2009, të ardhurat për frymë u ulën 8%

Statistikat pergenjeshtrojne Berishen e INSTAT-in

Sipas një studimi të shoqatës “Open Data Albania“, brenda një viti, vendi ynë ka humbur 8 pikë përqindjeje në një ndër treguesit më domethënës ekonomikë e socialë të një vendi, Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë të popullsisë. Një nga treguesit e pasurisë së individëve të një vendi është Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, i cili matet si raporti i PBB me numrin e popullsisë totale të atij vendi. “Open Data Albania” ka kryer një hulumtim mbi PBB për frymë të Shqipërisë, krahasuar me vendet e rajonit, bazuar në të dhënat e siguruara nga Banka Botërore.

Për t’i bërë të krahasueshme të dhënat me vendet e tjera, PBB për frymë është konvertuar në dollarë amerikanë, bazuar në kursin aktual të këmbimit.Sikurse mund të shikohet nga grafiku, Shqipëria pozicionohet në vendin e parafundit në rajon me një PBB për frymë prej 3.808 USD (e ndjekur nga Kosova me 2.984 USD). Ndërkohë, në vend të parë renditet Greqia (29.240 USD), e ndjekur nga Kroacia (14.222 USD), Turqia (8.215 USD), Mali i Zi (6.635 USD), Serbia (5.872 USD) dhe Maqedonia (4.514 USD).

Nga grafiku, bien në sy disa tipare kryesore. Së pari, ritmi i rritjes së këtij treguesi. Greqia, për shembull, gjithnjë po të merret periudha nga viti 2000 e këtej, ka një ritëm të mirë rritjeje, duke arritur ta trefishojë rezultatin. Por, Serbia ka pasur rezultat më të mirë, me shtatëfishim. Po kështu, ritëm të ndjeshëm në rritje ka pasur edhe Kroacia, por edhe Turqia.

Vendet e tjera duket se “rrotullohen” rreth të njëjtave shifra, ndonëse rritje ka, por ajo nuk është kaq evidente sa në rastin e vendeve të tjera. Në fakt, Shqipëria, për një moment ka arritur gati në katërfishim, por nisja ka qenë nga nivele kaq të ulëta, saqë kjo rritje përsëri na ka lënë në nivele të ulëta të ardhurash, ndërkohë që fqinjin tonë jugor e ka çuar në “majat”.

Ajo që bie në sy në këtë parashtrim statistikor është edhe një fakt, tashmë evident, që dëshmon për prekjen e vendit nga kriza. Në një kohë, kur pretendohet se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë në shifra 4, 5 apo 6 për qind dhe rritja e popullsisë nuk ka qenë me ritme afrikane apo aziatike, si mund të shpjegohet që, jo vetëm ka ulje në këtë tregues bazik të ekonomisë së një vendi, por, madje, kjo ulje të jetë në nivelin e 8 përqindëve?Sipas tabelës, së përgatitur nga “Open Data“, në vitin 2008 Shqipëria ka kapur rezultatin e 4.126 dollarëve amerikanë për frymë të popullsisë, por një vit më pas është ulur në nivelin e 3.808 dollarëve. Diferenca është e ndjeshme.

Në prill të vitit të kaluar, INSTAT-i deklaronte se “viti 2009, mbështetur mbi informacionet tremujore, shënoi një rritje prej 3.3 për qind, krahasuar me vitin 2008”. Kjo shifër, madje, u pretendua edhe më e lartë nga kryeministri apo ministri i Financave. Në këto kushte, shpjegimi bindës do të ishte vetëm pakësimi i popullsisë shqiptare, por një gjë e tillë nuk duket se ka ndodhur, të paktën në atë masë sa të ndikonte ndjeshëm në rënien në këtë masë të PBB-së/frymë.

Shpjegimi i vetëm është ai se kriza në vend ka qenë e ndjeshme, shumë më tepër nga ajo që pretendohet prej institucioneve, që janë kthyer në qendra propagandistike. Shqiptarët janë varfëruar si pasojë e kësaj krize, për më tepër edhe në kushtet kur kanë më pak të ardhura nga emigracioni.