Tavo: Mortaliteti neonatal ka ardhur duke u ulur që nga 2005-a deri në vitin 2012

Lindjet para kohe, Moisiu: Ndjekje profesionale për shtatzënitë e komplikuara
Gratë dhe vajzat e reja vendosin me mjekun gjinekolog të lindin me operacion. Duket gati pakti i fshehur mes mjekut dhe pacientit, kjo situatë ka rritur në mënyrë të ndejshme numrin e lindjeve me prerje cezariane, e cila ka rritur infeksionet spitalore teksa vihet re se numri i vdekjeve prenatale është në numër të lartë. Kreu i shëndetësisë, Vangjel Tavo, në analizën vjetore të maternitetit universitar “Koço Gliozheni” ka vlerësuar punën e mjekëve të këtij spitali, ka kërkuar reduktimin e lindjeve me operacion, teksa është shprehur se vdekshmëria foshnjore ka ardhur në rënie me shifra njëshifrore, të krahasueshme me vende të zhvilluara. Drejtorja Rubena Moisiu ka shprehur se përveç rënies së lindjeve mbetet i lartë numri i vdekjeve të bebeve gjatë shtatzënisë apo dhe lindja e bebeve nën peshë.
Vlerësimi
“Falë punës suaj, mortaliteti neonatal ka ardhur duke u ulur që nga 2005-a deri në vitin 2012. Në vitin 2012 mortaliteti është ulur në shifrën prej 7.8/1000, duke e bërë kështu vdekjen foshnjore njëshifrore, të krahasueshëm me vendet e zhvilluara si Franca, Spanja dhe Italia. Gjithashtu, është një arritje e madhe, që në sajë të punë suaj të lavdërueshme, vdekja amtare ka rezultuar të jetë në shifrën zero. Mbetet për t’u përmirësuar përqindja e lindjeve me sexio cesare e cila, ndonëse ka pësuar ulje, vazhdon të jetë e lartë në shifrën e 33.8%. Dua të përmend nevojën për raportin e treguesit të performancës spitalore krahasuar me vitet paraardhëse (këtu hyn shfrytëzimi i shtratit, përqindja e infeksioneve spitalore, dhe rikthimet pas 72 orëve të foshnjave)”, – tha Tavo. Ndërsa drejtorja e maternitetit, Rubena Moisiu, bëri të ditura rezultatet vjetore të punës së stafit mjekësor, si dhe objektivat për këtë vit. 
Në këtë maternitet, sipas saj, gjatë vitit të kaluar janë kryer 4433 lindje të foshnjave, 2225 nga të cilat nga qyteti, 1423 nga fshati dhe 785 nga rrethi. Ndërkohë janë kryer 1501 lindje, ose 33.8 %, me prerje çezariane. Po kështu, janë kryer 958 operacione gjinekologjike, 320 (33.4%) nga të cilat nga rrethet. Sa i takon objektivave për 2013, Moisiu theksoi zbulimin sa më herët të anomalive fetale, përmes përmirësimit të teknologjisë dhe trajnimit të stafit, realizimi i fekondimit të asistuar për herë të parë në këtë institucion shëndetësor, përmirësimi i ndjekjes së shtatzënive të komplikuara, që përbëjnë rrezik për lindje para kohe etj.
Të dhënat
Prirja për lindje me operacion apo siç njihet ndryshe prerje cezariane në vendin tonë është në rritje, kjo të paktën sipas një studimi të fundit të realizuar nga “Open Data Albania”, e cila ka marrë në shqyrtim periudhën kohore nga viti 2002 deri në vitin 2009. Sipas këtij studimi, që burimin kryesor e ka nga Organizata Botërore e Shëndetësisë rezulton se në vitin 2002 përqindja e operacioneve në lindje kundrejt lindjeve natyrale ishte në nivelin 15%. Ndërkohë që, në vitin 2009 ky indikator shënoi rritje, duke kapur vlerën 18.7%. Gjithashtu, nga ky studim rezulton se viti më kritik është viti 2006 ku 24.3% e lindjeve janë kryer me prerje cezariane. Gjithashtu, studimi përfshin edhe një vështrim krahasues të lindjeve me operacion në vendin tonë me vendet e rajonit.
