Produkti i Brendshem Bruto (PBB) është një tregues i vlerës së tregut të të gjitha të mirave dhe shërbimeve përfundimtare të prodhuara në një ekonomi. PBB perfshin gjithë prodhimet e shërbimet aktuale të destinuara për treg si dhe ato të prodhuara për konsum për vete nga të gjitha njësitë rezidente që veprojnë në territorin e një shteti.
PBB e matur me çmimet korrente (aktuale) quhet PBB Nominal, ndërkohë që PBB e matur duke fiksuar çmimet e një viti të caktuar quhet PBB me çmime konstante (bazë). Duke qënë se PBB me çmime konstante eleminon efektin e inflacionit, rritja e këtij treguesi është një indikator më i saktë i rritjes reale të një ekonomie.
Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi ndryshimin e PBB gjatë 2010 (deri në tremujorin e tretë), bazuar në të dhënat e INSTAT. PBB është matur me çmimet konstante të vitit 2005.
Në tremujorin e tretë të vitit 2010, ekonomia u rrit me 4.94% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2009. Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009 ishin: industria (18%), transporti (12.9%), shërbimet e tjera (12%), tregtia (8.1%) dhe bujqësia (7.6%). Degët që u paraqitën me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin ndërtimi (-22%) dhe post komunikacioni (-7.9%).
Rritja e PBB sipas degëve të ekonomisë krahasuar me një vit më parë paraqitet sipas grafikut:
Burimi: INSTAT
Komentet dhe Analiza: ODA
Burimi: INSTAT
Komentet dhe Analiza: ODA
Kontribuoi: R.E