Në treg së pari nafta e Albpetrolit, që mund të sjellë deri në 400 milionw euro. Blerës kërkohen edhe për INSIG. Rreth 150 milionw euro pritet të sjellin 4 hidrocentralet e mesëm tashmë në shitje. Po tjetër?
Kriza ekonomike i ka pakësuar mundësitë financiare dhe shitja e pronave shtetërore po shikohet si një varkë shpëtimi. Në fakt kjo për financat shqiptare nuk është diçka e re. Në një punim të publikuar në mes të dhjetorit tre ekspertë të FMN kanë vlerësuar se edhe gjatë 2010 e 2011 financat shqiptare u shpëtuan nga privatizimet. Në punimin “Impakti i krizës globale në Europën Juglindore”, kur flitet për vendin tonë, ekspertët shkruajnë se “Shqipëria u tregua e aftë të mundësonte një stimul fiskal të lirë jo-të papërfillshëm (pjesërisht financuar nga privatizimet) që siguruan stabilizatorë automatikë në mbështetje të ekonomisë”. E ndërgjegjshme për këtë, Ministria e Financave në buxhetin 2012 parashikon që të ardhurat jotatimore, ku futen edhe privatizimet, të jenë 20.6 miliard lekë ose sa 1.5 për qind e PBB. Vetëm nga privatizimet parashikohen rreth 12.4 miliard lekë, nga të cilat sipas nenit 9 të ligjit të buxhetit për mbulimin e borxhit publik “300 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit”. Ajo që shkruhet tek financat përgatitet tek Ministria e Ekomomisë. Ministri Nasip Naço deklaron se nga 1280 objekte, 280 janë dërguar për shitje në Ministrinë e Financave. Sipas tij janë 141 dosje vlerësimi me rreth 280 objekte dhe që kapin një vlerë prej 5.36 miliardë lekë. Veç tyre sipas zotit Naço, METE ka urdhëruar ngritjen e komisioneve të vlerësimit edhe për 455 objekte të tjera e ndërkohë ka në procedurë verifikimi dhe pritet miratimi i privatizimit edhe për rreth 485 objekte. 
E para nafta 
Nafta pse të mos jetë një burim të ardhurash për buxhetin. Shitja e Albpetrolit e përgatitur mes zhurmës e përplasjeve politike, nëse ndodh, mund të jetë nga më të mëdhatë e privatizimeve të sektorit strategjik. Sepse naftës nuk i thonë kot ar i zi. Specialistët thanë se sipas vlerësimevë të 2008-ës, Shqipëria ka rezerva të nxjerrshme rreth 84 milionë tonë naftë. Një pjesë e madhe e tyre zotërohet nga Albpetrol. Përfaqësuesi i kompanisë Patton Boggs që ka një kontratë me qeverinë shqiptare për shitjen e Albpetolit, Xhud Kërni, deklaron se ajo “është një kompani që duhet të ngjallë një interes të konsiderueshëm në industrinë e naftës”. Së bashku me ministrinë e Ekonomisë, kjo kompani shumë e njohur sugjeroi shitjen 100 për qind të Albpetrol. Në fjalën e tij para deputetëve në seancën e miratimit të shitjes së Albpetrol në Kuvend, ministri Nasip Naço kundërshtimeve të opozitës për të mos e shitur 100 për qind kompaninë ju përgjigj me argumentin se në rastet e tjera të privatizimeve “kemi hasur probleme të shumta dhe nuk kemi arritur të marrim plotësisht dividentin”. 
Dhe ajo që shitet është vërtet shumë. Veç kësaj ministri e bën të qartë edhe arsyen e madhe të kësaj shitjeje kur thotë “Nëpërmjet këtij ligji, kërkohet që të shiten me tender të hapur ndërkombëtar për të marrë një vlerë të maksimalizuar fitimi dhe për të arkëtuar direkt në buxhetin e Shtetit, që do të përdoren për investime të rëndësishme”. Në treg janë kështu të gjitha asetet që administron Albpetrol si toka dhe çdo pus dhe objekt të trupëzuar që aktualisht është në inventar, pajisjet teknologjike të nxjerrjes dhe depozitimit të hidrokarbureve, infrastruktutra e transportimit të naftës e gazit, si dhe infrastruktura ekzistuese për transportin rrugor, linjat e transmetimit të energjisë elektrike, të ujit, makineri, pajisje të përdoruara për prodhimin e hidrokarbureve dhe për sherbimet në vendburime.