QSUT

Spitalet kanë ilaçe, Boçi: Po lidhen kontratat e reja
Në një dalje për mediat zv.drejtori Teknik Besim Boçi ka sqaruar se gjendja në QSUT për medikamente është shumë e mirë për sa u përket antibiotikëve dhe materialeve mjekësore. “Në depo sot ekzistojnë jo vetëm antibiotikët rutinë, por edhe antibiotikë të gjeneratave më të fundit që do të thotë për infeksione më të rënda apo me spektër më të gjerë veprimi. Përveç kësaj kemi verifikuar edhe medikamentet që përdoren në shërbimin onkologjik kryesisht citostatikët. Aktualisht ne kemi disa mungesa të vogla me citostatikë dhe aktualisht jemi duke përfunduar kontratat, 20% që bëhen në fillim të çdo viti dhe besoj që me përfundimin e këtyre kontratave edhe në këtë shërbim mungesat me citostatikët pothuajse nuk ekzistojnë. 
Po kështu në fazën e lidhjes së kontratave jemi edhe me materialet e mjekimit, por më e rëndësishmja për ne sot është gjendja aktuale me antibiotikë. Përveç kësaj, ne këtë vit kemi përfunduar të gjithë listën e medikamenteve për vitin 2013 dhe ato janë gati për procesin e tenderimit”, – ka theksuar Boçi. Ndërkohë, në krahun tjetër shefi i urgjencës së Pediatrisë, dr. Petrit Çaça, ka sqaruar se po përballen me një fluks të madh pacientësh deri në 350 raste brenda 24 orëve por sipas tij, nga ana e drejtorisë së QSUT janë marrë të gjitha masat për furnizim me ilaçe dhe si dhe mbështetje me personel mjekësor.
Kështu, gjatë paradites dhe orëve të vona të pasdites janë 3 mjekë në turn të cilët përballojnë fluksin e pacientëve të vegjël, ndërkohë që gjatë orëve të natës qëndrojnë dy mjekë. “Aktualisht ne kemi disa mungesa të vogla me citostatikë dhe aktualisht jemi duke përfunduar kontratat 20% që bëhen në fillim të çdo viti dhe besoj që me përfundimin e këtyre kontratave edhe në këtë shërbim mungesat me citostatikët pothuajse nuk ekzistojnë. Po kështu në fazën e lidhjes së kontratave jemi edhe me materialet e mjekimit, por më e rëndësishmja për ne sot është gjendja aktuale me antibiotikë. 
Përveç kësaj, ne këtë vit kemi përfunduar të gjithë listën e medikamenteve për vitin 2013 dhe ato janë gati për procesin e tenderimit”, – shprehet nëndrejtori Besim Boçi. Sa i takon furnizimit me citostatikë ka mungesa të vogla për disa të tjerë që pritet të plotësohen gjatë këtyre ditëve. Shefi i urgjencës së Pediatrisë, Petrit Çaça, tha se sa i takon fluksit të pacientëve u shpreh se “Ne jemi në mes të sezonit, ka mese një javë që numri të sëmurëve që paraqiten në shërbimin e urgjencës shkon nga 300 deri në 350, ku ekzaktësisht gjatë 24-orëshit të fundit kemi pasur 313 fëmijë. Kryesisht përballemi me pacientë të cilët kanë probleme të rrugëve të frymëmarrjes, temperatura dhe situata të tjera që ne i karakterizojmë si gjendje gripi apo virale. 
Me një situatë të tillë dhe një fluks kaq të rritur megjithëse duhet ta pohoj se nga ana e drejtorisë unë si shërbim urgjence jam parë me prioritet dhe unë nuk kam probleme të antibiotikëve por vetëm me materiale konsumi të cilat vijnë si shkak i mbingarkesës së madhe. Aktualisht në këtë situatë nuk me mungon asnjë antibiotik dhe perfuzionet apo ilaçet për të ulur temperaturën. Ajo që do të kërkoja nga qytetarët është marrja e shërbimit edhe në poliklinika, në mënyrë që ne të mos kemi këtë mbingarkesë të cilën deri më tani e kemi përballuar me sukses. 
Ndërkohë që numri i fëmijëve të cilët vijnë të pareferuar nga shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor është i madh. Por duke e konsideruar fëmijën si urgjencë, në pozitën që kam, mjekëve të mi u kërkoj me insistim që t’i përgjigjen kësaj urgjence edhe në rast se për ne nuk është e tillë, por është për prindërit. Fluksi më i madh për ne është në zona interurbane, kryesisht nga Bathorja, Paskuqani, Kamza etj.”.