Vendosja e Bashkëpunimit me përfaqësues të Medias, Prezantime
Bashkëpunimi dhe koordinimi me qëllim përdorimin e Open Data Albania nga përfaqësues te medias, është zhvilluar në mënyre te vijueshme duke synuar prezantimin e ODA tek gazetarët dhe përdorimin e të dhënave, artikujve hulumtues, metodologjisë dhe ideologjisë së punës së ODA në pasqyrime mediatike. Për këtë qëllim janë mbajtur në fokus:
–    gazetarë të shtypit të shkruar të përditshëm dhe periodik ;
–    reporterë të  edicione informative televizive e radiofonike;
–    gazetare edhe redaktore te portaleve informative
–    moderator të programeve me tematikë aktualitet, debat dhe emisione mbi tema me problematikë të caktuar;
Për të përzgjedhur grupin e gazetarëve  për prezantim e ODA janë përdorur dhe kombinuar dy mundësi:
–    ne fillim janë përzgjedhur gazetarë të rubrikave Ekonomi dhe Aktualitet duke i ftuar të jenë pjesë e bashkepunimit.
–    me pas, me prezantimet e para në media është rritur edhe interesi dhe kuriozitetit i gazetarëve për të njohur dhe përdorur këtë metodologji. Kështu në çdo rast është krijuar mundësia e trajnimeve të shpeshta edhe individuale sipas interesit. Për ketë grup trajnimesh është treguar eficent stafi i ODA duke vepruar në mënyre dinamike e duke realizuar procesin trajnues në ambientet ku punon ky staf zyra të ShqiperiaCom. Kjo e ka bere edhe më praktik trajnimin dhe njohjen e metodës së punës në ODA. Këto bashkëpunime me kërkesë të gazetarit kanë rezultuar edhe me produktive duke u bazuar tek interesi dhe motivimi reciprok i gazetarëve dhe stafi i ODA.
–    Po sipas kësaj metodologjie, pra duke shprehur interes pas prezantimit të ODA nëpërmjet shtypit janë ofruar për të njohur dhe mësuar mbi aksesimin dhe përdorimin e ODA edhe disa punonjës të marrëdhënieve me publikun në Institucione Publike. Pa ndonjë angazhim apo organzimi zyrtar prezantime ne formë trajnuese janë realizuar edhe me ketë kategori shumë të rëndësishme për marrëdhëniet me publikun.

Partnerë të ODA në prezantim të ideologjisë “Të dhëna të hapura për Shqipërinë
Gazetarë të shtypit të shkruar dhe medias elektronike që punojnë në Tiranë. Kështu është prezantuar me metodologjinë, ideologjinë dhe tërësinë e artikujve dhe indikatorëve të ODA, nëpërmjet takimeve (në grup dhe individuale) një numër rreth 50 gazetarë të azhornuar me informimin e përditshëm të publikut, si dhe 25 studentë të Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit. Në grupin e gazetarëve të përzgjedhur apo të ofruar për trajnim është treguar vëmendja e duhur për të pasur një shtrirje në të gjitha entet mediatike: tv, radio, portale informative, gazeta dhe revista. Megjithë kohën e kufizuar të përfaqësuesve të medias, është siguruar interesi i tyre dhe është përshtatur metoda e trajnimit sipas interesit dhe nevojës për përdorim të secilit grup.
Gjithashtu në fokus kanë qenë edhe gazetar të rinj dhe studentë të Gazetarisë në kohën e praktikave universitare të cilët janë konsideruar si një grup i rëndësishëm për impaktin e metodologjisë së ODA për transparencë dhe informacion të mbështetur në statistika.

