Pasi e refuzoi, madje edhe ironizoi programin socialist, qeveria u gdhi një mëngjes me këmbë në tokë. Vendosi më në fund të kopjojë një pjesë të reformave të parashikuara në këtë program. “Rilindësit” nuk janë më demonë dhe bllokmenë, por reformatorë dhe novatorë. Të paktën nga ato që ka raportuar shtypi për diskutimin e fundit të ministrit Bode, qeveria ka vendosur të kopjojë programin socialist për reformën e pensioneve, duke i bërë thirrje opozitës të bashkëpunojë me të. Natyrisht, opozita nuk mund të mos e vlerësojë këtë përpjekje të qeverisë dhe thirrjen e saj për bashkëpunim. Por qeveria duhet të artikulojë qartë se opozita ftohet jo të bashkëpunojë me qeverinë, por t’i sqarojë kësaj të fundit programin e vet, të bërë publik prej kohësh. Në mënyrë që qeveria të mos e keqkopjojë këtë program, siç po tenton të bëjë.
Qeveria u bind se falimentimi i skemës nuk duhet fshehur, por shmangur.
Lajmi i mirë është se qeveria ka pranuar atë që opozita ka mbi një vit që po e thotë dhe që në programin socialist është shkruar qartë: Skema e pensioneve po falimenton. Prej këtij falimentimi nuk mund ta shpëtojnë financimet prej buxhetit të shtetit, të cilat, sipas të dhënave nga Open Data Albania, gjatë periudhës 2006-2010 pothuajse u dyfishuan, nga 18 në 34 miliardë lekë. Në vitin 2011, financimi i buxhetit të shtetit për pensionet ishte i barabartë me deficitin buxhetor. Qeveria më në fund e kuptoi se buxheti i shtetit nuk mund të shërbejë pambarimisht për të mbyllur gropën financiare të skemës së pensioneve. Kjo vjen në kundërshtim me parimet e skemës kontributive dhe të vetë sistemit. Buxheti i shtetit është i kufizuar dhe po kufizohet edhe më për shkak të asaj që qeveria ngurron ta quajë krizë. Uroj që qeveria të bindet që edhe krizën as mund ta fshehë, as mund t’i fshihet. Keqmenaxhimi i skemës dhe performanca e dobët në grumbullimin e kontributeve, çka detyrojnë që skema të financohet nga buxheti, pengojnë investimet me fonde buxhetore në aspektet e tjera të portofolit të zhvillimit njerëzor. Sipas vlerësimeve të  Open Data Albania  të vitit 2011, nëse nuk merren masa urgjente për rritjen e numrit të kontribuuesve dhe uljen e evazionit kontributiv, Shqipëria në të ardhmen do të harxhojë për sigurimet shoqërore aq sa shpenzon për investime në rrugë, shkolla e spitale të marra së bashku.
Mbi disbalancat në kontribute dhe përfitime
qeverinë nuk e ka penguar askush të dallonte dhe të kuptonte disbalancat në raportin kontribute maksimale-minimale (5 me 1) dhe pensione maksimale-minimale (2 me 1). Edhe nëse nuk e dinte, mund ta lexonte në programin socialist, i cili e nënvizon këtë në mënyrë shumë të qartë. Madje, programi parashikon se ndryshimi i këtyre disbalancave mund të vijë nëpërmjet një reforme të plotë parametrike, e cila do të përfshijë edhe mjaft aspekte të tjera të skemës. Ndër këto aspekte, përparësi merr rritja e kontributeve nëpërmjet shtimit të numrit të kontribuuesve. Sa është sot ky numër? Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk e publikon. Instituti i Statistikave nuk e publikon. Ministria e Financave nuk e publikon. Por mospublikimi i numrit tepër kritik të kontribuuesve nuk është zgjidhja. Zgjidhja do të ishte publikimi dhe pastaj programimi i shtimit të kontributeve nëpërmjet dy rrugëve: hapjes së vendeve të reja të punës dhe formalizimit të punës së zezë dhe gri. Shifra një milionë të papunë nuk është një shifër socialiste, por tregues i numrit real të atyre që duan të punojnë, por nuk kanë një punë. Premtimi socialist për 300 mijë vende pune nuk është thjesht një numër për t’u prishur mendjen votuesve, por një rrugë për të fuqizuar skemën e pensioneve. Duke pranuar dështimin e skemës së pensioneve, qeveria duhet të pranojë dështimin e politikave të punësimit dhe të luftës kundër ekonomisë dhe punës informale. Shëndoshja e skemës së pensioneve nuk mund të vijë pa politikat për hapjen e vendeve të reja të punës. Prandaj qeveria duhet të përgjegjësohet për nevojën e sinergjisë midis reformës së pensioneve dhe prioritetit të politikave të punësimit.

Sistemi shumëkolonësh funksional: një domosdoshmëri
Kolona e dytë e skemës së pensioneve mund të kishte filluar me kohë nga funksionimi nëse qeveria do të ishte mendjehapur dhe do të kishte kuptuar atë që programi socialist e thotë qartë për mbështetjen e funksionimit të sistemit shumëkolonësh, duke nxitur, sidomos për brezin e ri, pjesëmarrjen në skemat private, suplementare e vullnetare të pensioneve. Por qeveria nuk e ka bërë këtë për shkak të ambicieve të saj të njohura për të menaxhuar në mënyrë jotransparente fondin e pensioneve. Qeveria duhej ta kishte kuptuar me kohë se vendosja e kolonës së dytë do të ishte një rrugë më eficiente për rritjen e pensioneve, sesa thërrimet me të cilat rriten pensionet sa herë që qeveria lëshon tullumbace elektorale. Vendosja e kolonës së dytë i rrit pensionet në mënyrë të natyrshme, eficiente, por edhe në një përqindje shumë më të lartë se thërrimet e qeverisë. Në këtë mënyrë shmanget varësia e rritjes së pensioneve nga vullneti politik i qeverisë, çka ka sjellë elektoralizmin, politizimin dhe asfiksimin e skemës. Rritja e pensioneve mund të bëhet nga burimet e brendshme të saj.
JO e prerë rritjes së moshës së daljes në pension
Por, mbi të gjitha, para se të kërkojë mbështetjen e opozitës, qeveria duhet të bindet se rritja e moshës nuk është zgjidhja për shpëtimin e skemës së pensioneve nga falimentimi. Në të gjitha takimet e zhvilluara në territorin e vendit, qytetarët shqiptarë kanë kundërshtuar prerë idenë e qeverisë për rritjen e moshës së daljes në pension. Kjo është një arsye më shumë që qeveria të lexojë me kujdes programin socialist për reformën e sistemit të pensioneve. Pra, përveç përgatitjes së një pakete ligjore të plotë, qeveria duhet të heqë dorë nga qëllimi i fshehtë për rritjen e moshës së daljes në pension.