Vendi ynë renditet i fundit në rajon për sa u përket shpenzimeve për frymë në sektorin shëndetësor. Të dhënat i përkasin një hulumtimi të realizuar nga Open Data Albania, e cila vlerëson se, ndonëse ka një rritje të shpenzimeve të buxhetit të shtetit për frymë nga viti 2004-2014, sërish niveli mbetet tepër i ulët në krahasim me vendet e tjera. Sipas të dhënave të këtij studimi, në 2012-ën Shqipëria ka shpenzuar mesatarisht 258$ për frymë, ndërkohë që vendi i dytë pas saj, i mbajtur nga Maqedonia, shpenzonte 2-fishin, 535$. Hendeku thellohet akoma më tej nëse krahasohemi me Malin e Zi, i cili shpenzon 2.3 herë më shumë apo 535$ për frymë, Bosnjë dhe Hercegovinën (2.56 herë më shumë apo 660$) dhe Serbinë (3 herë më shumë apo 704$). 
Studimi 
Open Data Albania ka marrë në shqyrtim edhe shpenzimet nga Buxheti i Shtetit për shëndetësinë për çdo banor të vendit tonë në vitet 2004-2014. Indikatori është llogaritur si raport i financimit të shëndetësisë me popullsinë përkatëse të atij viti, ndërkohë që financimi total për shëndetësinë përbëhet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore. Kështu, në vitin 2004 janë shpenzuar mesatarisht 6 597 lekë për çdo banor të Shqipërisë dhe që prej këtij viti, ky nivel ka ardhur përgjithësisht në rritje. Në trendin e tij ka ndikuar rritja e buxhetit për shëndetësinë, mbledhja në rritje e kontributeve nga sigurimet shëndetësore dhe ulja e popullsisë nga viti në vit. 2010-a dhe 2013-a janë vitet me rritjen më të ulët të shpenzimeve të shëndetësisë për frymë, si pasojë e uljes së buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë. 
Efekti negativ i tkurrjes së fondeve për këtë ministri mbi shpenzimet e shëndetësisë për frymë mundi të eliminohej nga rritja e të ardhurave nga sigurimet shëndetësore dhe ulja e popullsisë. Vitet 2007, 2009 dhe 2011 spikasin për rritjen e lartë të shpenzimeve të shëndetësisë për frymë, duke shënuar përkatësisht vlerat 8 981 lekë (+16.84%), 11 062 lekë (+13.74%) dhe 12 447 lekë (+12.04%). Pas këtij viti, shpenzimet e shëndetësisë për frymë kanë njohur një rritje modeste, duke ngelur brenda kufirit të 13 000 lekëve. Përjashtim bën parashikimi për vitin 2014, ku pritet një rritje e ndjeshme e këtij indikatori, me 9.14%. Kështu, niveli i shpenzimeve të shëndetësisë për frymë mendohet të arrijë në 14 109 lekë, 1 182 lekë më shumë se në 2013-n dhe 1 350 lekë më shumë se në 2012-n. Krahasuar me 10 vjet më parë (2004-n), Shqipëria po shpenzon nga buxheti i saj 2.1 herë më shumë për frymë për shëndetësinë. 
Risku 
Ndërkaq, Open Data Albania e cilëson si të vështirë realizimin e objektivit të vendosur për vitin 2014. “Sfida për të rritur financimin e shëndetësisë për frymë në 2014-ën ngelet për t’u verifikuar, pasi varet nëse buxheti do të realizojë parametrat fiskalë të parashikuar dhe nëse mosrealizimi i tyre do të shoqërohet me tkurrje të financimeve të sektorëve prioritarë, duke përfshirë këtu edhe shëndetësinë, sikurse ka ndodhur në vitet e mëparshme gjatë rishikimit të buxhetit. Risku për realizimin e këtij objektivi në 2014-ën është akoma më i lartë, po të mbahet parasysh se rritja e shpenzimeve të shëndetësisë për frymë po mbështetet kryesisht në rritjen e të ardhurave nga sigurimet shëndetësore dhe jo nga rritja e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë”, vlerësohet në studim.