Open Data Albania është duke hulumtuar të dhëna mbi transaksione të kryera nga Thesari i Shtetit në vitin 2013, i cili përkon më një vit elektoral, kundrejt transaksioneve të kryera në vitin e mëparshëm 2012. Periudha e marrë në konsideratë për këtë hulumtim është tremujori Shkurt – Prill 2012 përkundrejt tremujorit përkatës Shkurt – Prill të vitit 2013. Të dhënat e transaksioneve hulumtohen në formë krahasimore për të evidentuar nëse ka ndryshime në shpenzime, apo shpenzime specifikisht të cilësuara gjatë një viti elektoral.

Në rastin konkret janë analizuar transaksionet e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Përpara datës 15.10.2009, Autoriteti Rrugor Shqiptar njihej me emrin Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Ligjit Nr. 10164 “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar“, krijoi Autoriteti me kompetencat, përgjegjësitë dhe detyrat e tij. Referuar nenit 14 të po këtij ligji: Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve transformohet në Autoritetin Rrugor Shtetëror.

Të dhëna mbi transaksionet e Autoriteti Rrugor Shqiptar Shkurt – Prill 2012 – 2013


Burimi: http://open.data.al/sq/treasury
Përpunimi dhe komentet: ODA


Të dhëna krahasimore 2012 – 2013 mbi ndryshimin në vlerë dhe në përqindje të vlerës dhe numrit të transaksioneve të Autoritetit Rrugor Shqiptar


Burimi: http://open.data.al/sq/treasury
Përpunimi dhe komentet: ODA


Burimi: http://open.data.al/sq/treasury
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në tremujorin e vitit 2013 Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpenzuar rreth dhjetë miliardë e nëntëqind milionë lekë të reja, ose ndryshe rreth pesë miliardë e pesëqind milionë lekë të reja më shumë se në tremujorin përkatës të vitit 2012 që do të thotë më shumë së dyfishi i vlerës së tremujorit përkatës të një vitit më parë.

Muaji Prill përmban edhe diferencën më të lartë. Kjo ndodh sepse pjesa më e madhe e shpenzimeve të kryera nga Autoriteti në tremujorin e vitit 2013 është kryer në Prill, konkretisht vlera është rreth gjashtë miliardë e shtatëqind milionë lekë të reja ose ndryshe rreth pesë miliardë e dyqind milionë lekë më shumë se në muajin Prill të 2012.

Disa nga projektet rrugore e ndërmarra nga qeveria, përbëjnë destinacionin e pjesës më të madhe të shpenzimeve të Autoritetit.

Së pari, rruga Tiranë
– Elbasan, për të cilën vetëm në muajt Mars – Prill 2013 janë shpenzuar një 1 401 278 048 (një miliardë e katërqind e një milionë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e dyzet e tetë) lekë të reja. Nga kjo shumë totale e shpenzuar, më shumë se gjashtëdhjetë e pesë milionë lekë të reja kanë shkuar për shpronësime ndërsa mbi njëqind e gjashtëdhjetë milionë lekë të reja për pagesa të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Së dyti, rruga e Arbrit, projekt për të cilin vetëm në tremujorin Shkurt – Prill 2013 janë shpenzuar 1 884 581 500 (një miliardë e tetëqind e tetëdhjetë e katër milionë e pesëqind e tetëdhjetë e një mijë  e pesëqind) lekë të reja.

Së treti, projekti Durrës – Kukës – Morinë, quajtur ndryshe Rruga e Kombit, në tremujorin e 2013 janë kryer pagesa nga Thesari i Shtetit në vlerën totale të paktën pesëqind e tetëdhjetë e pesë milionë lekë të reja. Nga këto shpenzime totale rreth njëzet milionë lekë të reja janë të faturuara nga ÇEZ për energjinë elektrike të Tunelit ndërsa shtatëdhjetë e tre milionë lekë të reja të tjera kanë shkuar për menaxhim dhe mirëmbajtje të funksionalitetit të tij. Së fundi, njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë lekë të reja për pagesa të TVSH-së.

Një tjetër rruge e rëndësishme përsa i përket peshës specifike që ka zënë në shumën totale të transaksioneve është rruga Plepa – Kavajë – Rrogozhinë, e cila ka kushtuar për tremujorin e 2013 rreth një miliardë e treqind e pesëdhjetë milionë lekë të reja.

Projekte të tjera të rëndësishme janë: Kukës – Krumë, Levan – Tepelenë, Rruga “Pushimi i Shoferit” (Lushnje) etj.

Përsa i përket treguesit të numrit të transaksioneve, konstatohet se në tremujorin Shkurt – Prill 2013 janë urdhëruar mbi 90 transaksione më shumë se në tremujorin përkatës të vitit 2012.

Gjetja e këtyre të dhënave bëhet e mundur nga zbatimi i angazhimit të Qeverisë Shqiptare në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapura dhe Transparente (Open Government Partnership OGP). Sipas angazhimeve për pjesëmarrje në këtë partneritet Qeveria Shqiptare është e detyruar tu vendosë çdo ditë në dispozicion qytetarëve të dhëna mbi: vlera, përfitues, bazë ligjore dhe formë transaksioni për çdo shpenzim të buxhetit dhe aseteve publike. Aksesimi me lehtësi i këtyre të dhënave bëhet i mundur në kuadër të Open Spending Albania si një projekt i shoqërisë civile në kontribut të transparencës për qytetarët.