Portali Open Data Albania ka analizuar të gjitha procedurat tenderuese me fonde publike përgjatë viteve 2020 dhe 2021, vëllimin e tyre dhe identifikimin e fondit limit, të kontraktuar pa garë të hapur. Ajo çka u konstatua në analizë është se, viti 2020 dhe semestri që paraprin fushatën zgjedhore 2021 ka në tërësi vlerë monetare të prokuruar 150% më lartë se vitet e zakonshme. Kjo dëshmon për një mbipërqendrim fondesh për tenderim në prag të periudhës zgjedhore. Kjo vlerë mbetet e lartë, edhe pa llogaritur fondin special të Programit të Rindërtimit pas tërmetit. Në vigjilje të fushatës (semestri 2020) përqindja e fondit limit të kontraktuar me Procedurë të Limituar, apo Negocim pa shpallje(tender pa garë të hapur) shënoi 28% të totalit të Fondit, ndërsa viti pasardhës shënon më pak 13.1%.