Edhe pse nuk janë deklaruar në mënyrë përfundimtare shpenzimet e zgjedhjeve të 23 qershorit, thjesht me një vështrim të bërë nga shpenzimet e kryera gjatë këtij viti nga ministritë “zbardhen” një pjesë e atyre skandaleve që qeveria e shkuar ka bërë me financat e vendit. Open Data Albania ka hulumtuar mbi të dhëna të transaksioneve të kryera nga Thesari i Shtetit në një vit elektoral kundrejt një viti më të hershëm të zakonshëm. Të dhënat hulumtohen në mënyrë krahasimore për të analizuar nëse ka ndryshime dhe shpenzime të cilësuara në një vit ku forca politike qeverisëse angazhohet në fushatë elektorale.

Të dhënat janë krahasuar për tremujorin përkatës 1 shkurt – 30 prill të vitit 2012 dhe vitit 2013. Nën analizë janë vendosur të gjitha shpenzimet e urdhëruara nga Thesari. Gjetja e këtyre të dhënave bëhet e mundur nga zbatimi i angazhimit të Qeverisë Shqiptare në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapura dhe Transparente (Open Government Partnership OGP). Sipas angazhimeve për pjesëmarrje në këtë partneritet Qeveria Shqiptare është e detyruar t‘u vendosë çdo ditë në dispozicion qytetarëve të dhëna mbi: vlera, përfitues, bazë ligjore dhe formë transaksioni për çdo shpenzim të buxhetit dhe aseteve publike.

Aksesimi me lehtësi i këtyre të dhënave bëhet i mundur në kuadër të Open Spending Albania si një projekt i shoqërisë civile në kontribut të transparencës për qytetarët. Në rastin konkret po analizojmë shpenzime të aparateve ministrore kryesuar nga aparati i Këshillit të ministrave. Aparati i Këshillit të Ministrave, Aparati i Ministrisë së Drejtësisë, Aparati i Ministrisë së punës si dhe Aparati i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë shpenzuar në tremujorin e 2013-ës, 50% më tepër se në tremujorin përkatës të vitit 2012.

Shpenzimet sipas ministrive

Ministria e Punës qëndron në nivelin më të lartë të shpenzimeve në vlerë për 2013 krahasuar me vitin 2012. Teprica në vit elektoral në këtë rast është plus 632%. Konkretisht kjo ministri në vitin 2012 ka urdhëruar transaksione në vlerën e rreth njëqind e shtatëdhjetë milionë lekëve. Po në këtë tremujor por për vitin 2013 kjo vlerë transaksionesh të urdhëruara është rreth një miliard e dyqind e shtatëdhjetë milionë lekë, pra rreth një miliard e njëqind milionë lekë më shumë. Sipas të dhënave të thesarit rezulton që janë pagesa për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politik.
 
Po në nivel të lartë tejkalimi me tepricë prej 180 % në 2013-tën na shfaqet Ministria e Drejtësisë. Sipas të dhënave, rreth 53% e shpenzimeve të këtij aparati në tremujorin e vitit 2013 shkoi për ndërtimin e strukturave të paraburgimit në qytetet Fier, Berat dhe Elbasan. Aparati i Këshillit të Ministrave ka shpenzuar 79% më shumë se një vit më parë për tre muajt shkurtin, marsin dhe prillin e 2013. Konkretisht vlera e 2012 është rreth tetëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind mijë lekë ndërsa 2013 është rreth njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë lekë, pra mbi gjashtëdhjetë e tetë milionë lekë më shumë. Edhe Ministra e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve rezulton me një tërësi transaksionesh me vlera të larta kundrejt viti 2012.

Kjo ministri në një tre mujor të vetëm ka shpenzuar rreth njëzet e dy milionë e pesëqind mijë lekë më shumë. Me vlera më të vogla transaksionesh rezultojnë ministritë: Aparati Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Jashtme, e Shëndetësisë si dhe Ministria e Ekonomisë si dhe ajo e Integrimit. Ministria e Punëve Publike rezulton me shpenzime të ulta krahasimore për shkak edhe të ndryshimit të strukturës së aparatit të kësaj ministrie. Në vitin 2013 telekomunikacioni kaloi në vartësi të Ministrisë së Inovacionit dhe kjo ka sjellë shpenzime më të ulta për këtë aparat.

Ministria e Ekonomisë ka këtë tkurrje pasi viti 2012 shënoi shpenzime të cilësuara me vlerë dy miliardë lekë. Shume kjo, e cila në fakt është një hua e dhënë nga Ministria e Ekonomisë, Korporatës Energjetike Shqiptare, sipas VKM 81, datë 13.02.2013. Kjo hua, sipas marrëveshjes së huadhënies, është dhënë me 0,5% interes dhe ka skaduar 6 muaj pas datës 13.02.2013. Jo e qartë na shfaqet performanca e Ministrisë së Bujqësisë e cila ka urdhëruar një numër jo të konsiderueshëm transaksionesh në tre mujorin e analizuar por që ka shënuar një ritëm progresiv në muajin e pestë të vitit.