Open Data Albania po publikon të dhëna mbi vlerën e Kapitalit të Legalizuarpërmes iniciativës së Qeverisë Shqiptare për amnisti apo legalizim kapitali në vitit 2011, konkretisht  Ligjit nr 10418/2011 Për legalizimin e Kapitalit dhe Faljen e një pjese te Borxhit Tatimor dhe Doganor.Gjatë dy dekadave të fundit, në Shqipëri ka pasur disa Ligje që mundësojnë falje fiskale. Amnistia fiskale e parë u propozua në Prill 2011, pas krizës financiare botërore të vitit 2008. Deklarimi vullnetar i pasurisë (DVP) ishte thelbi i programit të propozuar, në mënyrë që të shmangej evazioni fiskal në të ardhmen, dhe synonte legalizimin e pasurive dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor, ku përfshiheshin detyrimet tatimore të papaguara të individëve deri më 31 Dhjetor 2010. Pritjet e qeverisë ishin shumë të larta, por propozimi për amnisti të përgjithshme fiskale dhe penale nuk gjeti përkrahjen e opozitës dhe programi u miratua si një praktikë ligjore alternative për legalizimin e kapitaleve dhe faljen e një pjese të borxhit fiskal. Miratimi i ligjit u bë me shumicë të thjeshtë votash, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe pa dakordësinë e opozitës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për monitorimin e Buxhetit, gjatë periudhës 5-mujore Tetor 2011 – Shkurt 2012, shuma e kapitaleve të legalizuara shënoi 270 miliardë lekë (rreth 2 miliard euro). Këto janë kryesisht rivlerësim i pasurive.  Të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit shënuan 2.85 miliardë lekë (normë mesatare tatimi prej 1.1%).Nga totali i kapitaleve te legalizuara, shuma në të holla e deklaruar rezulton të jetë rreth 4.9 miliardë lekë ose 39.5 milion euro, nga te cilat 0.5 milion euro përllogaritet të jenë transferuar jashtë Shqipërisë.



Tabela: Kapitali i Legalizuar dhe te ardhurat e arkëtuara ne zbatim te Ligjit nr 10418/2011 Për legalizimin e Kapitalit dhe Faljen e një pjese te Borxhit Tatimor dhe Doganor
Burimi: MEF Të ardhura nga legalizimi i kapitaleve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: MEF Të ardhura nga legalizimi i kapitaleve
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Subjektet që përfituan nga programi i legalizimit janë sipas disa kategorive. Konkretisht Deklarim dhe legalizim apo rivlerësim kapitali dhe detyrimesh mbi baza deklarimi vullnetar:

  1. Individët, personat fizikë/juridikë mund të deklarojnë vullnetarisht kapitalin e padeklaruar më parë, ose të deklaruar gabim, kundrejt tarifës 3 për qind të shumës totale të deklaruar.
  2. Individët që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut, kundrejt një tarife 1 për qind e diferencës në vlerë, si dhe personat juridikë, që kanë të regjistruar ne pasqyrat e tyre financiare pasuri me vlerë më të vogël se ajo e tregut, bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut kundrejt tarifave: 3 për qind të diferencës për pasuritë e paluajtshme dhe 5 për qind për makineri/pajisje.
  3. Subjektet/individët që deklarojnë vullnetarisht vlera monetare, të cilat dëshirojnë ti transferojnë jashtë shtetit përpara afatit 3-vjeçar nga data e legalizimit të tyre, u mbahet si penalitet 3 – 13 për qind e shumës së legalizuar, në varësi të periudhës së transferimit. 
  4. Tatimpaguesit që kanë deklaruar detyrim tatimor më të vogël, mund të bëjnë deklarimin vullnetar real tatimor, përpara se ndaj tyre të fillonte një kontroll i administratës tatimore.

Ndërsa sa i takon Falje e detyrimeve tatimore, doganore dhe të tjera detyrime të mbartura ndër vite: Falje e plotë ose pjesshme e detyrimeve tatimore dhe doganore, të individëve dhe personave fizikë të regjistruar si biznes i vogël, apo subjekt i TVSH-së, të mbetura të papaguara, sipas kushte dhe afateve kohore të përcaktuara në këtë ligj.  Falje e plotë ose pjesshme e gjobave dhe kamatëvonesave të papaguara për të gjithë debitorët ndaj administratës tatimore dhe doganore, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara. Falje e plotë/pjesshme e detyrimeve të tatimpaguesve të vetëpunësuar, përfshirë bujqësinë, të detyrimeve të papaguara që lidhen me kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për veten e tyre, sipas periudhave kohore të përcaktuar në këtë ligj.  Falje e plotë/pjesshme e detyrimeve të prapambetura të pronarëve të mjeteve për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, sipas periudhave që kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë automjete dhe nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore.  Falje e gjobave të papaguara nga drejtuesit e mjeteve apo pronarët e tyre, të vëna nga inspektorët e kontrollit rrugor deri në datën 31 dhjetor 2010.  Falje e plote/pjesshme e detyrimeve të prapambetura për energjinë elektrike dhe konsumin e ujit, sipas periudhës se lindjes së detyrimit, për të gjithë debitorët familjarë, si dhe  kamatëvonesat e përllogaritura nga mos pagesa e faturave, përfshire grupet në nevojë.  Falje e detyrimeve të papaguara të tatimpaguesve nga veprimet me të ardhurat jo tatimore, si pullë akcize, mos pagesat për arka regjistruese, certifikata tatimore, shtypshkrime, etj.

Subjekte të përjashtuara: Nga falja e detyrimeve tatimore e doganore përjashtohen zyrtarët që kanë detyrimin për deklarim të pasurisë, si dhe personat juridikë, në të cilët këta zyrtarë kanë aksione apo kuota kapitali.

Iniciativa Ligjore për Amnisti fiskale dhe penale e prezantuar për Konsultim Publik nga Ministria e Financave pritet të marrë vlerësim në Sesionin Kuvendor që fillon shtator 2022. Më shumë detaje për këtë Amnisti të mundshme kome te, konkluzione analizë dhe rekomandime janë publikuar në rubrikën Publikime web-faqe e AIS promotor i Open Data Albania.

Shkarko excel: Kapitali i Legalizuar dhe të ardhurat e arkëtuara Amnisti 2011 përmes Ligjit nr 10418/2011 Për legalizimin e Kapitalit dhe Faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Elivar Golemi