Ka nisur si projekt i shoqërisë civile dhe është shndërruar në burim të parë informacioni. Open Data Albania dhe procesi i një pune që nis në zyrat e shtetit dhe përfundon në përqindje dhe grafikë që mund të kuptohen nga të gjithë.

Në vitin 2011 për mbrojtjen sociale dhe sigurimet shoqërore, qeveria shqiptare ka shpenzuar plot 105.7 miliardë lekë, ose 25.84 për qind të gjithë buxhetit të shtetit. Ministria emërmadhe e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta përgjatë këtij viti që do të përcjellim pas një muaji ka pasur portofolin më të madh krahasuar me ministritë e tjera të shtetit shqiptar. Ajo administron rreth 19 për qind të buxhetit. Transporti ka thithur 48.8 miliardë lekë ose 11.85 % të vlerës së përgjithshme të buxhetit. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka një diferencë fare të vogël, prej 0.7%, të buxhetit krahasuar me MPÇSSHB. 

Kosto e borxhit ose shuma e interesave të paguara për borxhin e brendshëm apo të jashtëm të marrë nga shteti shqiptar, për vitin 2011 është parashikuar të jetë 47.8 miliardë lekë. Çka do të thotë se shqiptarët po paguajnë më shumë për interesa se sa për investime në rrugë apo sistemin arsimor e shëndetësor. Ky zë thith 11.7 për qind të shpenzimeve totale, përqindje që ka ardhur në rritje të vazhdueshme prej vitit 2007 me të paktën 5 miliardë lekë çdo vit. 

Arsimi dhe shëndetësia vazhdojnë të qëndrojnë konstante përkatësisht me rreth 10% dhe 8-9% të buxhetit, ndërkohë që mbrojtja është në nivelin 5.2 %. Bujqësia, edhe pse prioritet, nuk ka pasur më shumë se 2 për qind të buxhetit të shtetit në arkën e saj këtë vit, ndërsa zëri “kulturë” (ku përfshihet edhe turizmi) pas ndarjes së parave të qeverisë në fillimvit ka përfituar vetëm 3.4 miliardë lekë ose 0.83 për qind të buxhetit. 

Edhe më i thekuri i seancave parlamentare, sidomos në kohën e miratimit të buxhetit të shtetit nga Parlamenti shqiptar, vështirë t’i ketë të qarta kësisoj ato çka fliten nga foltorja e Kuvendit. Më shumë se për shifrat apo sqarimin e ndarjes së parave të mbledhura nga taksat e shqiptarëve dhe tatimet, të tilla seanca shndërrohen në hidh-e-prit batuta ndër deputetë të krahëve të kundërt politikë, për të mos përmendur atë që gojët e liga thonë: Secili mundohet të mbrojë ministrinë apo ministrin që njeh, nëpërmjet të cilit mund të sigurojë ndonjë projekt për vitin në vazhdim. Thënë më shkoqur detaje të tilla të buxhetit, apo përqindje të tilla të detajuara për çdo lloj fenomeni apo dikasteri shqiptar, zor se mund të gjenden me një të trokitur në ndonjë nga institucionet shtetërore. Përfshirë edhe ato që e kanë për detyrë të japin zyrtarisht të tilla. 

Mirëpo si sot një vit të shkuar, në kohën kur rruga e quajtur e Kombit ishte shndërruar në mollë sherri mes pozitës dhe opozitës dhe kur shumëkush bënte be e rrufe se për të në përgjithësi dhe aksin e famshëm Rrëshen-Kalimash në veçanti ishin harxhuar miliarda, (pa e ditur saktë se sa), një dritë informative u pa në fund të tunelit. Open Data, një institucion për të cilin dihej vetëm që nuk ishte i krijuar nga qeveria dhe nuk mbahej me paratë e saj, zbardhi vlerat monetare të cilat u përthithen qysh të nesërmen nga mediat, vizive dhe të shkruara: Për ata që nuk e dinin projekti i rrugës Durrës-Kukës kishte nisur qysh në vitin 2006 dhe kulmi i investimeve ishte shënuar në vitet 2008 dhe 2009, kohë kur rruga u hap; në 2008 rruga thithi 40 për qind të investimeve totale të pushtetit qendror dhe një vit më vonë 33.6 %. Për shkak të avarive në tunelin e aksit Rrëshen-Kalimash, fonde të tjera prej 11 miliardë lekësh u akorduan edhe në vitin 2010. E përkthyer në shifra, për harkun kohor 2006-2010, në totalin prej 200.082 milionë lekë të investimeve për rrugë nacionale të miratuar nga qeveria, 98.766 milionë lekë kanë shkuar për rrugën Rrëshen-Kalimash. 

