Aktualisht në vendin tonë ka më pak institucione shëndetësore të shërbimit parësor se në vitin 1993. Sipas një raporti hulumtues të bërë nga “Open data” rezulton se nëse në vitin 1993 kishim në total 3022 institucione shëndetësore, ku përfshihen qendrat shëndetësore, ambulancat e lagjeve dhe poliklinikat, në vitin 2008 numërohen vetëm 2503 të tilla. Pra në të gjithë vendin, shqiptarët kanë rreth 500 institucione të shëndetit parësor më pak, se ku ata mund të drejtohen për të marrë shërbimin e parë. 
Nga të dhënat që na jep “Open Data“, vihet re se në fakt kemi pasur një ulje drastike të këtyre institucioneve deri në vitin 2002, ku numri i tyre është përgjysmuar thuajse duke e çuar në vetëm 1996 institucione të kujdesit parësor, ndërsa pas këtij viti, Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ka ndryshuar politikën e saj, duke rihapur sërish disa qendra shëndetësore. Në vitin 2008 kuy numër në total ka shkuar në 2503 të tilla. 
Por problemi nuk është vetëm numri i pakët i këtyre qendrave shëndetësore që ofrojnë shërbim në të gjithë vendin. Problemi kryesor mbetet ai i mungesës së personelit mjekësor të specializuar në zonat e thella, pasi bluzat e bardha refuzojnë të shkojnë. Megjithëse ISKSH ka ndjekur një politikë të diferenceuar për këtë kategori, duke i stimuluar me paga të larta, sërish numri i atyre që pranojnë të shërbejnë në zonat e thella është i vogël.