Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka një modelim të mangët të mbajtjes së statistikës mbi kriminalitetin. Asnjë nga agjencitë e sigurisë publike nuk përpunon të dhëna mbi numrin e viktimave. Gjithashtu numri i viktimave të vrasjeve, për rastin e Shqipërisë nuk publikohet as nga institucione monitoruese të shëndetit publik ”- shprehet Brahaj.
Nga kërkimet që ajo ka bërë na ka ofruar statistika për çështje Penale për Vrasje në Shqipëri nga viti 1995 deri në vitin 2010. Brahaj na tregon se:“Sipas të dhënave, konstatohet se në gjashtëmbëdhjetë vite të hulumtuara totali i çështjeve penale të regjistruara për vrasje është 4674. Mesatarja vjetore e rasteve është 292.1 vrasje çdo vit. Viti me vlerë më të madhe në harkun kohorë 1995 – 2010 është viti 1997 me 1542 çështje për vrasje të regjistruara.
Ky vit përkon edhe me gjendjen e jashtëzakonshme të krijuar nga hapja e depove të armatimeve dhe humbja e kontrollit të autoritetit shtetëror në disa zona të vendit. Viti me vlerën më të ulët sa i takon çështjeve të regjistruara për vrasje është viti 2009.
Në Shqipëri mesatarja e viteve 1995 – 2010, për vrasje (çështje të regjistruara) për njëqindmijë banorë është 9.2. Viti me vlerën më të lartë e njëkohësisht më negative është viti 1997 me 49.9 vrasje për njëqindmijë banorë. Viti me vlerë më pozitive është viti 2009 me 2.7 vrasje për njëqindmijë banorë. Por ky tregues në përmirësim, i shënuar në vitin 2009, është pasuar nga rritje të totalit të vrasjeve në dy vitet pasardhëse.