Tiranë – Qeveritë gjatë dekadave të fundit i kanë dhënë me koncesion ndërmarrjet e mëdha për shkak të pamundësisë për t’i menaxhuar, apo edhe të mungesës së parave për investime.
Shpesh, këto ndërmarrje nuk kanë sjellë të ardhura për shtetin, edhe pas privatizimit ose dhënies me koncesion. Pronarët e rinj i kanë fshehur përfitimet, e në jo pak raste nuk kanë kryer investimet e parashikuara në marrëveshje me qeverinë shqiptare. Rastet janë të shumta si ARMO, apo kompanitë e nxjerrjes së mineraleve. Forma e koncesionit ka ekzistuar që në periudhën e Ahmet Zogut, ndërsa komunizmi e zhduku një metodë të tillë.
Çfarë ndodhte atëherë?
Më vitin 1925 një minierë bakri në Pukë jepej me koncesion me garanci 35 mijë franga ari dhe kusht për të punësuar vetëm administrator shqiptar (Miniera e Rremit, Nënprefektura e Pukës, Marrëveshje e Publikuar në Fletoren Zyrtare të vitit 1926, Botimet e Këshillit të Shtetit, Vol. 3 Përmbledhjes së Ligjeve, Tiranë viti 1938, faqe 125). Garancia Bankare për një minierë të vetme ishte 35 mijë franga ari. Shteti i kohës 1920 – 1939 aplikonte të drejtën e një fee – pjese nga fitimi i shoqërisë koncensionare.
 Në vitin 2001 me marrëveshje të ratifikuar edhe në Parlament Shqiptar, një kompanie të huaj i jepen në shfrytëzim:
-4 miniera bakri Miniera e bakrit Munellë; Miniera e bakrit Lak-Rosh; Miniera Karme; Miniera e kromit Vlahen (miniera me përmbajtje të disa metaleve të tjera përfshi edhe ar),
-2 rafineri/uzina Fabrika e pasurimit të Bakrit Fushë Arrëz, Mjedë, Golaj dhe Uzina e bakrit Rubik;
-si dhe një impiant skoriesh në Port Shëngjin.
 
Me fjalë të thjeshta një pjesë e mirë e territorit të veriut zona: Pukë, Mirditë e Lezhë. Të gjitha këto me një garanci qesharake prej 300 mijë dollarë.
 Në 2015 koncensionarit po me një vendim të Parlamentit shqiptar,  i ulet renta minerare për metalet nënprodukt.  Thënë thjesht: renta është ajo pjesa që i takon shqiptarëve për shitjen e mineralit shqiptar. Nga 6% renta për  nënprodukt bëhet vetëm 4% e vlerës së shitjes.
TAX(T)IMI I PANDERSHEM
Banori i Fushë Arrëzit, Rubikut, Shëngjinit apo Mjedës sot paguan tatim 20% (TVSH) për çdo thes miell dhe çdo kilovat energji elektrike që konsumojnë.  Koncensionari paguan vetëm 4% të vlerës kur shet metalin bakër pronë e shqiptarëve dhënë në koncesion.
“Askush nuk kontrollon nëse shitjen e bën me çmim të vërtet tregu apo ja shet ndonjë kompanie simotër e cila e rishet me vlerë më të lartë. Askush nuk e analizon a është vërtet metal i pasuruar aq sa deklaron shitësi apo me i pasur (me ar dhe zink) se aq. Dëmet e koncesnionarit në ambient apo tek palë të treta nuk kanë asnjë mbrojtje të posaçme në kontratën koncensionare”, thotë Aranita Brahaj nga Open Data.
“A ka korrupsion e mitmarrje kur miratohet një ligj që favorizon me taksa qesharake kompanitë e mëdha? Pse shitet si taxim i ndershëm paketa që e mbush buxhetin e shtetit me para që i “zhvat” tek buka dhe drita e të varfërve ndërsa i fal minerale të shqiptarëve shfrytëzuesve me renta qesharake. A ka korrupsion dhe politika të majta që diskriminojnë veriun kur shesin kaq lirë dhe në mënyrë qesharake! Për fat të keq ne popullsia e Republikës e Shqipërisë nuk jemi si ajo e Kosovës që ngre zërin për Trepçën”, thotë më tej ajo.