Në dy vite (2013-2014), dëmi ekonomik i shkaktuar nga Prokurimet Publike arrin në mbi 1 miliard lekë. Open Data Albania ka marrë në shqyrtim dëmin ekonomik të shkaktuar në sektorin e Prokurimeve Publike në vitet 2013-2014. Dëmi ekonomik është një tregues i përcaktuar gjatë proceseve të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si pasojë e abuzimeve në llogaritjen e vlerës së kontratës, pranimin e ofertave, shqyrtimin e ofertave në konkurrim, etj.

Edhe për vitet 2013-2014, prokurimet vijojnë të jenë një ndër sektorët me dëm të lartë ekonomik, pas sektorëve të shitjes dhe dhënies me qira të pronës publike si dhe doganave. Auditimi në vitin 2013 evidentoi rreth 354 milionë lekë dëm në sektorin e prokurimeve, 90 milionë lekë më pak se në vitin 2012.

Në institucionet me dëm më të lartë spikasin Universiteti i Tiranës me 82.9 milionë lekë, Bashkia Durrës me 57.2 milionë lekë, Bashkia Kavajë me 20.9 milionë lekë, Bashkia Tiranë me 19.1 milionë lekë, projekti “Bypass Durrës”me 18.96 milionë lekë dhe komunar Gjinar, Elbasan me 11.8 milionë lekë.

Viti 2014 prezantohet gati me 2-fishim të dëmit të raportuar në sektorin e prokurimeve. 678 milionë lekë të vlerësuara si shkelje ligjshmërie me efekte financiare, ku bien në sy dëmi në “Projekti i rrugës Levan-Tepelenë” me 104.7 milionë lekë, komuna Golem, Kavajë me 78.8 milionë lekë, Bashkia Vlorë me 71.9 milionë lekë.

Ky projekt dhe këto 2 insitucione kanë shkaktuar 30% të gjithë dëmit në prokurime. Në vitin 2014 tërheq vëmendjen niveli i lartë i dëmit në pushtetin lokal. Mund të përmenden komuna Fshat Tropojë me 20 milionë, komuna Shënkoll, Lezhë me 14.4 milionë, komuna Rremas, Lushnje me 14.83 milionë, komuna Voskopojë, Korçë me 14.88 milionë apo edhe bashki si Elbasani me 29.9 milionë apo Prrenjasi me 19.5 milionë.

Në raport me dëmin total të gjetur, sektori i prokurimeve ka shënuar rënie në 2013-n, duke zënë 2.35% të dëmit total dhe rritje në vitin 2014 në 6% të dëmit total.