Një raport i publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Grave në Tiranë zbuloi se bizneset nën pronësinë e grave në Shqipëri marrin ende një pjesë të vogël të parave publike të kontraktuara për shërbime nga njësitë e qeverisjes vendore.

Vetëm 5 për qind e tenderëve të bashkive janë fituar nga subjekte të biznesit të zotëruara nga gratë – zbuloi të mërkurën një raport i Institutit Shqiptar të Shkencës i prezantuar në Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Gjetjet e raportit “Kontratat Publike të Bashkive me Biznese të Drejtuara apo Zotëruara nga Gratë” treguan për pjesëmarrje të ulët të bizneseve të zotëruara nga gratë në kuadër të kontratave të lidhura me njësitë e qeverisjes vendore.

Studiuesit analizuan 4820 tenderë nga periudha korrik 2015 deri 31 janar 2016 për të zbuluar peshën që zënë bizneset e grave në prokurimet publike.

Bizneset e drejtuara nga gratë në 61 bashkitë e vendit ia dolën të fitojnë 256 tenderë me vlerë 731.6 milionë lekë përkundrejt totalit prej 22.8 miliardë lekë ose thënë ndryshe 3.2 për qind e vlerës së tyre.

Raporti zbuloi gjithashtu se pesha që zënë gratë në postet drejtuese të 102 shoqërive të biznesit në pronësi të bashkive është më pak se 4 për qind.

Megjithatë, raporti theksoi se konkurrenca te tenderët e fituara nga gratë ishte më e madhe dhe vështirësia më e lartë, duke iu referuar diferencës mes vlerës limit të tenderëve me vlerën e ofertës që është shpallur fituese.

Raporti vlerësoi se kontratat me vlerë dhe peshë më të madhe të cilat janë fituar nga gratë në biznes janë lidhur me bashkinë Cërrik, ndërsa sipas numrit, bashkia Shkodër ka dhënë më shumë tenderë ndaj kompanive në pronësi të grave.

Ndërsa studiuesit vërejtën se kontratat e lidhura me gratë kanë qenë relativisht të vogla në vlerë, paneli i diskutimit qartësoi se kjo vjen përgjithësisht për shkak të bizneseve ku gratë përfshihen. Të dhënat e INSTAT tregojnë se vetëm 10 për qind e kompanive të konstruksionit zotërohen nga gratë në Shqipëri, ndërsa tenderët e infrastrukturës në bashkitë zënë peshën më të madhe të kontratave të lidhura.

Aranita Brahaj, drejtoreshë e Open Data Albania tha se fakti që bizneset e zotëruara/në bashkëpronësi nga gratë janë kryesisht persona fizikë dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, kjo nënkupton se bizneset janë subjekte të vogla dhe jo shumë të mbrojtura në ekonomi – krahasuar me bizneset më të mëdha të drejtuara nga burrat që marrin tenderë me vlerë më të madhe.

Bashkitë Fushë Arrëz, Tepelenë, Mat, Poliçan, Bulqizë, Librazhd, Libohovë, Devoll nuk kanë asnjë kontratë të lidhur me subjekte biznesi të kanë pronare gra.

Ekspertët theksuan se konteksti gjinor i të dhënave reflekton situatën e përgjithshme në Shqipëri, ku gratë përballen me diskriminim gjinor. Ata gjithashtu sqaruan se të dhënat paraprake të raportimit duhet të merren në kontekstin e realitetit shqiptar, ku në disa raste gratë përdoren si fasadë e pronarit të vërtetë të një biznesi, i cili mund të ketë konflikt interesi.

“[Raporti] rrit transparencën për kontratat e shërbimeve publike me bizneset dhe na jep të gjithëve mundësinë të shikojmë llogaridhënien në nivel vendor,” tha në prezantim Valbona Kuko, drejtore ekzekutive e Lëviz Albania, ndërsa shtoi se vëzhgimi i tenderëve në lupën gjinore ndihmon në kthimin e barazisë gjinore në zbatim në realitet përtej shkresave.

“Kontratat Publike të Bashkive me Biznese të Drejtuara apo Zotëruara nga Gratë” është pjesë e projektit Monitoro Klientë të Bashkive në Kontrata Publike, projekti i financuar nga Lëviz Albania Demokracia Vendore në Veprim dhe i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.