8 vjet pa paguar detyrimet tatimore, 22 milionw euro dëmi financiar
Kontrollet dhe verifikimet e bëra në degën e Tatim-Taksave në Durrës, kanë zbuluar 12 biznese të mëdha që për 8 vjet kishin kryer evazion fiskal, duke mos paguar detyrimet ndaj shtetit, duke shkaktuar një dëm kolosal financiar. Burimet nga dega e Tatimeve në qytetin bregdetar thanë për “Telegraf” se, “bëhet fjalë për një skandal, i cili e ka origjinën qysh nga viti 2005, ku 12 bizneset e mëdha duke paguar ryshfete, kanë mundur të shmangin detyrimet financiare ndaj shtetit, gjithashtu shkeljet konsistojnë edhe në faktin se ato kanë punuar me 2 palë balance e dokumente, gjë e cila ndoshta ka pasur edhe dijeninë dhe bashkëpunimin edhe të zyrtarëve të këtij institucioni apo edhe më lart në dikastere”.
Llogariten në mbi 22 milionë euro, dëmi financiar që ka pësuar arka e shtetit nga kjo veprimtari antiligjore, e cila ka të përfshirë edhe zyrtarë të rrengjeve të ndryshme, nga ata lokalë deri tek drejtues dikasteresh e deputetë. Prej vitesh 12 bizneset e mëdha, të shtrira në fusha të ndryshme si ndërtim, peshkim, detari, transport-spedicion, hidrokarbure, import-eksport, etj., kanë punuar dhe fituar në kundërshtim me ligjet e shtetit, ndërkohë që skandali ndoshta ka dalë fare rastësisht, gjatë një kontrolli për të verifikuar dhe rakorduar dokumentacionin me Drejtorinë e Doganës. Pikënisja e 12 bizneseve të mëdha daton prej vitit 1994 deri në vitin 1998 kur ato kanë nisur aktivitetin, dhe akoma edhe sot ato janë në aktivitet të plotë financiar.
Burimet zyrtare u shprehën se “çështja do t’i kalojë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi ky skandal përbën një krim të rëndë financiar, dhe do të hetohet sipas disa neneve të Kodit Penal, një veprimtari kriminale, e cila ka rënduar jo vetëm arkën e shtetit, por edhe xhepat e qytetarëve, dhe konkurrencën e drejtë me bizneset e vogla dhe të mesme”. Veç aktivitetit financiar, 12 bizneseve të mëdha do t’u bllokohen pronat dhe kontot bankare, por ndaj tyre do të zbatohen masa ligjore që nisin nga gjobat e rënda, tek sekuestrimet dhe natyrisht padia penale bazuar tek nenet 164, 180, 181 dhe 287 të Kodit Penal. Nën hetim dhe ndjekje penale do të jenë edhe ish-zyrtarë dhe tatimorë të degës Durrës, DPT dhe DPD, por hetimet po shtrihen edhe tek deputetë dhe ish-ministra, për të zbuluar shkeljet dhe abuzimet në vite.
Ja sa është mesatarja e personave që dënohen për korrupsion në Shqipëri
Open Data Albania ka hulumtuar mbi mesataren vjetore të personave që dënohen me vendim të formës së prerë nga Gjykatat, për krime që lidhen me korrupsionin si fenomen mitesh, shpërdorimesh dhe abuzimesh. Në ligjin tonë penal sikurse edhe në trajtesa të doktrinës nuk kemi ndarje me seksione apo nënseksione që referojnë se cilat veprime përbëjnë krime korrupsioni, shpërdorimi apo abuzimi por në kontekstin e analizës janë përzgjedhur figura veprash penale të parashikuara në 16 nenet si vijon:
Neni 175. Kontrabanda nga Punonjës që lidhen me veprimtari Doganore; Janë dënuar për këtë vepër penale në harkun kohorë 2004-2012 16 persona, mesatarisht 1.7 persona çdo vit.
Neni 181/a. Moskryerja e Detyrave nga organet tatimore; shënojnë 9 vite 21 persona të dënuar me vendim formë të prerë, mesatarja vjetore 2.3 të dënuar.
Neni 2017 Marrja e Shpërblimeve; Është një nen për të cilin nuk janë shënuar asnjëherë procedime gjyqësore sikurse nuk ka të dënuar.
Neni 244. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Në 9 vite janë proceduar dhe dënuar me vendim të formës së prerë 32 persona. Mesatarja vjetore e të dënuarve është 5.7 autorë.