Objekt i komunikimit me përfaqësues të medias
Komunikimi  është fokusuar në:
a.    prezantim me adresën elektronike të ODA dhe Rubrikat përkatëse;
b.    prezantim i ideologjisë së ODA si ideologji për transparencë, inovacion dhe dobishmëri;
c.    prezantimi i artikujve hulumtues dhe indikatorëve të pasqyruar në ODA, njohje me formatin e artikullit hulumtues si artikull i kompletuar me tregues në shifra, ikona vizualizuese dhe narracion të thjeshtë mbi definicione për indikatorin, metodën e përdorimit, burimin parësorë dhe trendin apo pikën kulminante të një zhvillimi;
d.    ftesë për aksesim të lirë të materialeve të ODA me kërkesën për të respektuar detyrimin etik të citimit me korrektësi;
e.    njohuri mbi mënyrën e përdorimit të ODA dhe kërkimit të artikujve sipas interesit dhe tematikës;
f.    përdorimi i ODA për prezantime mediatike, debate dhe komunikim në publik;
g.    etj sipas specifikës së pjesëmarrësve në çdo trajnim.

Dobishmëria
Në përfundim të fazës gjashtëmujore mund të themi që ODA jo vetëm është bërë e njohur për një numër të madh gazetarësh që punojnë në mediat kryesore, por nëpërmjet gazetarëve është bërë një punë e mirë për prezantimin e ODA me gjerë tek publiku në përgjithësi dhe tek disa grupe profesionistësh në veçanti. Gjithashtu këto trajnime kanë bërë të mundur që artikuj të ODA dhe indikatorë të botuar në portalin tonë të citohen dhe pasqyrohen në faqet kryesore të gazetave me më tirazh në vend. Gjithashtu artikujt indikatorë të ODA dhe vizualizimet e pasqyruara në webin tonë janë përcjellë edhe në dhjetëra kronika televizive dhe radiofonike në mediat kombëtare dhe lokale, sikurse në disa televizione me format të veçantë informativ. Një pjesë e tyre janë të pasqyruara në web tek rubrika: Media, nën rubrika: Open Data Albania në Shtyp .

ODA dhe artikujt e saj hulumtues janë cituar në faqet e para të gazetave dhe në headlines të edicioneve informative. Tematika e artikujve ka qenë e gjerë si: ekonomi; financë publike; arsim; demografi; shëndetësi; shkencë dhe teknologji; inovacion e deri tek tema si kriminologji apo mjedis. Artikujt në media janë të ndarë në dy grupe: 1. Artikuj Informues; 2. Artikuj problematik. Përveç medias dhe shtypit gjenerues ODA është cituar dhe publikuar edhe në organe mediatike që veprojnë pranë partive politike apo grupeve të interesit si shoqata apo rrjete profesionistësh. Interesi i Medias për ODA si një burim informacioni konstatohet që është në rritje. Kërkesa për bashkëpunim dhe njohje të gjerë të artikujve dhe tematikave të ODA është gjithashtu e kënaqshme.

Përveç gazetarëve në vend interes dhe publikime mbi ODA kanë realizuar edhe disa ente mediatike të rëndësishme në Kosovë dhe Maqedoni. Shumë prej gazetarëve që veprojnë në këto vende e shohin me interes dhe vlerësim kontributin e ODA për transparencë dhe inovacion duke e theksuar si model të nevojshëm edhe për vendet e tyre. Gjithashtu me interes janë parë disa artikuj hulumtim ku duke krahasuar tregues të Shqipërisë me vende të Ballkanit janë realizuar analiza dhe hulumtime me objekt tregues ekonomik dhe shoqërorë edhe për vendet e tyre (Kosovë dhe Maqedoni).



Pritshmëria
Nëpërmjet bashkëpunimit të vendosur me media synohet që analiza e mbështetur në të dhëna të kthehet në një model për shtypin dhe median shqiptare e më gjerë edhe për shoqërinë. Impakti në media siguron impakt të gjerë publik të projektit dhe vëmendje nga ODA.

Synimi
Të vijojë koordinimi me median dhe pasqyrimi i gjerë mediatik i hulumtimeve të ODA. Përdorimi i hulumtimeve të ODA si bazë në debate publike mediatike mbi politikbërje apo fenomene të ndryshme sociale në Shqipëri. Krijimi i kushteve maksimale për askes në web dhe koordinim të interesit të publikut për të dhëna me linjën editoriale të ODA. Komunikim me përfaqësues të medias mbi ruajtjen bashkëpunimit dhe koordinim pune për askes sa më të gjerë të ODA tek publiku.

Qershor 2011