Në Qershor të vitit 2014, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Prej thuajse 9 vitesh, Tirana është në pritje të nisjes së bisedimeve për çeljen e negociatave me BE-në.

Një ‘parashikim’ i Open Data ka analizuar disa skenarë të ndryshëm të cilët tregojnë se kur Shqipëria do të arrijë nivelin mesatar të të ardhurave për frymë të Bashkimit Evropian.

Për të bërë një parashikim të tillë, Open Data ka bërë një vlerësim të ecurisë së rritjes së të ardhurave për frymë ndër vite, duke filluar nga viti 2000 deri në vitin 2020, dhe duke marrë për bazë po të njëjtin tregues edhe për mesataren e BE-së.

Në periudhën kohore 2000-2020 Shqipëria ka shënuar rritje me bazë vjetore të ardhurave për frymë, mesatarisht 4.3 % në vit. Kjo rritje është e lartë në vende si Shqipëria, vende që vijnë nga tranzicioni dhe situata ekonomike me nivele të ulëta. I njëjti tregues për mesataren e BE-së është 1.01%.

Nëse ecim duke konsideruar rritjen vjetore në disa vite dhe duke projektuar ecurinë në kohë, nxjerrim edhe një rezultat se në cilin vit Shqipëria mund të arrijë në nivelin e të ardhurave për frymë të barabartë me mesataren e  vendeve BE.

Skenari për të parashikuar një datë, është ndërtuar mbi bazën e rritjes mesatare vjetore për 21 vite.

Për të nxjerrë skenarin optimist, janë vlerësuar vitet para-krizës 2008 (2000-2008, 9 vite). Gjithashtu është ndërtuar edhe skenari pesimist, ai i rritjes së ngadaltë ekonomike, dhe janë përfshirë vitet pasi kriza është kaluar tërësisht (2014-2020, 7 vite).

Duke ndërtuar skenarin optimist, tregohet se Shqipëria do të përafrojë nivelin e të ardhurave të saj për frymë, me nivelin mesatar të BE-së në vitin 2060. Niveli i të ardhurave për frymë të Shqipërisë dhe i mesatares së BE, në pikën e konvergjencës do të jetë 73 311 dollarë.

Me skenarin bazë, na rezulton se Shqipëria do të arrijë mesataren e të ardhurave për frymë të BE, në vitin 2078, me nivelin e të ardhurave 61 195 $/frymë. Për skenarin bazë kemi marrë si bazë analizuese mesataren e rritjes së të ardhurave për frymë për vitet 2000 – 2020.

Skenari pesimist merr për bazë vitet e pas krizës ekonomike të 2008-ës, krizë me më shumë efekte në ekonomi të zhvilluara. Sipas këtij skenari, konvergjenca do të arrihet në vitin 2154, me një nivel të ardhurash prej 96 556 USD për frymë.

Të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri në vitin 2020 ishin 6.5 herë më të ulëta se Mesatarja për vendet anëtare të BE. Në këtë projeksion mbi kohën që i duhet vendit tonë të arrijë nivelin evropian nuk parashikohen efekte të cilat mund të vijnë për shkaqe që lidhen me kriza ekonomike apo faktorë të tjerë që ndikojnë ekonomitë.

Linku i Artikulli: https://politiko.al/e-tjera/parashikimet-2060-viti-kur-shqiperia-mund-te-arrije-mesataren-e-te-ardhu-i456399