Dëmi ekonomik dhe financiar i evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) klasifikohet në dhjetë fusha dhe sektorë kryesor, ku tatim-taksat përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm edhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë të publikut. Ai merr formën e parregullsive dhe shkeljeve të legjislacionit tatimor në fuqi, të cilat përgjithësisht shoqërohen me evazion fiskal dhe efekte negative në grumbullimin e të ardhurave tatimore, të cilat janë zëri kryesor në të Ardhurat e Buxhetit të Shtetit. Identifikimi i tyre bëhet nga departamenti i Kontrollit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit, por nuk përjashtohen rastet kur ato evidentohen edhe nga puna e departamenteve të tjera të KLSH.

Open Data Albania ka marrë në shqyrtim ecurinë e këtij indikatori të raportuar nga KLSH për vitet 2008-2012.


Burimi : Kontrolli Lartë i Shtetit
Përpunimi dhe komentet: ODA

Sikurse mund të vihet re edhe nga grafiku, dëmi ekonomik i evidentuar në sektorin e tatim-taksave ka qenë në rritje në vitet 2008-2009 dhe më pas është karakterizuar nga një rënie drastike, për të arritur vlerën minimale në vitin 2012, me rreth 38 milionë lekë të evidentuara kundrejt 2.5 miliardë lekëve në 2009-n. Në vitin 2008, dëmi në këtë sektor ishte rreth 1.88 miliardë lekë dhe një vit më pas ai u rrit me 34% për të arritur pikën më të lartë për periudhën e marrë në shyrtim.

Fushat kryesore që shkaktonin një nivel të lartë të këtij dëmi ishin detyrimet tatimore për tatim-fitimin dhe penalitetet si dhe detyrimet tatimore për TVSH-në dhe penalitetet përkatëse. Kështu, në vitin 2008 dëmi i ardhur nga detyrimet tatimore ishte rreth 1 miliardë lekë, apo rreth 52% e dëmit total në tatim-taksa, i shkaktuar kryesisht nga degët tatimore në Tiranë (rreth 630 milionë lekë), Vlorë (598 milionë lekë) dhe Sarandë (148 milionë lekë). Në vitin 2009, dëmi më i madh i rezultuar nga kontrollet e kryera i përkiste Agjensive Rajonale të Shërbimit Tatimor në Durrës (rreth 800 milionë lekë), Korcë (587 milionë lekë), Fier (338 milonë lekë) dhe Lushnje (213 milionë lekë).

Pas 2009-tës, situata e raportuar mbi dëmin ekonomik në sektorin e tatim-taksave ndryshoi. Në bazë të ligjit të ri 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, neni 25, 63, audituesit e KLSH-së  nuk mund të kontrollonin shqyrtimin e dosjeve të trajtuara nga inspektorët tatimorë për shkak të së drejtës që gëzojnë nëpunësit dhe punonjësit e administratës tatimore, qëndrore dhe vendore për të ruajtur koefidencialitetin e të dhënave tatimore dhe financiare të tatimpaguesit, që i kanë siguruar gjatë kryerjes së detyrës.

Kjo do të thotë se pas vitit 2010 nuk mund të flitet për një rënie në dëmin e sektorit të tatim-taksave ndaj Buxhetit të Shtetit, rritje të përgjegjshmërisë në administrimin e të ardhurave apo rënie të evazionit fiskal, por për një sektor i cili nuk mund të kontrollohet si më parë, apo akoma më tej, për një sektor që qëndron jashtë sistemit të kontrollit.

Ky fakt e dëmton dy herë Buxhetin e Shtetit, së pari, sepse dëmi nuk mund të përllogaritet dhe përgjegjësit nuk mund të evidentohen dhe së dyti, dëmi nuk mund të zhdëmtohet. Kjo është një ndër arsyet kryesore që shpjegon trendin në rënie të dëmit në sektorin e tatim-taksave në dy vitet e fundit 2011, 2012, gjatë të cilit KLSH mund të kontrollojë vetëm zbatimin në parim të ligjit, rregulloreve dhe udhëzimeve në fuqi. Megjithatë, nuk duhet anashkaluar edhe efekti pozitiv që mund të ketë pasur rritja potenciale e cilësisë së punës së administratës tatimore.

Grafiku në vijim jep peshën që ka zënë ky sektor në dëmin total të raportuar ndër vite, si dhe në raport me Shpenzimet Totale të Buxhetit të Shtetit për secilin vit dhe PBB-në.



Burimi : Kontrolli i Lartë i Shtetit, Ministria e Financave, Këshilli i Ministrave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Sic mund të vihet re, me kalimin e viteve, pesha që ka zënë dëmi ekonomik në sektorin e tatim-taksave ndaj dëmit total ka ardhur në rënie, për të kaluar nga 46.8% në vitin 2008, në 34.7% në 2009-n e për të arritur në 0.7% dhe 0.28% përkatësisht në vitet 2011 dhe 2012.

  1. Të dhënat mbi dëmin ekonomik për vitet 2008-2012 janë marrë nga Raporti Vjetor i KLSH për secilin vit përkatës. 
  2. Të dhënat për Shpenzimet Totale të Buxhetit të Shtetit janë marrë në Buletinin Fiskal për 4 –mujorin e fundit për secilin vit. Të dhënat e PBB-së i referohen VKM nr. 1, datë 23/1/2013 “Për miratimin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2014-2016”.
Kontribuoi: Blerta Zilja