Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi kreditë (huatë) e këqija të sistemit bankar në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë.

Kreditë klasifikohen si të këqija kur bankat kanë vështirësi në mbledhjen e tyre. Ato kategorizohen në disa mënyra në varësi të shkallës së problematikës që paraqesin:

Kredi standarde quhen kreditë e rregullta, dhe që nuk kanë asnjë problematikë në afatin dhe shumën e shlyerjes;

Kredi në ndjekje quhen kreditë që paraqesin shenjat e para të vonesave në shlyerje dhe janë nën mbikëqyrje nga ana e bankës, por që nuk janë klasifikuar ende si kredi problematike;

Kredi nënstandarde quhen kreditë të cilat nuk klasifikohen si kredi standarde, për shkak të vonesave në shlyerjen e tyre dhe klasifikohen si kredi problematike;

Kredi të dyshimta, quhen kreditë të cilat kanë vonesa të theksuara në shlyerjen e tyre, por banka ka akoma shpresë në mbledhjen e tyre dhe klasifikohen si kredi problematike;

Kredi të humbura, quhen kreditë të cilat nuk mund të mblidhen më nga ana e bankës dhe klasifikohen si kredi problematike.

     

Grafikisht, pesha e kredive sipas kategorive të mësipërme ka ndryshuar si më poshtë (treguesit janë në bazë vjetore):

 

Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Sikurse mund të shihet edhe nga grafiku, pesha e kredive problematike dhe atyre në ndjekje kundrejt totalit të kredive ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit. Totali i kredive problematike (ku janë përfshirë kreditë nënstandarde, kreditë e dyshimta dhe kreditë e humbura) kanë ndryshuar sipas grafikut:

 

Burimi: Banka e Shqipërisë
Komentet dhe Analiza: ODA

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010, totali i kredive problematike të sistemit bankar ishte 13.5%, të ndara në kredi nënstandade (5.84%), kredi të dyshimta (3.79%) dhe kredi të humbura (3.88%). 

Ritmi i rritjes së peshës së kredive problematike ndaj totalit të kredive, është shqetësues, pasi tregon rritjen e qartë të vështirësisë paguese të bizneseve dhe individëve, dhe rrit rrezikun e përgjithshëm të sistemit.