Open Data Albania ka hulumtuar mbi ecurinë e prodhimit të energjisë elektrike, importin dhe eksportin e saj gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, 2000-2013. Në vitin 2013 prodhimi i energjisë elektrike arriti në rreth 7 milionë MWH duke shënuar edhe vlerën më të lartë të tre viteve të fundit. Prodhimi u rrit 47% kundrejt vitit të mëparshëm, që konfirmon edhe ecurinë pozitive të këtij sektori në vend.
Energjia është prodhuar 100% nga hidrocentralet e mëdhenj dhe të vegjël, ndërkohë që prodhimi nga termocentralet është mbyllur që prej vitit 2008, me mbylljen e TEC-it të Fierit dhe dështimit për të vënë në punë TEC-in e Vlorës.
Rritja e prodhimit të energjisë nga hidrocentralet vjen si pasojë e shtimit të shpejtë të operatorëve privatë që kanë në koncesion HEC-e të vogla në zona të ndryshme të vendit. Energjia, një nga sektorët më potencialë të ekonomisë kombëtare, ka tërhequr me qindra milionë euro investime në ndërtimin e hidrocentraleve në vend, nga investitorë të brendshëm dhe të huaj.
Rritja e prodhimit të energjisë ka çuar drejt rënies importet. Importet u reduktuan 28% kundrejt vitit të mëparshëm duke zbritur në 2.3 milionë MWH në fund të vitit 2013. Kjo është edhe vlera më e ulët që prej vitit 2010.
Eksportet nga ana tjetër kulmuan gjatë vitit 2013 në 1.4 milionë MWh, thuajse pesë fishim kundrejt vitit 2012. Duket qartë që prodhuesit vendas kanë tregtuar një pjesë të mirë të energjisë së gjeneruar jashtë, kryesisht në Rajon si Kosovë e Greqi. Energjia elektrike konsiderohet sot si një nga produktet më potenciale për eksportet shqiptare drejt tregjeve të huaja.
Por me gjithë rritjen e eksporteve, bilanci tregtar si diferencë shitje e blerje e energjisë elektrike ka vijuar të mbetet negativ. Ndonëse 3.8 herë më i ulët se në vitit 2012. Në fund të 2013-ës bilanci i energjisë elektrike shënoi rreth -900 mijë MWh, vlera më e ulët që prej vitit 2006.
Grupi çek CEZ, kompania-mëmë e pronares së ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri, deklaroi dje se po zhvillon bisedime me autoritetet shqiptare, për të gjetur një skemë kompensimi financiar, në mënyrë që të shmanget vazhdimi i procesit të arbitrazhit. Të dyja opsionet janë të hapura, tha ai, si vazhdimi i gjyqit ndërkombëtarë të arbitrazhit, ashtu edhe gjetja e një sgjidhjeje të kënaqshme për të dy palët.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri deklaroi pak ditë më parë se CEZ-i, aktualisht nën administrim shtetëror, mund të shtetëzohet, për të kaluar më pas sërish në proces privatizimi.
Grupi CEZ bleu operatorin e shpërndarjes nga qeveria shqiptare në vitin 2008. Në janar 2013, Enti Rregullator i hoqi licencën CEZ-it për shkak të mosplotësimit të kushteve të marrëveshjes së privatizimit, duke e marrë kompaninë në administrim, ndërsa pronësia vazhdon të mbetet e çekëve.
Shqiptarja.com 05.04.2014
Ndërsa CEZ shpërndarje i detyrohet KESH-it një shumë prej 41 milionë eurosh…..
Ministria e Financave ka botuar në faqen e saj të internetit vendimin e Këshillit të Ministrave për njohjen dhe pastrimin e detyrimeve mes institucioneve për faturat e borxhit të energjisë. Vendimi është në vijim të strategjisë së publikuara pak më parë nga qeveria “për të shlyer detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore dhe jo-buxhetore të faturave ndaj kompanive të sektorit publik të energjisë, duke përfshirë një mekanizëm të shlyerjes me kompensim të detyrimeve te prapambetura të sektorit publik deri në 10 miliardë lekë ndaj pjesëmarrëseve të sektorit publik të energjisë që kanë detyrime të prapambetura dhe masat që do të kërkohen për të parandaluar krijimin e detyrimeve të mëtejshme financiare.”
VKM nr.198 date 3.04.2014 ka në thelb “Përcaktimin e shumave të shuarjes me kompensim të detyrimeve ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore që financohen nga buxheti, KESH.sh.a, CEZ Shpërndarje sha. dhe Ministrisë së Financave”.
Shuhen borxhe të ndërsjellta prej 4.4 miliardë lekësh
Sipas vendimit janë shuar rreth 4.4 miliardë lekë (31 milionë euro) borxhe të ndërsjellta që institucionet buxhetore (të financuara nga Ministria e Financave) i kishin borxh CEZ; CEZ i kishte borxh KESH dhe KESH i detyrohej Ministrisë së Financave për garancitë e dhëna.
Konkretisht, sipas vendimit:
-Institucionet buxhetore dhe institucionet qe financohen nga buxheti (kryesisht detyrime të bashkive, komunave, ujësjellësave), kanë rakorduar detyrimet e energjisë elektrike (në kolonën total debi e pranuar), të krijuara deri më datë 31.12.2013. Këto detyrime ndaj Shoqërisë CEZ Shpërndarje të shuhen në deri në vlerën 4.4 miliardë lekë. CEZ Shpërndarje, në cilësinë e Kreditorit, jep pëlqimin për këtë shuarje.
-Detyrimet e krijuara deri më datë 31.12.2013 të CEZ Shpërndarje ndaj KESH sh.a, për energjinë e lëvruar nga KESH sh.a, për furnizimin e konsumatorëve tariforë, , të shuhen deri në vlerën 4.4 miliardë lekë.
-Detyrimet e krijuara deri më datë 31.12.2013, të KESH sh.a ndaj Ministrisë së Financave, për huatë e marra nga KESH sh.a., për të cilat Ministria e Financave ka hyrë në marrëdhënie nënhuazimi, garancie shtetërore apo kredidhënie, të shuhen deri në vlerën 4.4 miliardë lekë.
CEZ i detyrohet KESH 5.8 miliardë lekë (41 milionë euro)
Sipas tabelave të botuara, lista e faturave të pashlyera detyrime brenda periudhës 31.12.2013 që CEZ Shpërndarje ka kundrejt KESH-it është 5.8 miliardë lekë.