 94.8%, me një mos realizim prej 32.3 miliardë lekë.

Sektori me peshën më të lartë në shpenzimet buxhetore është Mbrojtja Sociale, me 30% të shpenzimeve publike në vitin 2021, ku mbulohen programe si fondi i pensioneve, mbështetja e familjeve dhe individëve në nevojë.

Shëndetësia dhe Arsimi përbëjnë respektivisht 11% dhe 10% të shpenzimeve publike.

Planifikimi dhe realizimi (fakti) i shpenzimeve buxhetore sipas funksioneve kanë ndryshime të konsiderueshme, pasi kategoria Shpenzime të tjera të paklasifikuara, ku përfshihen shpenzimet e pushtetit vendor, pagesat e borxhit, fondet rezervë dhe fondi i rindërtimit, rishpërndahet midis funksioneve gjatë vitit.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



* Ne zërin “Shpenzime te tjera te paklasifikuara” janë përfshirë: (i) pagesat për shërbimin e borxhit, (ii) kontigjenca për politika pagash dhe pensionesh, (iii) fondi rezerve, (iv) shpenzimet e pushtetit vendor dhe (v) fondi i rindërtimit.
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për vitin 2021, kategoria Shërbime të përgjithshme publike në planifikim përbënte 6% të shpenzimeve, ndërsa në realizim 15% të shpenzimeve buxhetore të konsoliduara. Funksionet Çështjet ekonomike dhe Strehimi komoditetet e komunitetit zënë respektivisht  12% të totalit të shpenzimeve të realizuara në buxhetin e konsoliduar, pavarësisht se në buxhetin fillestar zinin 8% dhe 5% të shpenzimeve të planifikuara. Ndryshimin më të lartë për vitin 2021 e ka funksioni Mbrojtja e Mjedisit, me një realizim 440% kundrejt planit fillestar. Funksione të tjera që kanë shmangie të konsiderueshme mbi planin janë Shërbimet e Përgjithshme Publike me 262% realizim ndaj planit, ku përfshihen pagesat e borxhit, si dhe Strehimi – Komoditetet e Komunitetit me 206% realizim ndaj planit, ku përfshihen fondet e rindërtimit. Funksioni me realizim më ulët në 2021 është “Mbrojtja” me 92% kundrejt planit.

Funksionet me realizim të korrektuar mbi planin fillestar janë: Çështjet Ekonomike 118%; Strehimi dhe Komoditetet e Komunitetit 117%, Shërbimet e Përgjithshme publike dhe Argëtimi, Kultura 115%. Ndërsa funksionet me realizim të korrektuar më të ulët se plani fillestar janë: Mbrojtja 92%, Arsimi 94% dhe Shëndetësia, Rendi dhe Siguria e Mbrojtja e Mjedisit 96%. Funksioni Mbrojtja Sociale ka një realizim të ngjashëm me planin 101%.  



** Vlerësim i përafërt: Fakti i korrigjuar për interesat e borxhit, kontigjence për politika pagash dhe pensionesh, fondin rezerve, shpenzimet e pushtetit vendor dhe fondin e rindërtimit.
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një arsye për ndryshimin midis planit dhe faktit të korrektuar është edhe rishpërndarja e fondeve gjatë vitit, nëpërmjet ndryshimit të buxhetit të shtetit. Gjatë vitit 2021 janë miratuar 6 Akte Normative për ndryshimin e buxhetit fillestar, nga muaji shkurt deri në dhjetor pak para mbylljes së vitit buxhetor.



Burimi:
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Akt Normativ nr. 6 datë 05.02.2021, lidhej me financimin e projektit për Identifikimi elektronik të zgjedhësve, në zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021. Ndryshimet e propozuara rritën të ardhurat dhe shpenzimet, por nuk ndikuan në deficitin dhe borxhin publik për vitin 2021.

Akti Normativ nr. 8 datë 22.03.2021, lidhej me financimin e projektit për sigurimin e vaksinave për përballimin e situatës pandemike. Ndryshimet e propozuara bënë një rialokim të shpenzimeve, por pa ndryshuar të ardhurat dhe shpenzimet në total për vitin 2021.

Akt Normativ nr. 18 datë 12.4.2021, lidhej përsëri me financimin e projektit për sigurimin e vaksinave për përballimin e situatës pandemike. Ndryshimet e propozuara rritën të ardhurat dhe shpenzimet, por nuk ndikuan në deficitin dhe borxhin publik për vitin 2021.

Akt Normativ nr. 26 datë 22.6.2021, lidhej me financimin e disa politikave prioritare, ku kryesore ishte garantimi i fushatës së vaksinimit anti-Covid. Ndryshimet e propozuara nuk rritën të ardhurat dhe borxhin publik, por ndikuan në rritjen e shpenzimeve publike dhe deficiti buxhetor për vitin 2021.

Akt Normativ nr. 27 datë 27.10.2021, lidhej me akordimin e mbështetjes financiare për OSSHE dhe rritjen e kufirit të huamarrjes neto vjetore, për vlerën e Eurobondit në tregjet ndërkombëtare mbi vlerën e parashikuar ne buxhet. Ndryshimet e propozuara ndikuan një rritje të borxhit publik me 38.9 miliardë lekë, por pa ndryshuar nivelin e të ardhurave dhe shpenzimeve publike për vitin 2021.

Akt Normativ nr. 34 datë 03.12.2021, lidhej me financimin e shpërblimit të fundvitit të pensionistëve, rritjen e fondit të rindërtimit, si dhe reflektimin e rritjes së të ardhurave tatimore. Ndryshimet e propozuara rritën të ardhurat dhe shpenzimet, por nuk ndikuan në deficitin dhe borxhin publik për vitin 2021.

Ecuria e shpenzimeve faktike sipas funksioneve për periudhën 2016-2023. Shmangia midis planifikimit dhe realizimit faktik të shpenzimeve funksionale ndikon në saktësinë e përllogaritjes së treguesve të shpenzimeve ndaj PBB-së. Shpenzimet e mbrojtjes sociale janë rritur në vlerë, por si tregues ndaj PBB-së nuk ka patur përmirësim në periudhën 2016-2022 (përveç periudhës së pandemisë). Shpenzimet faktike për mbrojtjen sociale raportohen 9% e PBB-së në 2022, krahasuar me 9.5% të PBB-së në 2016.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Buxheti 2023 ndryshon dukshëm nga ecuria e shpenzimeve faktike sipas funksioneve ndër vite, për shkak të planifikimit të kategorisë shpenzime të tjera të paklasifikuara”, pasi 25% e shpenzimeve publike nuk paraqiten në buxhet të shpërndara sipas funksioneve. Raportimi i saktë i shpenzimeve sipas funksioneve bëhet vetëm në vitin pasardhës, pjesë e miratimit të buxhetit vjetor faktik.

Shkarko excel: Konsolidimi i Buxhetit Faktik sipas Funksioneve viti 2021
Komente dhe Analiza : Open Data Albania