Tendenca për lindje me operacion apo siç njihet ndryshe prerje cezariane në vendin tonë ka shënuar një rritje të ndjeshme në vendin tonë. Kjo sipas një studimi të fundit të realizuar nga “Open Data Albania“, e cila ka marrë në shqyrtim periudhën kohore nga viti 2002 deri në vitin 2009. 
Sipas këtij studimi, që burimin kryesor e ka nga Organizata Botërore e Shëndetësisë rezulton se në vitin 2002 përqindja e operacioneve në lindje kundrejt lindjeve natyrale ishte në nivelin 15 %. Ndërkohë që, në vitin 2009 ky indikator shënoi rritje, duke kapur vlerën 18.7%. 
Gjithashtu, nga ky studim rezulton se viti më kritik është viti 2006 ku 24.3% e lindjeve janë kryer me prerje cezariane. Gjithashtu, studimi përfshin edhe një vështrim krahasues të lindjeve me operacion në vendin tonë me vendet e rajonit. 
“Shohim se niveli i lindjeve me operacion në spitalet shqiptare është më i lartë se në Maqedoni, Mali të Zi dhe Slloveni në harkun kohor 2007-2009, dhe se Kroacia për vitin 2006. Vendet si Italia, Austria, Serbia (2008) kanë një përqindje më të lartë të lindshmërisë me prerje cezariane”, – thuhet në studim. 
Për të bërë krahasimin është përzgjedhur vlera në përqindje e një viti të caktuar në harkun kohor 2006-2009. Kjo pasi publikimet dhe matjet nga Organizata Botërore e Shëndetit për këtë tregues bëhet në mënyrë të herëpashershme çdo 2 deri në 3 vite. 
Në pasqyrimin e këtij studimi publikohen edhe shifrat që shënojnë vende të ndryshme në lidhje me prerjet cezariane. Kështu, sipas një tabele përmbledhëse rezulton se përqindjen më të lartë e zë Italia në vitin 2006 me 38.9 për qind. 
Në vend të dytë renditet Austria, e cila në vitin 2009 ka shënuar shifrën 28.8 për qind të lindjeve që janë kryer me operacion. Sipas ODA, lindjet natyrale janë më normale dhe më të rekomandueshme për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Përjashtim përbëjnë rastet kritike ku për arsye shëndetësore kërkohet ndërhyrje kirurgjikale.