“Lindëm në një kohë kur nëse diçka prishej, ne përpiqeshim ta rregullonim atë dhe jo ta flaknim tutje”, ishte përgjigja e një çifti që kishte qenë i martuar për 65 vjet, kur u pyet nga një reporter.
Ndërsa çiftet shqiptare që i drejtohen gjykatës për t`u divorcuar, nuk kanë më asgjë për të “ndrequr’, por janë të gatshmëm të “flakin” çfarë është prishur dhe të pranojnë gjithë pasojat e tjera që rrjedhin nga një divorc.
Për çdo 100 martesa që janë realizuar në vendin tonë përgjatë vitit 2014 ,18 kanë përfunduar në divorc. Përditësimet e fundit të Open Data Albania lidhur me numrin e martesave dhe divorceve në vitin 2014 tregojnë një rritje me dy divorce nga viti 2013 në vitin 2014 .
Rrallëherë mund të qëllojë që në seancat e ndërmjetësimit, një çift të heq dorë nga ideja e divorcit dhe të gjejë çelësin e munguar në raportin mes tyre.
Kështu pohon për Tema TV avokati dhe ndërmjetësi Jeton Borishi.
“Unë personalisht nuk kam pasur raste të tilla, pasi rastet që janë referuar të unë kanë qënë të kategorisë që kanë pasur një kohë të gjatë që kanë ndërprerë marrëdhënien martesore dhe ka qënë shumë e vështirë t’i pajtosh” është shprehur Borishi.
Në një shoqëri patriarkale si shoqëria shqiptare, liria për të zgjedhur divorcin në vend të një marrëdhënie që nuk funksiononte më,  ka qenë një koncept i papranueshëm, aq sa në shumë zona jourbane, por jo vetëm shpesh ndarja cilësohej edhe si turp, sidomos për femrat. Një koncept, që edhe pse i zbehur përgjatë 25 viteve të pluralizmit politik, sërish mbetet dominant, sidomos në shtresat më të varfëra të shoqërisë.
Duke risjellë diferencat në kohë, sociologu Gëzim Tushi thotë se në vitet 1960-1970, nuk ishte e lehtë të divorcoheshe, pasi kërkoheshin motive shumë të forta dhe për më tepër pala që kërkonte ndarjen përballej me pasoja të rënda.

“Martesa e ka patur të ndaluar divorcin. Realizimi i divorcit ka qënë ekstremisht i ndaluar. Divorci nuk ka qënë i lehtë jo vetëm për kornizat morale por edhe vet shteti nuk të lejonte të bëje divorc për motive që nuk konsideroheshin të rëndësishme, duheshin motive të forta, në të kundërt ishte e pamundur” shprehet Gëzim Tushi.
Por nën ndikimin e një sërë faktorësh koncepti mbi martesën ka ndryshuar. Nëse në vitet 60-70  bëhej fjalë për një marrëdhënie monogame dhe seksualisht të mbyllur, nuk mund të themi të njëjtën gjë në ditët e sotme.
“Martesa është një institucion i jetës private. Intime, martesën e bëjnë individët, është akt i tyre dhe në këtë lidhje nuk ka të drejtë të ndërhyjë askush, ky është koncepti i ri i martesës” nënvizon sociologu.
Por çfarë po ndodh me martesat shqiptare dhe pse kjo tendencë në rritje për të shkuar drejt divorcit?
“Një pjesë e madhe e divorceve vijnë si rezultat i tiranisë së opinionit shoqëror dhe i fuqisë që kanë konceptet e vjetëra mbi martesën. Një motiv është edhe varfëria që ekziston në shoqërinë shqiptare, por nuk mund t’i veshim varfërisë të gjitha problemet e martesës. Pjesa më e madhe e divorceve vijnë nga dhuna . Qendra e dhunës është familja, vendi ku ushtrohet më shumë dhunë është familja mbi të cilën shkarkohet dhuna fizike dhe verbale. Xhelozia është një faktor tjetër. Duhet të ketë një xhelozi normale dhe jo patologjike. Gjithashtu edhe teknologjia dhe dixhitalizimi i jetës e ka ulur privatësinë dhe ka zbular marrëdhënien martesore. Më pas kemi edhe shkaqe në reduktim si konflikti mes nuses dhe vjehrrës ose tradhtia”, – shprehet Sociologu Tushi për Tema Tv
Divorci më parë frenohej për shkak të kornizave të moralit dhe të ideologjisë së dikurshme.
Sot problemet e reja si dhuna, xhelozia, tradhtia, moskomunikimi, diverencat kulturore dhe varfëria  po kërcënojnë institucionin e martesës . Dhe premtimin e shenjtë “Në të mirë e në të keq”  jo të gjitha çiftet e përmbushin,”derisa vdekja të na ndajë”.