Me nivelin e borxhit publik të lartë dhe presioneve të financimit, shumica e vendeve në rajon duhet të adoptojnë programe të gjera konsolidimi fiskal, për të ndryshuar dinamikën negative të borxhit dhe për të shmangur problemin e financimit në të ardhmen

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, por është e vërtetë: Për herë të parë në 15 vitet e fundit institucioni i Bretton Woods emeton një raport për ekonominë e vendeve të Europës Juglindore, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë: Lajm i mirë dhe lajm i keq! Ishte i dyti raport i këtij institucioni pas atij të publikuar në 15 nëntor të vitit të kaluar

Ekspertët nuk kanë hezituar ta bëjnë të plotë autopsinë ekonomike të 6 vendeve të rajonit. Lajmi kaloi përciptazi dhe mediat shqiptare nuk patën rastin të qëndrojnë për një analizë më të plotë. Ditën që u publikua raporti, kryeministri i Shqipërisë shtroi një darkë në Pallatin e Brigadave për një grup investitorësh të huaj. Ishte dhe ministri i Financave në këtë darkë. Për ata që ishin të vëmendshëm, duhet të kenë parë që kreu i financave as që ishte i vëmendshëm në darkën zyrtare. Gjatë gjithë kohës ai qëndroi pothuajse larg ceremonisë, duke biseduar vetëm me një person, larg kurreshtjes së të tjerëve: me drejtoren e Zyrës së BB në  Tiranë.
 
Çfarë ka ndodhur Brenda 365 ditëve me ekonominë shqiptare?

Raporti  i 5 qershorit është deciziv: ”Pas një rritjeje prej 2.2 përqind në vitin 2011, shenjat e para tregojnë që gjashtë vendet e Evropës Juglindore (EJL6) (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1 përqind rritje për 2012, thotë Željko Bogetic, ekonomisti kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore dhe autor i numrit të dytë të serisë së raportit gjashtëmujor mbi zhvillimet ekonomike në EJL.

Një vit më parë, në raportin nr 1 të vendeve të EJL thuhej shprehimisht: “Parashikimet tona për rritjen ekonomike për vendet e EJL6 janë 2.5 përqind në vitin 2011 dhe 2.1 përqind në vitin 2012, që do të thotë shumë më të ulëta sesa ato përpara vitit 2008 me 6-10 përqind”. No Comment!

Po Shqipëria?

Përfshihet në lajmin e mirë: sektori financiar është ende relativisht në një pozicion të mirë, nivelet e kredive me problem, edhe pse të larta shoqërohen me likuiditet të mjaftueshëm në banka.
Përfshihet edhe në lajmin e keq: Rritja ekonomike nuk është shoqëruar me punësim. Papunësia dhe norma e lartë e varfërisë nuk e largon Shqipërinë nga 5 vendet e tjera të Europës Juglindore (EJL) që janë më të lartat në Europë. Shqipëria nuk ka anketë të Fuqisë Punëtore,  shifra zyrtare për papunësinë pas vitit 2009, sipas raportit, por analistët thonë se 1 në tetë njerëz të aftë për punë është i papunë, edhe pse në 10 vjecarin e fundit papunësia është në rënie (Grafik Nr 1: Burimi Open data Albania)

 Bazuar në shkallën e papunësisë, Shqipëria renditet e pesta në rajon pas Maqedonisë (33%), Bosnje Hercegovinës (24%), Serbisë (17.4%) dhe Turqisë (14%). Ndërkohë pas Shqipërisë (13%) renditen: Mali i Zi (11%), Greqia (9.4%) dhe Kroacia (9.2%). (Grafik Nr 2:)

Në këto të dhëna shqiptare duhet veçuar edhe paradoksi tërësisht shqiptar lidhur me elasticitetin e vlerësuar të papunësisë. Sipas raportit Shqipëria ka ulje të rritjes ekonomike dhe pra nuk mund të ketë edhe ulje të papunësisë. Sipas teorisë së verifikuar në rajon, pra në EJL6, rritja e ekonomisë me 1 pikë përqindje duhet të shoqërohet me 0,2 pikë përqindje rënie në nivelin e papunësisë. Vetëm në Shqipëri ndodh që ka edhe rënie të rritjes ekonomike, edhe rënie të papunësisë (!?)
 
