Statistikat raportojnë ulje të numrit të fëmijëve, mosha nga 0 në 14 vjeç

Moshat fëmijërore, përkatësisht nga 0-14 vjeç, kanë pësuar rënie të ndjeshme, sidomos këto 13 vitet e fundit.

Statistikat e censusit, INSTAT, ekspertiza e bërë nga “Open Data Albania”, referojnë se nga viti 2001 e deri në vitin 2011 kemi ulje të numrit të popullsisë, të moshave fëmijërore me rreth 30 për qind. Po ashtu, ulja e lindjeve në përgjithësi dhe lindja e bebeve të seksit mashkull do të ketë pasoja dhe efekte negative për vitet e ardhshme. Teoria e një fëmije të vetme, zgjedhja e çifteve për të bërë jo më shumë se një fëmijë, ndikon drejtpërdrejt në rrezikun për plakje të popullsisë pas disa dekadave, ndërsa rritja e cilësisë së jetës po sjell shtim të mëtejshëm të moshave të treta, rritje të jetëgjatësisë dhe rëndim të buxhetit me të cilën trajtohen pensionistët.

Open Data Albania” ka kryer një hulumtim mbi popullsinë sipas grupmoshave. Të dhënat janë nga Instituti i Statistikave, përkatësisht censusi i kryer në prill 2001 dhe censusi i kryer në tetor 2011. Nga raportet rezulton se në vitin 2011, janë 578.5 fëmijë nga 0-14 vjeç.

Fëmijëria

Popullsia 0 deri 14 vjeç në vitin 2001 ishte 890 mijë vetë dhe ra në 578 mijë vetë në vitin 2011, pra me rënie prej afro 29 për qind. Popullata e femrave nën 14 vjeç ka pësuar një rënie më të madhe sesa popullata e meshkujve, duke reflektuar numrin më të lartë të foshnjave të gjinisë mashkull të lindur gjatë kësaj periudhe. Popullsia 15-64 vjeç ishte 1.94 milionë vetë në vitin 2001 dhe ra në 1.9 milionë vetë më 2011-n, pra me një rënie prej 1.8 për qind. Raporti meshkuj-femra për këtë pjesë të popullsisë është afërsisht i barabartë, 961 mijë meshkuj dhe 978 mijë femra.

Në vitin 2011, 20.7 për qind e shqiptarëve qenë më pak se 14 vjeç, 68 për qind qenë mes 15 dhe 64 vjeç dhe 11.3 për qind qenë mbi 65 vjeç. Në vitin 2001, popullsia nën 14 vjeç, zinte 29.3 për qind të totalit, ajo 15-64 vjeç ishte 63.2 për qind e totalit dhe popullsia mbi 65 vjeç ishte 7.5 për qind e totalit.

Të dhënat për popullsinë, sipas grupmoshave, mblidhen nga dy burime: regjistri civil dhe censusi. Regjistri civil shënon lindjet e vdekjet dhe rrjedhimisht krijon të dhënat për popullsinë sipas grupmoshave.

Sociologët

Nga një anketë e zhvilluar me vajzat shqiptare në vitin 2012 mbi numrin e fëmijëve që ato dëshirojnë, del një rezultat befasues: mbi ¾ e tyre nuk dëshirojnë të kenë më shumë se një fëmijë, arsyeja kryesore konsiderohet rritja e kërkesave të kohës dhe rrjedhimisht rritja e kostos së rritjes dhe shkollimit cilësor të fëmijëve. “Nëse vijohet logjika e fëmijës së vetëm nga njëra anë dhe prirja e rritjes së jetëgjatësisë nga ana tjetër, atëherë i bie që çdo çift individësh në moshë aktive të ketë dy çifte të moshuarish. Pas vitit 1990, koeficientet e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm, po ashtu edhe koeficienti i bruto i vdekshmërisë vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Shqipëria është një vend me të ardhura relativisht të pakta ekonomike, por jo me jetëgjatësi të ulët. Zgjatja mesatare e jetës në lindje në Shqipëri është 75.3 vjet, për meshkujt 72.9 dhe për femrat 77.8 vjet”, sqarojnë sociologët.

Sipas tyre, Shqipëria vazhdon të karakterizohet nga një popullsi me moshë relativisht të re. Por struktura moshore e popullsisë ka ndryshuar. Pjesa e popullsisë nën 15 vjeç është ulur ndjeshëm dhe përbën më pak se një të katërtën e popullsisë. Me zhvillimet e sotme demografike, popullsia e moshuar pritet të dyfishohet në 20 vitet e ardhshme.