Open Data e nisi kështu startin e vet dhe që nga ajo kohë numëron më shumë se 150 artikuj të publikuar on line (open.data.al) dhe që shpesh shndërrohen në tituj të mëdhenj të të përditshmeve shqiptare. Gjenden të dhëna që kanë të bëjnë me financat publike, tregjet bankare, demografinë, arsimin, shëndetësinë, mjedisin, teknologjinë, sigurinë e deri tek tema si raportet gjinore apo kriminologjia. Thënë më saktë, institucioni që në terma të saktë, sipas drejtuesve të tij, është “projekt i shoqërisë civile” po mbush vitin që kur i ka ofruar medias dhe kujtëdo të interesuari për të marrë vesh qartë dhe thjeshtë atë çka ndodh në Shqipëri. Një projekt që është shndërruar në të njëjtën kohë në një alternativë të saktë informacioni, sidomos kur institucione që ekzistojnë pikërisht për këtë arsye kanë mangësi në të dhëna, ose raportojnë zyrtarisht vetëm ato që mund të jetë interesante për momentin. Sa për Open Data, praktikisht bën të njëjtën gjë që duhet të bëjë, fjala vjen, INSTAT-i. Mbledh të dhënat, aty ku mund të gjenden – Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë apo institucion tjetër në varësi të temës për të cilën do të flitet – i përpunon nga analistët e saj dhe i publikon në faqen e vet zyrtare. Kështu prej të paktën një viti janë zbardhur dhe publikuar artikuj që ofrojnë dhëna të detajuara (zyrtare) për çështje që nisin që nga univesitet e deri tel nivelet e varfërisë apo papunësisë. Open Data Albania nuk është OJF dhe as mbështetet me fonde nga BE. Ka të ngjashmet e saj në botë, kryesisht në SHBA dhe Britani dhe formula e funksionimit është e thjeshtë: mbledhin dhe përkthejnë shifrat zyrtare të dala nga qeveria. Themeluesit e saj janë dy të rinj, që në mos për nga emri, për ata që kanë qenë të apasionuar pas internetit qysh herët mund ti njohin nga i pari web-portal në gjuhën shqipe i krijuar nga njëri prej tyre, Armand Brahaj: shqipëria.com dhe Albforumi. 

“Të dhënat e hapura (open data) janë të dhëna që kanë akses të lirë lehtësisht të ripërdorshme, në ripërdorim nuk duhet të ketë kufizim se kush dhe për çfarë i përdor”, përsërit fjalët e një prej themeluesve, drejtoresha e këtij projekti Aranita Brahaj. Në krye të herës projekti mban emrin e Armand Brahajt dhe Julia Hoxhës, dy të rinj shqiptarë ekspertë IT (ekspertë të informatikës), të cilët ndërsa kryenin kërkime për PhD në Informating Engineering në dy institute shkencore të njohur në Gjermani, projektonin idenë më më të re për vendin e tyre. “Për të finalizuar këtë ide dy ideuesit krijuan një grup pune duke ftuar për bashkëpunim një analist ekonomik dhe ekspert të medias. Ky është momenti që pjesë e ekipit Open Data Albania bëhet edhe Blerta Zilja, njohëse e financës publike dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës”, shton Aranita, e specializuar në të drejtë publike dhe shkenca komunikimi, ish gazetare, e cila është anëtarja e katërt e këtij ekipi. 

Të paorganizuar ende në formën e një OJF-je, por me një projekt të konceptuar qartë dhe me CV ekselence në tre profile profesionale, themeluesit e ODA si fillim ia dolën të siguronin mbështetjen financiare për të realizuar Open Data Albania si projekt i shoqërisë civile. I pari që iu besoi ishte Departamenti i Informatizimit i Open Society Foundations (i njohur dikur si fondacioni Soros), me qendër në Hungari. Projekti do të mbështetej si fillim vetëm për gjashtë muaj dhe puna nisi zyrtarisht më 15 dhjetor të vitit të kaluar. Lajmi i parë i publikuar qëlloi të ishte më shumë se i suksesshëm në tregun mediatik: bëhej fjalë për rrugën Rrëshen-Kalimash. 

“Domosdoshmëria për Open Data apo të dhëna të hapura u konstatua në publikimin e parë në web në shkurt të 2011-ës. Ky publikim brenda njëzet e katër orëve u citua në një nga edicionet më të ndjekura informative, ndërsa pesë gazetat më me tirazh në Tiranë u hapën me tituj ku hulumtimi i ODA-s citohej në faqe të parë”, thotë Aranita. “Një fillim i mbarë dhe një tregues se publiku dhe shoqëria kishin nevojë për transparencë dhe analizë sipas Open Data Albania. Duhet thënë se Shqipëria është vendi i parë në rajon e një ndër vendet e pakta në Evropë ku praktikohet Open Data”. 
Në fakt “Open Data” është një filozofi dhe metodologji që përdoret në shumë vende me demokraci dhe nivel transparence të konsoliduar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe apo shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian aplikojnë modele dhe projekte të Open Data dhe Open Knowledge. Shumë projekte janë iniciativa të shoqërisë civile si në rastin e Shqipërisë, të tjera janë procese të qeverive apo organizmave qendrorë (SHBA). 