Ku rrezikohemi?

Ka  një sfidë dhe kjo “është sfida kryesore afatshkurtër e politikave për vendet në të cilat raporti borxh-PBB është rritur shpejt,” thotë Bogetic, duke theksuar se “politikat ekonomike duhet të krijojnë një ekuilibër ndërmjet nevojës për të përmirësuar financat publike dhe për të pakësuar rreziqet makroekonomike nga njëra anë, dhe forcimit të mjedisit të politikave ekonomike për investime, rritje dhe vende pune, nga ana tjetër.”

Në Shqipëri drita në fund të tunelit as që duket. Përmirësimi i financave publike nuk vjen “me frymën e shenjtë”. Sipas të dhënave zyrtare tatimore, për 4 muajt e parë të vitit, “Totali i të ardhurave tatimore ka pasur një rënie prej -0.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe një mosrealizim të planit në masën -8.7 për qind, ndërsa të ardhurat nga kontributet janë rritur me 4.9 për qind mbi baza vjetore, ndërsa TVSH-ja ka pasur një rënie prej -6.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë; tatimfitimi ka pasur një rënie prej -17.6 për qind; tatimi mbi të ardhurat personale ka pasur një rënie prej -0.7 për qind dhe akciza me rënie prej -0.2 për qind, gjithnjë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare”.

Nga ana tjetër nuk shihet në horizont as ndonjë politike imediate që lidhet me forcimin e mjedisit të politikave ekonomike në investime. Biznesi shqiptar rrezikohet nga mungesa e theksuar e likuiditetit, ndërsa në banka ka rritje të depozitave të qytetarëve, por edhe rënie drastike të kreditimit të ekonomisë dhe biznesit. Shifra prej minus 17,6 % e tatimfitimit për periudhën është një sinajl i qartë se ka rënie të shitjeve, zvogëlim të fitimit dhe shkallë të ulët produktiviteti që po humbet edhe konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare.

Qeveria ka lajmëruar ndërmarrjen e një pakete ligjore lehtësuese për biznesin, por kjo ka mbetur në fazën e demagogjisë, kur është immediate. Njëlloj si premtimi për heqjen e pagave të referencës, apo për heqjen e plotë të tatimit mbi vlerën e shtuar të makinerive e pajisjeve të importuara për investime të reja (!?).  Në kushtet e krizës, të parashikimeve të zymta, të bllokimit të kreditimit dhe të “luftës” me nervat e biznesmenëve borxhllinj ndaj bankave për kreditë e marra (kohët e fundit ka filluar bllokimi në masë i llogarive bankare të bizneseve) një paketë e tillë nuk duhet shtyrë për në kalendat greke. Më pas ajo nuk do të ketë vlerë!
 
Rreshtat e frikshëm të raportit BB-2012

Raporti thekson: “Rreziku i  problemeve edhe më të mëdha për eurozonën ka ardhur në rritje  kohët e fundit.  Ekziston  një  pasiguri  e lartë në lidhje me rezultatin e krizës greke dhe rrjedhojat e mundshme për ekonomitë evropiane dhe globale. Edhe në  rastit e një zgjidhje graduale të  krizës greke, ekonomia botërore ende duhet të  përballet  me  pengesat e shkaktuara  nga çmimet e  larta të  naftës, reduktimin e hyrjeve  të kapitalit, dhe konsolidimet fiskale dhe ato të sektorëve bankar në vendet me të ardhura të larta  –  që pritet të tkurrin rritjen ekonomike, të paktën deri në gjysmën e dytë të vitit. …”.

Për Shqipërinë kjo përkthehet në atë tablo që është vënë re në 4 mujorin e parë të 2012: Më pak të hyra fiskale, më pak punësim, me pak investime, më pak kreditim të ekonomisë, më pak rritje ekonomike…