Një ndër organet më të rëndësishëm, i cili ndihmon në  administrimin efektiv dhe efiçient të fondeve publike është Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Në bazë të nenit 162, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, KLSH-ja është organi më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar. Ai kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore dhe personave juridikë shtetëror, përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qëndror dhe vendor si dhe veprimtarinë ekonomike të personave të tjerë juridikë, në të cilat shteti zotëron më shumë se gjysmën e aksioneve.

Në këtë mënyrë, KLSH-ja kontrollon nëse fondet publike janë përdorur në përputhje me ligjin dhe me efektivitet , jep rekomandime për marrjen e masave në rast se konstaton parregullsi apo shkelje të ligjit dhe procedurave , si dhe raporton informacionin mbi mënyrën e përdorimit të fondeve publike nga njësitë e kontrolluara .

Në përputhje me këto funksione, Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi dëmin ekonomik e financiar të raportuar nga KLSH, që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit në periudhën 2008-2012. Grafiku në vijim jep një pamje të tij, duke paraqitur dëmin në vlerë absolute dhe si % ndaj PBB-së dhe Totalit të Shpenzimeve të Buxhetit për secilin vit.


Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

2012-a shënon vitin me dëmin ekonomik më të lartë për gjithë periudhën e marrë në shqyrtim, me rreth 13.5 miliardë lekë, ndërsa viti 2010 bie në sy si viti më dëmin më të vogël të evidentuar, në masën 1.6 miliardë lekë, duke prishur edhe tendencën përgjithësisht në rritje të dëmit të raportuar nga KLSH.

Shoqëria që duket se ka ndikuar më shumë në ecurinë e këtij treguesi ndër vite është Albpetrol sh.a., e cila paraqitet vazhdimisht me një vlerësim të lartë të dëmit ekonomik të shkaktuar ndaj Buxhetit. Kështu, në vitin 2009, dëmi nga kjo shoqëri ishte rreth 2.6 miliardë lekë apo rreth 35% e dëmit total të raportuar për atë vit.

Në vitin 2011, dëmi nga Albpetrol sh.a. u vlerësua në 3.9 miliardë lekë, apo rreth 55% e dëmit total, ndërsa në 2012-n, dëmi i evidentuar shkoi në 9.1 miliardë lekë, apo 67.3% e dëmit total ekonomik. Dhe në fakt, 2010-a, i cili është edhe viti me dëmin ekonomik më të ulët përkon me dëm zero të raportuar nga KLSH, të rezultuar nga mbikqyrja e zyrës së auditit të brendshëm të kësaj shoqërie.

KESH sh.a. është shoqëria e dytë e cila ka peshën e saj të ndikimit në dëmin ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit. Për vitin 2012, dëmi ekonomik për moslikujdimin e detyrimeve kontraktore ndaj KESH ishte përafërsisht 2.4 miliardë lekë apo rreth 17% e dëmit total. Kjo do të thotë se KESH sh.a. dhe Albpetrol sh.a. sëbashku kanë shkaktuar rreth 86% të gjithë dëmit ekonomik për vitin 2012, me një total prej 11.5 miliardë lekësh, apo 1% e PBB-së dhe 3.5% e Totalit të Shpenzimeve buxhetore për këtë vit. Ndërsa në vitin 2011, dëmi i shkaktuar ndaj Operatorit të Transmetimit të Energjisë (OST) nga mungesa e likujdimit për shërbimin e kryer për transmetimin e energjisë elektrike për periudhën nga privatizimi i OSSH-së, ishte 1.92 miliardë lekë, të cilit po t’i shtohet edhe dëmi nga Albpetrol, përbëjnë 83.4% të dëmit total.

Në këto kushte, duket se shkaktari kyesor në dëmin e lartë ekonomik ka qenë keqadministrimi i shoqërive anonime, për rrjedhojë, rritja e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e këtyre dy sektorëve dhe shoqërive përkatëse paraqitet si urgjencë për menaxhimin efektiv të fondeve publike në vend dhe uljen e dëmit ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit.

  1.   Neni 163 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Baza Legjislative e KLSH-së është e plotësuar me Ligji nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000. Në nenin 7 të këtij ligji renditen detyrat e këtij institucioni.
  2.   Ligji nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, neni 6.
  3.   Ligji nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, neni 16.
  4.   Ligji nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr. 8599, datë 01.06.2000, neni 8.
  5.   Të dhënat mbi dëmin ekonomik për vitet 2008-2012 janë marrë nga Raporti Vjetor i KLSH për secilin vit përkatës.

Të dhënat për Shpenzimet Totale të Buxhetit të Shtetit janë marrë në Buletinin Fiskal për 4 –mujorin e fundit për secilin vit.

Të dhënat e PBB-së i referohen VKM nr. 1, datë 23/1/2013 “Për miratimin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2014-2016”

Kontribuoi: Blerta Zilja