Qeveria Shqiptare është e detyruar me ligj dhe udhëzime përkatëse të bëjë transparente përballë qytetarit shqiptarë çdo detaj të mënyrës së si shpenzohen paratë e taksapaguesve shqiptarë apo asetet publike monetare. Gjithashtu në kuadër të angazhimeve në partneritetin për Qeverisje të Hapura dhe Transparente “OGP”,  shteti ynë është angazhuar për të publikuar çdo ditë Listën e Pagesave Ditore te Thesarit, dërguar për ekzekutim në Bankën e Shqipërisë. Kjo listë veç datës, shumës, autoritetit urdhërues, përmban edhe identitetin e përfituesit, aktin ligjor ku bazohet transaksioni dhe përshkrime të tjera. Prej muajit shkurt të vitit 2012, këto të dhëna janë përditësuar në faqen e Ministrisë së Financave, rubrika Raportime – Thesari. 
Po çfarë ka ndodhur? Pikërisht në ditën e fundit të dorëzimit të pushtetit, qeveria e ikur dhe ministria e saj e Financave kanë dëshmuar natyrën e tyre krejtësisht jo transparente dhe të kamufluar. Në javën e parë të Shtatorit, kanë hequr dhe censuruar nga faqja zyrtare të dhëna të muajve shkurt, mars, prill dhe maj 2013. Këta katër muaj të vitit 2013 kanë rëndësi të veçantë pasi janë muaj të një viti të fundqeverisjes tetëvjeçare të të djathtës e po kështu janë muaj të një viti elektoral. Gjithashtu të dhënat për muajt qershor dhe korrik janë hedhur në format difektoz dhe të pakonvertueshëm.
Të dhënat e Thesarit bëhen publike edhe si rezultate të një projekti të kushtueshëm për zbatim të sistemit AMoFTS, si një sistem modern për procedimin e transaksioneve të qeverisjes së përgjithshme, bazuar në standardet dhe praktikat ndërkombëtare për raportimin financiar dhe përdorimin e likuiditeteve dhe pasurisë publike me ekonomi, efiçience, efektivitet dhe transparencë.
Skandalin e ka bërë publik kompania e përpunimit të të dhënave “Open Data / Spending Albania”, si një rast flagrant i censurës zyrtare që cenon interesin e publikut për informim. Ky lloj censurimi shpërfill një nga përgjegjësitë më të mëdha të qeverive që është përgjegjësia për të mirëqeverisur financat dhe asetet e publikut. 
Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen si shpenzohen paratë e tyre, ku shkojnë ato, a përdoren për interesa publik apo interesa politik, partiak e personal. Po kështu çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të informohet se kush janë klientët (furnitorët) e institucioneve shtetërore e publike që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve. Heqja e të dhënave për këta katër muaj dhe publikimi difektoz i të dhënave në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre apo në rastin më negativ një fenomen që dëshmon se për këtë periudhë qeverisëse shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun.