“Qendra për Drejtësi dhe Solidaritet” pasqyron vazhdimisht në të përditshmen “77 News” raste qytetarësh, të cilët në përballje me spitalet e vendit ankohen prej kohësh për mungesën e medikamenteve, kushteve apo edhe për dhënien e parave nën dorë tek bluzat e bardha. Historitë e rrëfyera nga pacientë të ndryshëm i kemi ndjekur edhe në institucionet si Ministria e Shëndetësisë apo në drejtoritë e spitaleve, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje.
Synojmë të pasqyrojmë edhe punën që bëjnë organizata të shumta jofitimprurëse në vend lidhur me shëndetësinë. Projekti “Open Data Albania” është një organizëm i cili grumbullon dhe pasqyron shifra konkrete që flasin për realitetin shqiptar, duke u fokusuar në problematikat kryesore që hasin qytetarët e vendit. Në një intervistë për QSD-në ,drejtoresha e këtij projekti Aranita Brahaj ndalet në disa probleme të sistemit shëndetësor në vend.
Ajo, duke u bazuar në statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë, zërin e qytetarëve si dhe në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se vendi ynë krahasuar me rajonin ka vdekshmëri më të lartë foshnjore, mëmësore si dhe sektorit shëndetësor i jepet një sasi e pakët nga buxheti i shtetit krahasuar me vendet e tjera si Maqedonia, Mali i zi, Greqia, etj.
Znj. Brahaj, si paraqitet situata përsa i përket aktivitetit të spitaleve?
Ne jemi bazuar në statistikat zyrtare të marra nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtyre të fundit, numri i spitaleve në vend ka ardhur duke u reduktuar. Deri në vitin 1993, në Shqipëri numëroheshin 93 spitale, aktualisht numri është reduktuar në 46-të. Gjithashtu, një tjetër problematikë që është pasqyruar vazhdimisht edhe në media nga vetë qytetarët është numri jo i mjaftueshëm i shtretërve. Kështu rezulton që numri i tyre për 100 mijë banorë në vitin 2000 është 326.3, ndërsa në vitin 2008-të ai është reduktuar në 286.8 shtretër spitalor për 100 mijë banorë.
Pra, statistikat flasin ashtu si dhe qytetarët për një mungesë shtretërish në vite. Gjithashtu, edhe numri i qendrave shëndetësore, poliklinikave dhe ambulancave në rang vendi është reduktuar. Nëse në vitin 1993 numri i këtyre të fundit ka qenë 3022, nga viti 2008-të e deri aktualisht numri i tyre në total është 2503.
Si rezulton në bazë të të dhënave zyrtare si dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë buxheti që i jepet sektorit të shëndetësisë në vendin tonë krahasuar kjo me rajonin?
Shifrat e rendisin Shqipërinë si vendi që shpenzon më pak në rajon për frymë për shëndetësinë. Prej vitit 2005 duket se janë rritur shpenzimet për frymë, por prapë kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të kapur fqinjët tanë, Maqedoninë apo Malin e Zi.
Përkundrazi, diferenca me ta është thelluar. Llogaritja e një mesatareje të shpenzimet totale për shëndetësinë për frymë në tre vitet e fundit, 2007-2009, mundëson një pamje më të qartë të renditjes së vendeve të rajonit lidhur me këtë tregues. Shqipëria është e fundit, me 549 $/frymë dhe ka një diferencë jo të vogël me vendin e dytë, Maqedoninë, rreth 30% më pak. Ende më larg qëndron Mali i Zi, me shpenzimet totale për shëndetësinë për frymë 2 herë më shumë apo Greqia, që kryeson listën, me mbi 5 herë më shumë.
Ju keni publikuar edhe statistika për vdekjen foshnjore apo mëmësore në Shqipëri, tregues këto të rëndësishëm për të evidentuar funksionimin e një sistemi shëndetësor të një vendi.
Vdekshmëria foshnjore është një tregues i rëndësishëm i kushteve shëndetësore të një vendi. Ky tregues përdoret edhe për krahasimin e zhvillimit socio-ekonomik të shteteve (sa më i lartë treguesi, aq më problematike është situata).
Duke filluar nga viti 1995, vdekshmëria foshnjore për 1,000 lindje në Shqipëri ka ardhur vazhdimisht në rënie, duke arritur minimumin në 2009, me 14 vdekje për 1,000 lindje. Ky është një trend pozitiv, por që krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria renditet në vendin e fundit (ka treguesin më të lartë), lidhur me vdekshmërinë foshnjore. Konkretisht, vendet e rajonit në 2009-ën, i kanë këto tregues shumë më të ulët. Situata më e mirë duket në Greqi, me një tregues 3 të vdekshmërisë foshnjore për 1,000 banorë, e ndjekur nga Serbia me 6-të, Maqedonia 10-të dhe Bosnja-Hercegovina 13-të.
Për Shqipërinë, treguesi është më i larti në rajon, 14-të. Gjithashtu, duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2010, në vendin tonë vdekshmëria foshnjore është 16-të vdekje për 1000 mijë lindje. Ndërsa për sa i përket shkallës së vdekshmërisë mëmësore, raporti bazohet po në të dhënat e Bankës Botërore për vitet 1992-2011. Vdekshmëria mëmësore qëndron në nivelin 31 vdekje për njëqind mijë lindje. Ky indikator ka ardhur në rënie, pasi në vitet 1992-1996 shënohet në nivelin 44 vdekje në njëqind mijë lindje. Megjithatë, Shqipëria ende qëndron në nivele tepër kritike. Vdekshmëria mëmësore në Evropë është 5-7 nëna për 100 mijë lindje, ndërsa në Shqipëri është ende 31 nëna për njëqind mijë lindje, pra afro 5 herë më e lartë.
Edhe në krahasim me rajonin, Shqipëria ka një tregues tepër negativ. Ajo radhitet në mënyrë alarmante si vendi me vdekshmëri mëmësore më të lartë në rajon. Në vendin tonë, në çdo njëqind mijë lindje, vdesin dy herë më shumë nëna sesa në Malin e Zi dhe rreth katër herë më shumë nëna se në Maqedoni. Nga ky hulumtim mbi të dhënat statistikore, konstatohet se politikat në sektorin e shëndetësisë dhe kushteve social-kulturore në vend, paraqesin problematikë të theksuar.