Ndërkaq përgjatë këtij viti ODA është prezantuar dhe ka konkuruar suksesshëm në disa evente ndërkombëtare me të ngjashmet e saj në fushat Open Data, Data Gov apo Open Knowledge. “Stafi IT pranë ODA kanë realizuar një prezantim shkencorë me titull “Open Data Albania – Rritje e Përdorimit të të Dhënave Qeveritare në Shqipëri, me autorë tre kërkues shkencorë në institute evropiane prestigjioze – Julia Hoxha, Denny Vrandeçiç dhe Armand Brahaj. Ky punim është prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare të Sistemeve Semantike në 7-9 shtator në Grac të Austrisë”, shton Aranita. “Në përfundim prezantimi shkencor i Open Data Albania u nominua për çmim duke konkurruar kështu me sukses krah projekteve të rëndësishme dhe gjigandëve të Data.Gov dhe Open Data“. 

Aktualisht ekipi i ODA-s, profesionistë të moshave 25-35 vjeçarë, ka krijuar Institutin Shqiptar të Shkencave. “Brenda pak muajve jetë ODA u shndërrua në një metodologji dhe burim informimi për publikun, stafet akademike, profesionistët apo aktivistët e ndryshëm në vend”, shton ajo. Me të drejtë përderisa produkti i këtij projekti është lehtësisht i kuptueshëm dhe mbi të gjitha me informacione të plota dhe të analizuara ndër vite, siç jo shpesh mund të gjenden nëpër institucione. Burimet e ODA-s janë absolutisht zyrtare, të marra në institute kërkimore apo ministri, për t’u zgjeruar më tej me të dhëna të Bankës Qendrore, Bankës Evropiane apo Bankës Botërore. Hulumtimi mund të shkojë edhe në vendet fqinjë apo tek të dhënat statistikore të organizmave të rëndësishëm si FMN, EUROSTAT, OBSH, Kombet e Bashkuara e të tjerë organizma që në fokusin e studimeve kanë edhe Shqipërinë. “Hulumtimi i tyre duhej bërë me shumë kujdes dhe suksesi i ODA qëndron tek aftësia për të analizuar, përzgjedhur dhe grumbulluar të dhëna që kryesisht janë zyrtare”, thotë drejtoresha e projektit. “Administratës shtetërore nuk i mungojnë të dhënat por ato duhen gjetur të plota dhe kërkuar me shumë profesionalizëm nga një institucion tek tjetri. E ndërsa Shqipëria është në proces për integrim në familjen e Bashkimit Evropian artikujt kanë në fokus edhe përqasjen me standarde evropiane ku me kujdes janë hulumtuar edhe tregues të pasqyruar nga EUROSTAT apo Banka Evropiane”. 

Sigurisht mbledhja e të dhënave është veçse fillimi i një procesi që kalon nëpër duart e analistëve, kryesisht ekspertë të ekonomisë, të cilët i përpunojnë këto të dhëna që më pas përcillen on line jo vetëm në faqen zyrtare të ODA-s por edhe në rrjetet sociale që mundësojnë zgjerimin e kontakteve. Si përfundim impakti i mirë në publikun shqiptar, por edhe prezantimet e suksesshme në konferencat ndërkombëtare ia siguruan ODA-s jetën e gjatë. Pas mbështjetjes së parë financiare, themeluesit e saj siguruan edhe dy të tjera dhe siç tregon drejtoresha e këtij projekti, Open Data Albania shumë shpejt do të funksionojë paralelisht në gjuhën shqipe dhe angleze.”Por të flasësh shqip është një frazeologji”, thotë Aranita. “Ti bëjmë gjërat të kuptueshme, të hapura, transparente. Ky është qëllimi. T’u japim mundësi qytetarëve të kuptojnë çfarë po ndodh me paratë e tyre, si janë ritmet e progresit apo regresit të një fushe të caktuar. Si është trendi i një fenomeni, qoftë ky edhe një fenomen natyral. T’i edukojmë shqiptarët të kërkojnë nga politikëbërësi pasi të informohen me atë çka ndodh ndër vite. Dhe gjithashtu të bëjmë politikëbërjen të jetë më e hapur përmes statistikës mbi tregues që lidhen me qeverisjen dhe menaxhimin e shtetit”. 

Këtë të fundit Open Data Albania po e bën prej një viti me publikim të dhënash dhe statistikash nga sektorë të ndryshëm. Impakti është ndjerë: Mediat nuk e kanë humbur rastin. Mbetet vetëm pjesa e edukimit të shqiptarëve, të cilët më së shumti të apasionuar pas seancave të stërzgjatura parlamentare ku flitet për ligje dhe premtime për një jetë më të mirë, kanë mundësi ta kuptojnë atë që nëpër foltoret politike thuhet me terma shpesh të pakuptueshëm për askënd dhe të dinë ç’të kërkojnë.