Vendosja e taksës për rrugën Durrës-Kukës ka ngjallur një reagim të ashpër publik, në rrjetet sociale e më gjerë. Jo vetëm se ndodh për herë të parë që të paguajmë për ta përdorur një rrugë, por më shumë për faktin, se shqiptarët e kanë paguar tre herë deri më tani rrugën e Kombit.  Taksa e mirëmbajtjes që do t’i paguhet koncensiopnarit për 30 vjet është hera e katërt. Një autostradë e përdorur politikisht nga të dy forcat kryesore dhe që i ka fillesat shumë më herët sesa periudha, kur nisi të ndërtohej.
Cfarë ka ndodhur në vite?
Për herë të parë për rrugën që do të shkurtonte lidhjen mes Shqipërisë dhe Kosovës u fol në vitin 1999. Qeveria e atëhershme e drejtuar nga Pandeli Majko vendosi një taksë, e njohur tashmë si “taksa Majko” dhe të ardhurat që do të grumbulloheshin prej saj do të shkonin për ndërtimin e rrugës. Një taksë mjaft e debatueshme, pasi ende nuk dihet se ku shkuan paratë që u mblodhën. Në vitin 2003, Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon tashmë autostrada Durrës-Kukës-Morinë. Një vit më pas, ish-qeveria socialiste vendosi transferimin e taksës së përkohshme ‘Majko” në dy taksa të tjera, duke e menduar si zgjidhjen më të mirë, për të zëvendësuar plotësisht të ardhurat e munguara nga heqja e taksës me destinacion. Qeveria demokratike, atëherë në opozitë, deklaroi  se arsyeja e heqjes së taksës së rrugës Durrës-Kukës kishte një arsye të vetme, për të mbuluar keqpërdorimin e saj, pasi ishte përdorur për financimin e deficitit buxhetor.
Hapat konkretë për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë u hodhën pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. Në fushatën e vitit 2005, PD e cilësoi projektin e rrugës si një projekt me rëndësi të madhe. Më 10 shtator 2005, ditën e dytë të qeverisjes, Banka Botërore organizoi një aktivitet në Durrës, për koordinimin e projekteve të qeverisë dhe donatorëve. Ishin të pranishme të gjitha bankat që japin kredi të buta dhe kabineti qeveritar. Atë ditë, një sesion i veçantë iu kushtua infrastrukturës, ku qeveria i kërkoi Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë të ndihmonin në realizimin e projektit madhor Durrës-Kukës.
Në gusht të vitit 2006, u bë edhe tenderi për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rreshen Kalimash të autostradës Durrës – Kukës-Morinë. Me 14 korrik 2006, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të përdorë procedurën “Prokurim i hapur ndërkombëtar” për ndërtimin, me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Rreth dy javë më pas, më satësisht në datën 2 gusht 2006, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për listën e anëtarëve të komisionit ndërkombëtar të vlerësimit për tenderin e hapur ndërkombëtar, për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, në bazë të propozimit të konsulentit ndërkombëtar Ecorys Group (Ecorys Netherland BV). Në datën 3 gusht 2006, në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit u bë hapja zyrtare e procedurës së vlerësimit të tenderit të hapur ndërkombëtar për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Hapja e ofertave të tenderit u zhvillua para komisionit ndërkombëtar të vlerësimit të ofertave dhe në prani të konsulenteve ndërkombëtarë ECORYS Group dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve.
Shoqëritë pjesëmarrëse në këtë tender ishin: STRABAG AG Austri, BECHTEL LTD SHBA, AL KHARAFI GROUP Kuvajt dhe KONSTRUKTOR Kroaci. Në datën 4 gusht 2006, Komisioni deklaroi fituesin kompaninë Bechtel and ENKA.
Në 27 shtator 2006, Qeveria shqiptare nënshkroi kontratën me kompaninë Bechtel & Enka për të nisur punimet e ndërtimit të kësaj vepre madhore. Në muajin shkurt u realizua shpërthimi i parë në tunelin e Kalimashit. Më 25 qershor 2009, u hap edhe galeria veriore e këtij tuneli, për t’u mbyllur sërish në muajin tetor, për shkak të disa shembjeve që përbënin rrezik për udhëtarët.  Në 21 maj 2010, qeveria  hapi galerinë jugore të tuneli të Kalimashit, për të arritur në përfundimin e plotë të kësaj vepre katër muaj më vonë.
Ndërtimi i rrugës ka shkaktuar debate të shumta, për shkak të kostos së lartë. Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se rruga u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 98.7 miliardë lekë dhe ka qenë arsyeja e kapërcimit të borxhit shqiptar mbi nivelin e 60 për qind të GDP-së në periudhën 2007-2010, kur edhe u ndërtua.
Rruga paguhet për herë të katërt
Sikur të mos mjaftonte taksa Majko dhe fondet e ndërtimit të rrugës në vlerën e 98.7 miliardë lekëve, në vitin 2014 ish qeveria Berisha vendos një taksë për qarkullimin, 8 lekë mbi cdo litër karburant të shitur. Destinacioni ishte mirëmbajtja e rrugëve. Një vit më pas, pas ardhjes në pushtet, kryeministri Rama do ta rriste edhe me 10 lekë taksën e qarkullimit dhe po me 10 lekë, e njëjta taksë do të rritej sërish në vitin 2016. Pra, në harkun kohor të dy viteve, rritje me 20 lekë për litër. Kjo do të shënonte edhe herën e tretë që paguajmë për mirëmbajtjen, edhe pse fondi ka si destinacion të gjitha rrugët dhe jo vetëm atë të Kombit.
Tani e po paguajmë për herë të katërt. Një rrugë që më shumë se politike, duhet të ishte ekonomike!
 
 
HISTORIA E RRUGËS SË KOMBIT
1999– Qeveria “Majko” vendosi një taksë për ndërtimin e rrugës
2003– Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit të rrugës
2004– Ish-qeveria socialiste transferon taksën “Majko” në dy taksa të tjera
2005– Në fushatë, PD e cilësoi rrugën, si një projekt me rëndësi të madhe
2006– Qeveria Berisha hap tenderin ndërkombëtar për ndërtimin e rrugës
Shtator 2006- Qeveria nënshkruan kontratën me kompaninë Bechtel & Enka
Shkurt 2007 – Realizohet shpërthimi i parë në tunelin e Kalimashit
2010 – Përfundon ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës