Open Data Albania ka zbardhur Pasuritë Shtetërore nën administrim të Njësive të Qeverisjes Vendore të dhëna me qira nëpërmjet Ankandit Publik për periudhën 2015 – 2024. Në artikull evidentohen Bashkitë që kanë dhënë sipërfaqe toke me qira, lloji i aktivitetit të ushtruar në këto pasuri dhe kompanitë qiramarrëse. Të dhënat janë marrë nga databaza Open Procurement Albania – webfaqe me të dhëna mbi tenderët dhe kontratat publike, të cilat kërkojnë aplikimin e procedurës konkurrimit publik.
Ankandet Publike zhvillohen në përputhje me Ligjin Nr. 9874, datë 14.02.2008, “Për Ankandin Publik”, i ndryshuar, i cili përcakton rregullat dhe procedurat për shitjen apo dhënien me qira të pasurive shtetërore përmes ankandit. Ndërkohë, dhënia me qira e pasurive shtetërore rregullohet nga VKM Nr. 54, datë 05.02.2014, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”. Procesi i dhënies me qira njoftohet përmes publikimit në Buletinin e Njoftimeve Publike.
Në harkun kohor 2015 – 2024, bashkitë kanë shpallur 750 procedura për dhënie me qira të pasurive publike nëpërmjet Ankandit Publik dhe Ofertave të Qirave. Nga totali i procedurave të shpallura, 19.2% e tyre apo 144 procedura janë anulluar të paktën 1 (një) herë, prej të cilave 67 procedura janë finalizuar me fitues. Të dhënat në openprocurement.al tregojnë që janë rreth 6 350 hektarë tokë pasuri shtetërore të dhëna me qira nga bashkitë (finalizuar me fitues). Viti 2024 rezulton viti me vlerë më të lartë të dhënë me qira, konkretisht rreth 2 325 hektarë përmes 53 procedurave.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Ndër aktivitetet ekonomike, energjia e rinovueshme zë pjesën më të madhe të pasurisë shtetërore të dhënë me qira. Në total, 3 750 hektarë tokë publike rezultojnë të dhëna me qira për zhvillimin ekonomik në fushën e energjisë së rinovueshme. Vitet 2023 dhe 2024 përbëjnë periudhën me sipërfaqet më të mëdha të dhëna për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, përkatësisht 1 127.9 hektarë në vitin 2023 dhe 2 291.6 hektarë në vitin 2024.
Aktiviteti i dytë për nga sipërfaqja e tokës publike të dhënë me qira është agropylltaria dhe mbarështimi i florës/faunës së egër, me rreth 2 120 hektarë në total. Viti me sipërfaqen më të madhe të dhënë për këtë qëllim është 2020, me 531 hektarë tokë të dhënë me qira.
Lista vijon me bujqësinë dhe blegtorinë, rreth 212 hektarë tokë publike të dhënë me qira, si dhe me veprimtaritë turistike dhe rekreative, që zënë 207 hektarë. Aktivitetet e tjera zënë një peshë më të vogël, përfshirë industrinë dhe prodhimin me rreth 24 hektarë, ku hyjnë aktivitete si përpunimi i materialeve të ndryshme industriale, etj. Për shërbime dhe veprimtari ekonomike (bar-kafe, fast food, aktivitet fason, etj.) janë dhënë 15 hektarë, ndërsa për përmirësim të infrastrukturës, ku përfshihen rrugë, depo ose objekte ndihmëse, janë dhënë rreth 4 hektarë. Për akuakulturë janë dhënë rreth 1.7 hektarë tokë publike me qira, etj.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Në total, rezultojnë të kenë dhënë pasuri publike me qira 41 bashki. Bashkia Poliçan (përmes ankandeve & qiradhënie) renditet e para, me rreth 1 672 hektarë tokë të dhënë me qira – 98% e së cilës për energji të rinovueshme. Në vend të dytë qëndron Bashkia Krujë (ankand & qiradhënie) me 885 hektarë, nga të cilat 98.5% janë dhënë për agropylltari dhe mbarështimin e florës/faunës së egër. Bashkia Elbasan pozicionohet e treta, me gjithsej 730 hektarë tokë të dhënë me qira (ankand & qiradhënie) gjatë dhjetë viteve të fundit, ku 58.7% (428 ha) janë për energji të rinovueshme dhe 38% (277 ha) për agropylltari.
Më tej renditet Bashkia Kolonjë me 656 hektarë tokë të dhënë me qira – rreth 90% për energji të rinovueshme. Pas kësaj, Bashkia Devoll ka dhënë 414.5 hektarë tokë, të gjitha për qëllime të lidhura me energjinë e rinovueshme. Në total pesë bashkitë e para për nga sipërfaqja e dhënë me qira përbëjnë rreth 60% të gjithë sipërfaqes të dhënë nga bashkitë në shkallë vendi.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Operatori ekonomik që ka përfituar më shumë sipërfaqe është “Delvina Solar” shpk, me 1 157 hektarë përmes një procedure me Bashkinë Poliçan për vendosje të stacioneve me bazamenteve për panele fotovoltaike, me qëllim prodhimin e energjisë. Në vend të dytë renditet shoqëria AlbKalustyan, e cila është shpallur fituese në katër procedura (sipërfaqe totale 1 008) ha për mbledhjen e degëve të Mërsinës, me afat 1 vit secila kontratë. Tre procedura qiradhënie janë nga Bashkia Krujë dhe një nga Bashkia Durrës.
X One shpk pozicionohet në vend të tretë, me 401 hektarë të fituara përmes dy procedurave me Bashkinë Poliçan, njëra 60 hektarë dhe tjetra për 341 hektarë, për vendosjen e stacioneve për panele fotovoltaike me qëllim prodhimin e energjisë. Eco Group – Tomorrica vjen pas me 211 hektarë të fituara përmes dy procedurave të zhvilluara me Bashkinë Skrapar. Mbyll renditjen e pesë kontraktorëve që kanë marrë më shumë pasuri publike me qira Kronos Konstruksion, me rreth 195 hektarë tokë, nëpërmjet një kontrate me Bashkinë Devoll.
Në total rezultojnë 409 operator ekonomik që kanë marrë me qira pasuri publike nën administrim të bashkive, në harkun kohor 2015 – 2024.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nëse shqyrtojmë ndarjen e kontraktorëve sipas bashkive, shohim se Bashkia Cërrik është ajo që ka numrin më të lartë të kontraktorëve, me gjithsej 84 kontraktorë unik, e ndjekur nga Bashkia Librazhd me 62 kontraktorë.
Ndërkohë, Bashkia Poliçan, e cila ka dhënë më shumë sipërfaqe toke, ka lidhur kontrata me 11 operatorë ekonomikë, ku 6 prej tyre janë bashkim operatorësh që kanë fituar procedurën e qiradhënies për një total prej 63.975 hektarësh, për vendosjen e stacioneve për prodhimin e energjisë.
Burimi: Open Procurement Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Nga 476 procedura të finalizuar me fitues, 57% ose 272 procedura kanë pasur ofertë të shpallur fituese të barabartë me çmimin dysheme të vendosur nga bashkia. Po ashtu, kur shohim nivelin e konkurrueshmërisë, në 96% të rasteve, procedurat e qiradhënies që kanë shpallur fituesin kanë pasur vetëm një ofertues.
Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin info@ais.alKomente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: P. Nikolli, L. Kanani, B. Tota, E. Vukaj, L. Hasa