Manovrat që po përdor qeveria me bujqësinë po favorizojnë hapur tregtarët e qeverisë. Tregtari kërkon të marrë gjithnjë çmime sa më të ulëta, por nga ana tjetër, tek prodhuesi, nëse injektohet financim, do të ketë më shumë prodhim në treg. Nëse nuk kemi rritje prodhimi, nuk mund të kemi ulje të çmimit nga tregtari. “Ne propozuam në skemën e mbështetjes që karburanti t’i shkojë fermerit 80-100 euro për çdo hektarë tokë. Kjo është e verifikueshme dhe e zbatueshme. Kemi kërkuar heqjen e TVSH–së së inputeve bujqësore, e cila u rivendos të jetë për fermerët, jo për tregtarët”, deklaron Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar. 
Sipas këtij Këshilli, ajo mund të kompensohej nga Drejtoritë e Tatimeve në Komuna. Edhe kjo, me sa duket, do të shkojë te tregtari i qeverisë dhe jo fermerit. “Kush mund të na bindë që dhjetë tregtarë nuk mblidhen bashkë për t’u vendosur fermerëve të njëjtin çmim. Për vitin 2015, por edhe për vitin e ardhshëm situata e vështirë e bujqësisë do të vazhdojë, pasi përveç rritjes së kostove do të rëndojnë edhe taksat mbi prodhimin vendas që do të aplikohen gjatë 2016. Kemi rritjen e energjisë elektrike për fermerin, si për familjen dhe makineritë e vogla, për të cilat duhet energji elektrike, korrëse, mbjellëse e qumështit. 
TVSH e inputeve bujqësore nuk është hequr. Ajo nuk i zbritet fermerit, por i shkon tregtarit. Mendoj që në këto kushte, viti 2015 do të jetë më i vështiri për bujqësinë”, thekson më tej Ferizaj. Qindra miliona euro janë premtuar të investohen në bujqësi prej kësaj qeverisjeje që në fushatën paragjedhore të dy viteve më parë dhe akoma asnjë gjë. Investimet në këtë sektor janë të domosdoshme, por ato duhet të jenë politika të përhershme të çdo shteti, e jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, apo t’u lihen fermerëve si premtime të çdo pakete fiskale. Sfera e bujqësisë, po lihet në harresë. 
Shumë premtojnë investime prej qindra miliona eurosh për katër vjetët e ardhshëm, por edhe ndihma të tjera për fermerët. Këto investime janë të domosdoshme, por politikat investive duhet të jenë të përhershme e jo vetëm në kuadër të fushatës”, thotë Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar. “Investimet në bujqësi duhet të jenë politika të çdo shteti. 
Nëse investojmë, atëherë do të kemi produkte për tregun vendor dhe atë të jashtëm. Por e keqja këtu është se, interesimi për bujqësi po bëhet vetëm në prag të fushatës zgjedhore dhe jo si një politikë e përhershme e shtetit ndaj një lëmi, i cili mund të kontribuojë shumë në zhvillimin ekonomik”, thekson KASH-i.
KASH bën me dije se premtimet e dhëna në bujqësi duhet të harmonizohen me burimet ekzistuese dhe të hartohen programe të mira zhvillimore. “Bujqësia, dhe asnjë degë tjetër nuk mund të zhvillohet prej fushatës në fushatë, ato duhet të jenë programe të studiuara mirë, programe të realizuara mirë nga çdo qeveri, e cila vjen në pushtet”, thekson ai, shprehet KASH.  Ata tërheqinn vërejtje qeverisë që të ruhet toka, pasi Shqipëria është akoma një vend me një ekonomi të brishtë sa i përket tokës bujqësore. “Duhet ta ruajmë tokën bujqësore, të mos e shndërrojmë pa nevojë në tokë ndërtimore, duhet të jemi më të organizuar edhe në planin urbanistik dhe atë hapësinor, sa i përket këtij resursi, i cili nuk është vetëm i kësaj gjenerate, por i përket edhe gjeneratës së ardhshme”, shprehet KASH.
Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi strukturën e tokës dhe të ardhurat nga bujqësia dhe blegtoria në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. ODA bazohet në të dhënat e 2010, kur sektori i bujqësisë ka kontribuar me rreth 18% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke e bërë atë një sektor kyç në zhvillimin e ekonomisë, sot po ndodh krejt e kundërta. Në Shqipëri, tokat bujqësore zënë rreth 24.2% të tokës ndërsa fondi pyjor dhe kullotat zënë rreth 75.8% të totalit. 
Gjatë viteve ky raport ka qëndruar thuajse konstant. Numri i fermave bujqësore në Shqipëri rezulton 353.485, ku qarku me numrin më të madh rezulton Fieri me rreth 54.903 ferma. Qarku me të ardhurat më të larta vjetore nga prodhimi bujqësor rezulton sërish Fieri, i cili siguron rreth 14.9 miliardë lekë nga fermat, ku 43% e të ardhurave vjen nga prodhimi bujqësor dhe 57% nga prodhimi blegtoral. Ndërkohë qarku me të ardhurat më të ulta nga bujqësia është Kukësi, i cili siguron rreth 2 miliardë lekë në vit. Në rang vendi, rreth 62% e të ardhurave sigurohen nga blegtoria dhe 38% nga bujqësia.