Patton Boggs ka vlerësuar se tërësia e aseteve kap vlerën e më shumë se 400 milionë dollarëve. Megjithatë vlerën fillestare të tenderit është qeveria që e shpall. Kuvendi ka dhënë miratimin. Opozita ka kundërshtuar “formulën me të cilën qeveria po shet një pasuri kombëtare strategjike për ekonominë e vendit”. Por viktima e këtij transaksioni mund të bëhen punonjësit. Albpetrol ka rreth 4 mijë punëtorë. Ministri i Ekonomisë garanton se “është parashikuar edhe se si do të bëhet trajtimi i punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, pas privatizimit të saj, me të cilët do të bëhen të gjitha marrëveshjet për kontratën kolektive të punës”. Tashmë shitja është në dorë të Patton Boggs, e cila ka bërë edhe konsulencën gjatë shitjes së ARMO-s, për të cilën mori 4 milionë dollarë. Në rastin e Albpetrol kjo kompani do të marrë 2.5 për qind të vlerës së shitjes. 
INSIG, shitje e vështirë 
Shitja e të vetmes kompani të sigurimeve me pronësi shtetërore në këtë treg ka dështuar të paktën tre herë. Por kjo nuk do të thotë aspak se ajo nuk do të shitet. Ridvan Bode, kreu i ministrisë së Financave që është pronarja e kësaj kompanie, thotë se qeveria mbështet procesin e privatizimit përmes një tenderi të hapur ku të lejohen të marrin pjesë edhe kompanitë vendase apo investitorë vendas të interesuar. Ministria e Financave ka bërë shpalljen në gazetën britanike FT, duke ftuar investitorët e huaj që të blejnë 100 për qind aksionet e zotëruara nga shteti. Tentativa e katërt për të shitur INSIG ka nisur muaj më parë. “Shpallëm ftesën dhe po testojmë tregun. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Deri tani nuk ka pasur ndonjë interesim konkret”, thonë zyrtarët që po merren me procesin e privatizimit. 
Si në rastin e shitjes së Albpetrolit, edhe shitja e INSIG nuk varet vetëm nga ftesa dhe kushtet që ofron qeveria, por më së shumti nga shoqëria franceze në fushën e konsulencës, “BNP Paribas”. Nuk përjashtohet mundësia që në tender të ofrohet ndonjë investitor vendas. Formula e privatizimit i jep mundësi çdo biznesi vendas, të konsoliduar, që në rast se ka raporte bashkëpunimi me kompani sigurimi vendase apo të huaja, të shfaqë ofertën për blerjen e aksioneve. 
Referuar informacionit që i paraqitet të interesuarve për shitjen e INSIG, thuhet se norma e fitimit të kompanisë për vitin 2010 ka qenë rreth 9 për qind, të ardhurat në tregun e Shqipërisë rreth 8 milionë euro. Ndërkohë INSIG operon edhe në Kosovë e Maqedoni, ku nuk ka patur ndonjë ecuri të lakmueshme në treg. Në Kosovë, për vitin e kaluar, kompania krijoi 5.3 milionë euro të ardhura, kurse në Maqedoni, rreth 2.9 milionë euro. 
Në Shqipëri, INSIG zotëron tregun e sigurimit në masën 12.4 për qind, në Kosovë e Maqedoni, ka një treg përkatësisht 8.3 për qind dhe 3 për qind. Duket sikur INSIG është vështirë të shitet, por nuk mund të neglizhohet fakti që sa kohë përlitej privatizimi në tregun shqiptar, ndërruan pronësi në favor të kompanive më të njohura europiane të sigurimeve disa nga operatorët privatë të këtij tregu. Mbase 2012 për shumë arsye do të jetë ndryshe për INSIG. 
