Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi përkatësinë fetare të popullsisë në shtetin shqiptar. Të dhënat i përkasin viteve 1923, 1927 dhe 2011. Të dhënat e viteve 1923 dhe 2011 i përkasin censuseve ndërsa ato të vitit 1927 i përkasin regjistrit civil. Të dhënat për vitet 1923 dhe 1927 janë publikuar nga T. Selenica, Shqipëria më 1927 ndërsa ato të vitit 2011 janë publikuar nga INSTAT, Rezultatet Kryesore të Censusit të Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave, Tiranë 2012.

Përkufizimet

Religjioni si koncept ligjor: Arsyeja e regjistrimit të popullsisë sipas përkatësisë fetare në Ballkan në kohën e sundimit Osman, lidhet me faktin se feja qe një status ligjor, përpos të qenit një besim fetar. Kristianët kishin detyrime të ndryshme ligjore sa i përket taksave dhe shërbimit ushtarak nga myslimanët, ndërkohë që hebrenjtë i nënshtroheshin gjithashtu ligjeve të ndryshme.


Burimi: T. Selenica
Komentet dhe përpunimi: ODA

Censusi i vitit 1923 dhe numërimi i popullsisë sipas besimit fetar duket se qe reminishencë e këtij përkufizimi. Religjionet në kuptimin e censusit të vitit 1923 qenë myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe hebrenj. Besime të tjera, për të cilat ne kemi të dhëna se kanë ekzistuar, nuk janë regjistruar për shkak se dominonte ende mendimi i religjionit si status ligjor.

Religjioni si besim: Ndryshe nga censusi i vitit 1923, censusi i vitit 2011 synoi të masë përkatësinë fetare të popullsisë sipas bindjes së vet. Rrjedhimisht, të dhënat e censusit të vitit 1923 dhe atij të vitit 2011, nuk janë të krahasueshme.

Ndarja krahinore: Për vitin 1923, kohë për të cilën ekzistojnë të dhënat e përkatësisë fetare sipas krahinave, është ndarja administrative zyrtare në 9 prefektura. Për vitin 1927, shfaqet veçmas prefektura e Tiranës, e cila më 1923 qe nënprefekturë e Durrësit. Për prefekturën e Durrësit krahasimi mes viteve 1923 dhe 1927 është i pavlefshëm.

Me popullsi do të kuptojmë numri i banorëve me banim të përhershëm në territorin e shtetit shqiptar në kohën kur është kryer censusi, si dhe numri i banorëve për të cilën raportohen të dhëna nga regjistri civil i vitit 1927. Popullata shqiptare me banim jashtë vendit nuk është përfshirë në këto statistika.

Besueshmëria e të dhënave

Të dhënat e vitit 1923 reflektojnë një nënraportim në një masë që është e vështirë të përcaktohet. Shifrat e vitit 1927 pasqyrojnë lindjet minus vdekjet dhe shpërnguljet të raportuara në zyrat e shtetit civil të kohës. Këto të dhëna janë gjithashtu të nënraportuara.

Shifrat e vitit 2011 janë paraqitur nga Instituti i Statistikave dhe konsistojnë në vlerësime të projektuara për të gjithë popullsinë të rezultateve të mbledhura nga censusi 2011. Censusi pyeti shqiptarët që takoi gjatë intervistave mbi përkatësinë fetare.

Krahasueshmëria e të dhënave

Të trija të dhënat nuk janë drejtpërsëdrejti të krahasueshme me njëra-tjetrën pasi masin gjëra të ndryshme. Rrjedhimisht vlefshmëria e krahasimit duhet të merret me rezerva.

Përkatësia fetare 1923 dhe 1927

Nga 814 mijë banorë që u regjistruan në vitin 1923 në Shqipëri, 558 mijë, ose 68.5 për qind, rezultuan myslimanë, 171 mijë ose 20.5 për qind rezultuan Ortodoksë dhe afro 85 mijë vetë, ose 10.5 për qind, rezultuan katolikë. Në vitin 1927, popullsia totale e regjistruar arriti në 833 mijë vetë, nga të cilët, 563 mijë ose 67.6 për qind rezultuan myslimanë, 181 mijë ose 21.7 për qind qenë ortodoksë dhe 88,739 vetë ose 10.6 për qind qenë katolikë. Në Shqipëri në atë kohë raportohen edhe 99 hebrenj, që jetonin në Prefekturat e Gjirokastrës, Vlorës dhe Tiranës.


Burimi: T. Selenica
Komentet dhe përpunimi: ODA

Mes viteve 1923 dhe 1927, popullsia totale rezulton të jetë rritur me 2.4 për qind, myslimanët me 1 për qind, ortodoksët me 5.8 për qind dhe katolikët me 4.6 për qind. Duke marrë parasysh se shifrat e vitit 1927 reflektojnë shënimet e kryera në zyrat e shtetit civil, nga këto shifra nuk mund të nxirren konkluzione të besueshme. Nuk është e mundur të dihet nëse norma e mosraportimit qe më e lartë apo më e ulët në një grup fetar. Në vitet 1923 dhe 1927, bektashinjtë janë numëruar si myslimanë pasi nuk ekzistonte koncepti si një religjion më vete. 

Besimi sipas krahinave 1927

Nga statistikat e vitit 1927, dallohet se myslimanët janë të pranishëm te të gjitha prefekturat e vendit dhe përbëjnë mbi dy të tretat e popullsisë në gjashtë nga dhjetë prefekturat. Në Gjirokastër, myslimanët përbëjnë më pak se gjysmën e popullsisë ndërsa në Shkodër, përbëjnë vetëm 34.6 për qind.


Burimi: T. Selenica
Komentet dhe përpunimi: ODA

Ortodoksit janë gjithashtu të pranishëm në të gjithë territorin e vendit me përjashtim të Kosovës/Kukësit, por qenë të përqendruar më së shumti në Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Gjirokastra qe prefektura e vetme ku Ortodoksit përbënin pak më shumë se gjysmën e popullsisë. Katolikët gjenden të pranishëm në Dibër, Durrës, Kosovë/Kukësi dhe Tiranë, por shumica e tyre banonte në prefekturën e Shkodrës. Nga 88,739 katolikë që qenë në Shqipëri në vitin 1927, rreth 72,867 vetë jetonin në prefekturën e Shkodrës, ku përbënin edhe 64 për qind të popullsisë.

Përkatësia fetare 2011

Popullsia banuese në Shqipëri në vitin 2011 rezultoi 2.8 milionë banorë, nga të cilët, 1.58 milionë ose 56.7 për qind, rezultuan myslimanë, 58,624 vetë ose 2.1 për qind rezultuan bektashinj, 281 mijë vetë ose 10 për qind qenë katolikë dhe 189 mijë vetë ose 6.7 për qind, qenë ortodoksë.


Burimi: INSTAT/CENSUS 2011
Komentet dhe përpunimi: ODA

Shqipëria rezultoi se ka besimtarë pa religjion 154 mijë vetë ose 5.5 për qind të popullsisë, ateistë 70 mijë vetë ose 2.5 për qind të popullsisë si dhe besime të tjera. Rreth 14 për qind e popullsisë refuzoi të përgjigjet për besimin e vet fetar. Të dhënat mbi përkatësinë fetare sipas prefekturave për vitin 2011 nuk janë bërë publike.

Kontribuoi: Gjergj Erebara