Neni 245. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendor; në 9 vite analizë nga Gjykatat janë dënuar 13 autorë që mesatarisht është 1.4 persona çdo vit.
Neni 245/1. Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike; në total 2004-2012 janë shënuar 52 raste dhe mesatarja vjetore është 5.7 të dënuar në vit.
Neni 248. Shpërdorim Detyre; në total për 9 vite janë dënuar me vendim të formës së prerë 658 persona. Mesatarja vjetore është 73 autorë çdo vit.
Nenin 257. Shpërdorim i Kontributeve të Dhëna nga Shteti; Në 9 vite janë proceduar 16 raste kryesisht në vitet 2005 dhe 2011.
Neni 257/a. Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive; shënohen në total për 9 vite 13 raste dhe këto të viteve 2008 e këtej.
Neni 258. Shkelja e barazisë në tenderë; total 83 autor në 9 vite analizë. Mesatarja vjetore 9 persona të dënuar në vit. Vitet me më shumë procedime janë 2008 dhe 2009.
Neni 260. Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendor; 10 persona të dënuar në 9 vite.
Neni 319. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë; vetëm 6 autor te dënuar
Neni 319/a. Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit ose funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë; vetëm 2 autor në hulumtimin 2004 – 2012.
Neni 324p2. Dhënia ndihmë një të burgosuri për largim. Vetëm një rast autori të dënuar.
Auditi i Prefekturës zbulon shkelje në fushën e prokurimeve
Bashkitë e komunat, abuzime me lejet dhe tenderat e investimeve
Auditi i Prefekturës Durrës Krujë ka bërë të ditur pas kontrollit të ushtruar në disa prej njësive të qeverisjes vendore se janë vërejtur shkelje të shumta në fushën e prokurimeve publike. Burime zyrtare nga auditi në Prefekturën e Durrësit thanë për “Telegraf”se: “në dokumentacionin që kemi kontrolluar muajt e fundit kemi parë se shumë nga subjektet e shpallura fituese në prokurime të ndryshme kanë qenë pa dokumentacionin e duhur, ndërkohë që edhe pas shpalljes fituese të firmave të ndryshme, ndjekja e ecurisë së punimeve ka qenë shumë e dobët”. Me shkelje rezultojnë bashkia Sukth, Manëz, por edhe komunat Rrashbull, Katundi Ri, Xhafzotaj, Fllakë, Maminas, Gjepalaj etj. Mjaft prej komunave dhe bashkive nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet, dhe se shkelje të shumta janë gjetur edhe në fushën e shpenzimeve që janë bërë nga komunat dhe bashkitë, të cilat nuk justifikohen se përse janë bërë.
Gabime të shumta janë vërejtur edhe në llogaritjen e pagave në arsim dhe shëndetësi, kurse në ligjin për urbanistikën në shumë raste janë gjetur gabime në llogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Priten të merren masa administrative ligjore për disa drejtues të pushtetit vendor, por pa bërë të ditur emra. Sipas të njëjtave burime zyrtare mësohet se, abuzimet kanë të bëjnë me lejet e ndërtimeve, tenderat e pabarabarta në investimet publike dhe prokurimet. Bëhet fjalë për miliona lekë dëme të shkaktuara nga veprimet korruptive, të cilat do të kenë shumë shpejt si përgjigje masat ligjore.
Freedom House: Shqipëria, vend pjesërisht i lirë
Në raportin e fundit të organizatës “Freedom House”, Shqipëria cilësohet si një vend pjesërisht i lirë. Në raportin më të ri, Shqipëria merr notën 3 për të drejtat politike dhe 3 për liritë civile. Shqipëria, po ashtu, ka mbetur në vendin identik sikur në raportin e para një viti. Në kategorinë e vendeve të lira janë përfshirë Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Në raportin vjetor “Liria në botë 2014” të organizatës “Freedom House”, Kosova klasifikohet në mesin e vendeve “pjesërisht të lira”, ku në kategorinë e të drejtave politike vlerësohet me notën 5, ndërsa në atë të të lirive civile me 4. Në krahasim me raportin e vitit të kaluar Kosova ka mbetur në vlerësimin e njëjtë. Nota 1 paraqet shkallën më të mirë, ndërsa nota 7 atë më të dobët. Ne raportin më të ri të organizatës “Freedom House”, për liritë në botë, theksohet se vitit 2013 është përshkuar me represion të intensifikuar në EuroAzi dhe Lindje të Mesme dhe se gjendja e lirisë ka shënuar rënie. Kjo është rënia me radhë në tetë vitet e fundit.