Popullsia

INSTAT-i ka publikuar të dhënat për popullsinë sipas grupmoshave për vitet 2001 dhe 2011. Këto statistika, sipas grupmoshave, raportohen me intervale pesëvjeçare, si 0 deri në 4 vjeç, 5 deri në 9 vjeç, 10 deri në 14 vjeç e me radhë. Statistikat raportohen për totalin e popullsisë, për popullsinë sipas gjinisë dhe për popullsinë sipas vendbanimit në kategoritë urbane dhe rurale.

Open Data” ka grumbulluar të dhënat për grupmoshat 0 deri në 14 vjeç, 15 deri në 64 vjeç dhe 65 vjeç e lart. Grupi i parë 0 deri 14 dhe i tretë mbi 65 vjeç, përbëjnë pjesën joaktive të shoqërisë në tregun e punës. Grupi i mesëm, me moshën 14 deri 64 vjeç, tregon popullatën në moshë pune sipas definicionit të gjithëpranuar nga Organizata Botërore e Punës, ILO.

Popullsia në Shqipëri ishte 3.07 milionë banorë në vitin 2001 dhe ra në 2.8 milionë banorë në vitin 2011, pra me një rënie prej 8.8 për qind. Por rënia ishte shumë më e fortë për popullatën nën 15 vjeç, ndërsa numri i të moshuarve mbi 65 vjeç pësoi një rritje të konsiderueshme.

Për popullatën në moshë riprodhuese, e cila përfshin si përkufizim popullatën 15-45 vjeç, raporti meshkuj/femra është afërsisht i barabartë, ndërsa i ndarë në pesëvjeçarë ka një diferencë të konsiderueshme për moshat 30-44 vjeç, gjë që sugjerohet se ka ndodhur si pasojë e shkallës më të lartë të emigrimit të meshkujve.

Popullsia mbi 65 vjeç u rrit nga 231 mijë vetë në vitin 2001 në 317 mijë në vitin 2011, me rritje prej 37 për qind. Për moshën mbi 65 vjeç, raporti meshkuj-femra është 91 meshkuj për 109 femra për të gjithë Shqipërinë.

 

Në regjistrin e parë administrativ më 1923, Shqipëria kishte 804 mijë banorë

Më shumë të moshuar, ndryshojnë raportet në sistemin e pensioneve

Moshimi i popullsisë përbën një sfidë për të ardhmen. Plakja e popullsisë ndikon edhe mbi sistemin e pensioneve, shërbimet shëndetësore dhe produktivitetin ekonomik.

Vjetrimi i popullsisë e bën gjithnjë e më të vështirë financimin e pensioneve dhe problemi i pensionistëve nuk mund të reduktohet në një dimension vetëm demografik, ndaj duhen kërkuar mundësi e burime për të zvogëluar peshën financiare të pensioneve.

Në botimin e fundit të vitit 2012 të sociologëve Nora Malaj dhe Lekë Sokoli, referohet: “Nga viti 1950 e këtej njerëzit jetojnë mesatarisht rreth 22 vjet më shumë”.

Në këtë kontekst çdo person që ka mbushur moshën 60 vjeç ka shpresë për të jetuar edhe 20.6 vjet, ndërsa një person që ka mbushur 65 vjeç, ka shpresë për të jetuar edhe 16.5 vjet.

Sipas regjistrit të parë administrativ të popullsisë të vitit 1923, Shqipëria kishte 804 mijë banorë. Në vitin 2005 ajo kishte rreth 3.8 milionë banorë. Në rreth 80 vjet më parë popullsia e Shqipërisë është pesëfishuar.

Sipas analizës së sociologëve, mbipopullimi është një ndër problemet e mëdha sociale të kohës sonë. Por popullsia e një shteti përcaktohet nga katër faktorë, që janë: numri i lindjeve, numri i vdekjeve, numri i individëve që kanë hyrë në një periudhë të caktuar nga shtetet e tjera ose numri i imigrantëve, si dhe numri i individëve të dalë në një periudhë të caktuar për në shtete të tjera ose numri i emigrantëve.

Çiftet e reja shqiptare priren për të pasur pak fëmijë. Sipas studimit demografik, por edhe në studimet e fundit të sociologëve dhe mjekëve gjinekologë, vihet re tendenca e uljes së numrit të lindjeve pas viteve ’90.