Energjia, 4 HEC-e në shitje 
Katër hidrocentrale, Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, me fuqi të instaluar 76.8 megavat që në 2010 prodhuan së bashku 6 për qind të energjisë elektrike shqiptare shpresohet që të shiten për 100-150 milionë euro. Ata tashmë janë shkëputur nga KESH dhe po presin pronarin e ri. Ministri i Energjetikës Nasip Naço ka njoftuar se “shumë shpejt do të hapet një ankand ndërkombëtar për shitjen e tyre”. Sipas përllogaritjeve që kanë bërë specialistët e energjetikës rezulton se me çmimet aktuale të tregut të katër hidrocentralet kanë potencial për xhiro vjetore prej reth 21 milionë euro. HEC-i Ulëz i që është në punë nga 1957 ka një prodhim mesatar vjetor 120 Gwh dhe vlerë tregtare të prodhimit mesatar vjetor 6 milionë euro. 
HEC-i Shkopetit me prodhim mesatar vjetor prej 90 Gwh ka vlerë tregtare të prodhimit mesatar vjetor 4,5 milionë euro. Bistrica 1 ka një prodhim mesatar vjetor 165 Gwh dhe vlerën tregtare të prodhimit vjetor 8,3 milionë euro, ndërsa Bistrica 2 ka një prodhim mesatar vjetor 35 Gwh dhe vlerë të prodhimit vjetor 1,7 milionë euro. Të njëjtat përllogaritje vlerësojnë se në rast se çmimi i ofruar do të jetë 100 milionë euro, do të mund të nxjerrin çmimin e blerjes në më pak se 7-8 vjet ndërsa në rast se çmimi arrin në 150 milionë euro, atëherë investimi rikuperohet për 8 apo 9 vjet, duke e bërë këtë privatizim një investim me normë fitimi vjetore prej 15 për qind. HEC-et mbi lumin Mat, Ulza e Shkopeti kanë 134 punonjës, nga 200 punonjës që kanë të katër hidrocentralet së bashku. 
Kjo shitje që pritet të finalizohet në 2012 ka një vecori të spikatur. Privatizimi është parë shpesh si zgjidhje për problemin e paaftësisë menaxhuese të qeverisë, por rasti i katër hidrocentraleve duket se nuk është i tillë. Specialistët thonë se “Ato janë objekte lehtësisht të menaxhueshme, nuk kanë ndonjë komplikacion dhe përbëhen nga një teknologji që në Shqipëri ka tetë dekada që përdoret”. Kështu që privatizimi i këtyre HEC-eve nuk pritet të sjellë ndonjë përmirësim në efiçencën e përdorimit të tyre, por paratë që qeveria shpreson të arkëtojë nga shitja do të destinohen thjeshtë për të mbushur buxhetin. 
Milionat e paketave të aksioneve 
Në kompanitë e mëdha tashmë private që janë shitur si pjesë e privatizimeve strategjike, shteti ende ka një pronësi të konsiderueshme. Pas shitjes së 15 për qind të paketës shtetërore të aksioneve të AMC për një vlerë rreth 40 milionë euro në pronësi të qeverisë janë edhe 24 për qind të aksioneve të OSSH, 16 për qind të aksioneve të Albtelekom, 15 për qind të aksioneve të ARMO-s dhe disa paketa më të vogla aksionesh në kompani të tjera. Në vitin 2012 edhe këto paketa aksionesh të zotëruara nga shteti do të jenë në treg, dhe ku blerësit më potencialë janë zotëruesit privatë të këtyre kompanive. 
Në fakt Ministria e Ekonomisë, hodhi në ankand dhe caktoi tender për shitjen e 16 për qind të aksioneve të Albtelekom më 28 tetor me një cmim të shitjes që nis nga 34 milionë euro. Por shitja nuk është finalizuar. Në dokumentacionet e privatizimit të “Albtelekom”, ministria thotë se, në vitin 2010 kompania zotëronte 79 për qind të kuotës së tregut, me më tepër se 280,000 abonentë telefonie fikse dhe aktualisht zotëron 15.8 për qind të tregut të abonentëve të telefonisë së lëvizshme. “Nga rezultatet e bilanceve rezulton se shoqëria e ka mbyllur vitin 2010 me një të ardhur të konsoliduar prej 114.8 milionë eurosh. Ndërkohë të suskeshme në treg pas privatizimit kanë rezultuar edhe OSSH dhe ARMO. Paketat e tyre të aksioneve ndonëse ende nuk janë shpallur për shitje vlerësohet të kapin minimalisht 40 milionë euro. 
