Qëllimi i krijimit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave është sigurimi dhe kompensimi i depozitave të qytetarëve të vendosura në bankat që operojnë në Republikën e Shqipërisë. Anëtarësimi në skemën e sigurimit të depozitave është i detyrueshëm për të gjitha bankat që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Secila bankë e siguruar duhet të paguajë në ASD një kontribut fillestar të barabartë me 0.5 për qind të kapitalit të nënshkruar të bankës dhe një prim vjetor të sigurimit të depozitës prej 0.5 përqind të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara.
Depozita të siguruara janë:
• Të gjitha llojet e produktit depozitë për klientët individë që mbajnë kursimet e tyre në bankat që liçensohen nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e aktivitetit bankar;
• Shuma e siguruar është deri në 2.500.000 lek.
Grafikisht pesha e depozitave te siguruara kundrejt totalit të depozitave të individëve paraqitet:
Burimi: ASD
Analiza dhe Komentet: ODA
Sikurse shihet edhe nga grafiku, viti 2009 paraqet një rritje të ndjeshme të raportit të depozitave të siguruara kundrejt totalit të depozitave të individëve. Kjo ka ardhur pasi në vitin 2009, ndryshoi shuma e depozitave që siguroheshin nga ASD nga 700,000 lek në 2,500,000 lek. Kjo për pasojë rriti edhe proporcionin e depozitave të individëve që përfshihen në skemën e sigurimit të ASD.
Në fund të vitit 2004, depozitat e individëve ishin rreth 310 miliardë lek, nga të cilat 167 miliardë ishin të siguruara (54%). Në fund të vitit 2012 depozitat e individëve janë rreth 832 miliardë lek, kurse depozitat e sigururara të sistemit janë rreth 546 miliardë lek (ose 66%).