Sipas hulumtimeve të kryera nga ”Open Data Albania” lidhur me shtetas të huaj që janë të pajisur me leje qëndrimi dhe që jetojnë e punojnë në Shqipëri për periudhën 2011-2013, raportohet se janë dy mijë e njëqind e tetëdhjetë e nëntë (2189) shtetas të huaj.
Sipas legjislacionit kombëtar, çdo shtetas i huaj që pajiset me leje punësimi ka detyrim të ketë paraprakisht një leje qëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjatë viteve 2011-2013 numrin më të madh të lejeve të punës për të huajt e shënon viti 2012 me 2 499 leje, nga të cilat 2 199 për punëmarrës, 275 të vetëpunësuar, dhe 25 për investitorë.
Ndërtimi është aktiviteti me numrin më të madh të lejeve të punës për të huajt, i cili përbën 29 % të totalit të lejeve. Në këtë sektor janë lëshuar 635 leje pune nga 2 189 që janë lëshuar në total. Disa sektorë të tjerë me numër të lartë lejesh janë: Tregtia dhe Shërbimet me nga 306 leje secila, Minierat dhe guroret me 241 leje, Industria Përpunuese me 263 leje etj.