3G, një burim tjetër të ardhurash 
Në dy muajt e parë të 2012-ës qeveria planifikon të japë në fushën e teknologjisë së informacionit edhe licensën e tretë 3G. Ky brez frekuencash ka rezultuar të jetë një tjetër burim i madh të ardhurash për buxhetin e shtetit. Licenca e parë 3G u dha në fund të vitit 2010 dhe u fitua në garë nga kompania Vodafone, me një çmim 31.4 milionë euro, kurse e dyta u dha gjatë këtij viti dhe u fitua nga kompania AMC me çmimin 15.1 milionë euro. Në të dyja rastet, çmimi minimal i pranimit të ofertave ka qenë 12.5 milionë euro. 
Edhe licenca e tretë 3G do të nisë me këtë cmim fillestar. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, ka deklaruar këto ditë se “Në përputhje me atmosferën festive, veçanërisht në Tiranë, japim lajmin e mirë se së shpejti ne do të fillojmë procesin për licencën e tretë për 3G, për operatorët mobilë, çka do të rrisë më shumë përdorimin me cilësi të internetit të shpejtë, duke ulur më tej çmimet në tregun përkatës dhe duke bërë që interneti të jetë i mundshëm, jo vetëm në çdo skaj të Shqipërisë, por të jetë i përballueshëm për çdo përdorues, pra: internet të mirë dhe me çmim të lirë”. Ministri bëri edhe përcaktimet e sakta kohore se kur pritet që të fillohet dhe të përfundohet procesi i dhënies së licencës së tretë 3G për një nga dy kompanitë e telefonisë celulare që nuk e kanë ende një të tillë kur deklaroi se “Besoj se licenca e tretë, do të jepet në muajt janar ose shkurt, pas procesit të tenderimit që fillon këto ditë”. 
Historia e Privatizimeve 
Shqipëria vjen nga një histori 50-vjecare në të cilën prona private pothuaj nuk ekzistonte. Ndryshimet e mëdha politike të viteve 90 sollën ndryshime rrënjësore edhe në ekonomi. Privatizimi ishte një karakteristikë thelbësore e këtyre ndryshimeve. Hapi i parë i madh ishte kalimi i fondit të banesave në favor të zotëruesve të tyre. 
Ai u pasua nga privatizmi i shërbimeve tregtare. Megjithatë gjatë periudhës 1993-1999, të ardhurat nga privatizimet kanë qenë në një masë shumë të ulët për faktin se lidheshin kryesisht me ndërmarrje apo asete të vogla. Një pamje krejt tjetër do të ofrohet gjatë periudhës 2000-2010 kur edhe nisin të ashtuquajturat privatizmime në sektorët strategjikë. Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data Albania,viti 2000 është i pari vit që shënon të ardhura të larta nga privatizimet, me 8.9 miliardë lekë, që financuan 22 për qind të deficitit buxhetor. Në këtë vit shënohet privatizimi i parë i rëndësishëm në vend, ai i Bankës Kombëtare Tregtare. 
Sipas të njëjtave të dhëna në 2001, privatizimet financuan 30 për qind të deficitit buxhetor të atij viti. Të niveleve të larta kanë rezultuar të ardhurat e privatizimit edhe në vitet në vijim, ku në treg janë hedhur kompani të rëndësishme nga telefonia, bankat, nafta etj. Viti 2009 është viti që shënon pikën më të lartë të të ardhurave nga privatizimet, rreth 25 miliardë lekë. Shitja më e sukseshme padyshim ishte privatizimi i 76 për qind të aksioneve të OSSH. Një zhvillim interesant nga privatizimet pati gjatë vitit 2010 ku qeveria i shiti ish-Hotel Dajtin Bankës së Shqipërisë për 30 milionë euro.